Connect with us

Përshëndetje, çka po kërkoni?

siAGORA NetworksiAGORA Network

Arkivi 2013-2021

Kryengritja e budallenjve dhe e hienave

Është koha e hienave. Kohë globale e një ndarje politike të paide e ideologji, një shou bizz i përfaqësimeve dhe i postimeve të liderëve në rrjetet sociale. Tani ka shumë më shumë hapësirë për t’u informuar dhe shumë më shumë hapësirë për të humbur në xhunglën e populizmit. Dikur bota ngrihej ta mbronte qoftë edhe një njeri, siç e parasheh ekzistenca e OKB-së. Tani mjafton një like dhe sa më shumë hienë të jesh, aq më mirë kalon.

Ata që kanë lindur atë vit tani mund ta festojnë të lirë. Mund të dalin dhe të pinë e të ngrenë dolli. Ata që kanë lindur atë vit nuk dinë shumë për pasojë të asaj që jetojnë. Kështu është gati gjithmonë, ndriçim, drita, festë për Vitin e Ri. Nxitojnë të gjithë sikur të shikonin kokrrat e fundit të orës që po bien dhe më nuk ka as ditë e as vjet.

Por nuk ka qenë kështu fiks njëzet vjet më parë. Dhjetori i vitit 1998 ka qenë i rëndësishëm për Kosovën. I rëndësishëm ka qenë për nga mbijetesa e njerëzve dhe atyre që nuk e dinin se sa do të numëroheshim të gjallë pas këtij viti. Atëherë kam qenë i ri në mes të adoleshencës dhe rrugës për t’u bërë njeri i rritur. Jo tamam fëmijë për të shpëtuar si i tillë, ende i ri për të vdekur.

Në Pejë e rrethinë lufta ka qenë gjë e zakonshme, bashkë me to edhe bombardimet e ushtrisë nga rrënjëzat e Bjeshkëve të Nemuna që bombardonin fshatrat në rrafsh, në rrënjë të qytetit. Në qytet u patën vrarë gjashtë të rinj serbë, të cilët u bënë shkas për zhvillimet e mëvonshme, vrasja e të cilëve nuk është zbuluar edhe njëzet vjet më vonë. Në pritje të festës dhe vitit të ardhshëm mendohej se çfarë nuk do të ndodhë.

Ëndrrat dhe planet kanë qenë po atë vit shpresa e vetme. “Do ta bëjmë këtë”, pas luftës thoshin njerëzit. Pa e ditur se ku do të shkonte gjithçka. Ka qenë një nga vitet e vetme pa rrymë për Vitin e Ri. Nën hijezimin e dritës që shkonte nga llamba me vajgur ka qenë viti i fundit që si familje kemi qenë të gjithë bashkë të mbledhur. Poshtë në dysheme, ulur kokën të ruheshim nga të shtënat e festës dhe plumbat e kohës. Pa festë e dinim që diçka nuk është në rregull. Si në mirëkuptim e kuptonim se po aq të zbehta ishin shanset për Kosovën sa drita e thyer nga pasqyra e vogël.

Pak më vonë do të niste gjithçka, vetëm pak javë më vonë në Kosovë do të fillonin masakrat dhe tmerret që çuan te konferenca e paqes në Rambuje. Shumë e dinin se gjasat për ne ishin të vogla. NATO-ja mund ta sulmonte Jugosllavinë nga ajri. Ne shpresonim që do të ishte edhe nga toka. Për ne nga ajri nënkuptonte se toka nuk ishte e sigurt. Kush nuk kishte shkuar në luftë, e dëshirueshme ishte të shpëtonte një për familje të paktën. Përcollëm njerëz dhe familje drejt Hungarisë e Evropës. Në atë kohë Hungaria nuk ka qenë pjesë e regjimit të vizave.

Muaj më vonë në orën 20:00 do të njoftonte në një ndërhyrje të jashtëzakonshme televizive se “Engjëlli mëshirues” kishte hyrë në hapësirën ajrore dhe goditjet e para kishin filluar. Për ne kjo ishte festë, por jo edhe për serbët në atë kohë. Një ditë zgjati paqja e heshtur dhe filloi plani i spastrimit etnik. Shumë kanë ecur, janë vrarë, janë përdhunuar e shumë kanë vuajtur e kanë ngelur rrugëve. Shqiptarët e Kosovës në atë kohë ishin kthyer në njerëzit më solidarë. Ndoshta, në kujtimin e vdekjes do të shpëtonin të gjithë nëse ofronin vetëm pak dorën e ndihmës. Kështu proceset do të vazhdonin dhe shqiptarët do të ktheheshin fuqishëm si asnjë grumbull i refugjatëve në botë, pa plan, pa ide, por me zemër.

Tutje nuk ishte e rëndësishme se si do të zhvillohej.

Kështu, njëzet vjet më vonë solidariteti ekziston vetëm kur dëgjohen tingujt e tupanëve për ndonjë festë publike ose eufori. Njëzet vjet më vonë ende flasim për luftën dhe për vlerat e saj. Njëzet vjet më vonë ende është e hapur çështja me Serbinë dhe Ballkani ende është në idenë se çfarë do të ndodhë më pas.

Kështu ka ngelur puna që do të vazhdojë me gjasë edhe për vite të tëra. Ende për Kosovën negociohet dhe ende flitet për modele të ndryshme. Kështu sigurisht do të kenë menduar edhe ata në Lindjen e Mesme se nuk do të jenë konfliktet më të gjata në histori. Aq të gjata sa do të zbehet çdo ide për një jetë më të mirë. Njëzet vjet më vonë Kosova është vendi më i izoluar i Evropës ku ende kërkohen më shumë letra për një dalje sesa për të bërë një master në shkencat politike.

Një copë e Ballkanit tani ka ngelur e përjashtuar nga bota e civilizuar. Dikur në kohën e Kosovës, edhe refugjatët trajtoheshin ndryshe nga vendet ku ishin, sado që frikë kishte, kishte edhe shpresë. Kjo nuk ka ndodhur vetëm për fajin e emisarëve të huaj të varrezës masive të eksperimenteve. Kështu është fati i revolucioneve, i kohëve pa kohë, i luftërave dhe i përgjakjes. Proceset politike prodhojnë shumë njerëz, figura befasuese që vinin nga anonimiteti. Është kohë e hierarkive që nuk bazohen shumë mbi vlerat dhe mbi kulturën e këtyre popujve.

Kështu u ka ndodhur edhe serbëve pas revolucionit të 5 tetorit dhe të dëbimit të Sllobës nga froni në Beograd. Kështu pak a shumë u ka ndodhur edhe boshnjakëve dhe Bosnjës pas Marrëveshjes se Dejtonit. Kështu ka ndodhur edhe me Maqedoninë që nuk kishte luftë, por u zu peng e vetvetes bashkë me Shqipërinë. Kështu ndodh edhe në botën e civilizuar ku ngrihen gardhet prej hekuri për t’u ruajtur nga civilët e zinj që kanë ikur nga luftërat e shkaktuara kush e di se pse.

Kështu këto kohë prodhojnë edhe shumë heronj e aktivistë për të cilët njerëzit ngrihen në këmbë. Ata më vonë bëhen pjesë e proceseve “për ndryshime nga brenda” dhe tranzicioni me sa duket do të hajë më shumë njerëz sesa vetë luftërat. Të ngujohesh në paqe është më e vështirë sesa të ngujohesh në luftë pasi tani armiku është anonim. Përveç proceseve politike të Ballkanit që dihen, Ballkanin e kanë shkatërruar grabitqarët e kohës moderne. Politikanët që tanimë nuk kanë prapavijë shkrimtarësh, ish-gazetarësh, e filozofësh – diçka si Fehmi Agani, por grupe të dyshimta me CV-të të dyshimta. Kam takuar në këtë kohë shqiptarë e serbë, maqedonas e kroatë, serbë të Banjallukës e të Sarajevës që janë koka në vete dhe njerëz që meritojnë. Po kaq popull të urtë e mikpritës dhe po aq histori tragjike.

Këta njerëz nuk vijnë në rend në Ballkan për shkak se nuk janë mësuar të shtyhen me bërryla. Shumë mendojnë se nuk ka kuptim dhe shumë e arsyetojnë pjesëmarrjen e tyre në strukturat “paralele” të jetës në Ballkan duke qëndruar për krah të së drejtës. Krah politikanëve të Ballkanit që dy vjetët e para edhe mund të ngjajnë me shpresa e dy të tjera me diktatorë.

Populli i Ballkanit është peng i politikave të gabuara dhe i sjelljeve joinstitucionale të institucioneve të tyre dhe dyfytyrësisë së njerëzve në skenën publike.

Në çdo gjuhë të Ballkanit për rrëmbyesit përdoret simbolika e kafshës së rrallë – hienës, për shkak të aftësive të saj grabitqare. Kështu edhe në shqip saktësohet: 1. zool. Kafshë e egër gjitare, mishngrënëse e grabitqare, me trup sa të ujkut, me qimet ngjyrë hiri a të kuqërreme, që rron në vendet e shkreta të Azisë e të Afrikës dhe që ushqehet zakonisht me kërma. Hiena laramane. Britma e hienës. 2. fig. Njeri gjakpirës, grabitqar, i ndyrë e i pamëshirshëm.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply