Connect with us

Përshëndetje, çka po kërkoni?

siAGORA NetworksiAGORA Network

Arkivi 2013-2021

Nxënësit e shkollës së parë shqipe në Preshevë më vitin 1945

Shkolla e parë shqipe, në historinë e popullit shqiptar të Preshevës, në mënyrë zyrtare dhe solemne hapet më 7 shkurt të vitit 1945, në objektin e “Vila Letafet” pronë e Abdulla Haxhi Veliut. Mësuesit e parë ishin Hilmi Qerimi, Abdullah Ukshini, Tajar Zylfiu i Elbasanit dhe Demirali Ramadani-Hoxha.

Fjalën e rastit, në inaugurimin e shkollës e mbajti Abdullah Krashnica, Hero i Popullit Shqiptar të Luginës së Preshevës, në gjuhën shqipe, para qytetarëve, nxënësve dhe mësuesve të Preshevës.
Shkolla e parë në Preshevë mban emrin “Selami Ibrahimi”, Dëshmor i Kombit, i varur më 1944, në Prizren./Ilir Zylfiu, Arsimi shqip në Luginën e Preshevës gjatë shekullit XX, në librin: Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, dje, sot dhe nesër,në botim të IAP dhe SHTKK, Preshevë,2015, f.204.

“Në bazë të mendimeve të shumë mësuesve të moshuar e më vonë edhe të pjesëmarrësve të Luftës së Dytë Botërore (LDB), preshevari Abdullah Krashnica luajti rolin vendimtar në hapjen e shkollave me mësim në gjuhën shqipe, duke filluar në Preshevë, për të vazhduar edhe në vendbanime tjera shqiptare të këtyre trevave.

Natyrisht, Abdullahu kishte shfrytëzuar ndikimin e tij te njerëzit në atë kohë, të cilët në radhë të parë ishin mësues, por që punonin në vise tjera.
Abdullahu erdhi në Gjilan. Unë atje punoja si mësues prej një kohe të gjatë. Më ofroi që menjëherë të kthehesha në Preshevë dhe ashtu bëra. Kështu, në shkurt të vitit 1945-së, hapëm shkollën e parë fillore katërklasëshe në gjuhën shqipe në Preshevë. Objektin e shkollës na e liroi preshevari Abdullah Veliu në të dalë të qytetit të Preshevës në magjistralen që lidh këtë qytet me Gjilanin në Kosovë – kështu kujton Hilimi Qerimi, mësuesi i parë në shkollën fillore në Preshevë.”, libri i Skënder Latifit, Rrugëtimi nëpër Luginë të Preshevës, Preshevë, 2006, f.93.
Mirëpo, ka edhe detaje tjera që janë të lidhura me hapjen e shkollës së parë shqipe, është vendosja e flamurit kombëtar në ndërtesën e kësaj shkolle që edhe sot quhet vila “Letafet”. Adem Ahmeti, njëri prej mësuesve të parë në komunë të Preshevës, sqaron: “Abdullah Krashnica, luftëtari, trimi, patrioti shqiptar i kësaj ane në vitin 1945-së ndihmoi në hapjen e shkollës së parë në gjuhën shqipe në Preshevë. Në mitingun inaugurues ishte i pari që foli për rëndësinë e hapjes së shkollave në gjuhën amtare. Edhe sot e përfytyroj atë miting, mbaj mend fjalët që u thanë aty dhe kur për herë të parë valëvitej flamuri ynë kombëtar në vilën “Letafet”. Ishte ky një fillim i mbarë i arsimit shqip në Preshevë dhe kjo kishte një rëndësi të madhe, sepse deri në atë kohë nxënësit shqiptarë kishin vijuar mësimin në gjuhën turke dhe gjuhën serbe.”, libri i Skënder Latifi, Rrugëtimi nëpër Luginë të Preshevës, Preshevë, 2006, f.94.

Të theksojmë se përgatitjet për shkollim shqip në komunën e Preshevës filluan edhe më 5 shkurt 1945 në fshatin Raincë, me mësuesin e parë Fehmi Salihu nga Përlepnica e Gjilanit dhe me preferimet e Abdullah Krashnicës.
Këtë e dëshmojnë Mulla Xhemal Musliu dhe Ruzhdi Ymeri nga Rainca, nxënës të klasës së parë të kësaj shkolle në vitin 1945, të cilët më 5 shkurt 2015 e vizituan Shkollën fillore në Raincë, e uruan drejtorin Shukri Ymeri për Ditën e shkollës dhe evokuan kujtime për këtë ditë.
Sipas raporteve shkollore të gjetura në Arkivin e Vranjës, të shkruara në Monografinë e Arsimit fillor në komunën e Preshevës 1945-1995, shkruan se Shkolla e parë në Raincë u hap më 6 shkurt 1945.
Ndërsa, në fletoren e historikut të Shkollës fillore “Zenel Hajdini” në Raincë, të mbajtur nga një mësues serb dhe të cilën e posedon drejtori i tashëm i kësaj shkollE, Shukri Ymeri, shkruan se hapja solemne e shkollës u organizua më 10 shkurt1945.

Më vonë, duke filluar që nga pjesa e dytë e shkurtit 1945 u hapën shkollat fillore edhe në Miratoc, Rahovicë, Tërrnavë e gjetiu.

”Më 6 shkurt 1945 fillon të punojë shkolla fillore shqipe në Raincë(Raporti I shkollavei gjetur në Arkivin e Vranjës). …

Mësuesi I parë i kësaj shkolle ka qenë Fehmi Salihu.

Më 7 shkurt 1945 në Preshevë, në mënyrë solemne fillon punën shkolla në gjuhën shqipe. Objekti shkollor ka qenë në “Vila Letafet” e Abdulla Veliut. Fjalën e rastit e mbajti Abdullah Krashnica Presheva.

Mësuesit e parë të kësaj shkolle kanë qenë: Hilmi Qerimi, Abdullah Ukshini, Tajar Zylfiu i Elbasanit dhe Demirali Ramadani.

Po në vitin 1945 u hapën shkollat shqipe në Miratoc, Rahovicë, Tërrnavë, Norçë. “, libri i Haki Sylejmanit, Selver Muratit dhe Rexhep Selimit, Arsimi shqip në komunën e Prshevës 1945-1995, Preshevë, 2001, f.47.

“Shkolla e parë në gjuhën shqipe kontribut i Abdullah Krashnicës.

Kështu kishte rrëfyer pak para se të vdiste Veli Abdullah Haxhi Veliu, në fund të vitit 2013 në Preshevë, kurse Bejtullah Osmani, arsimtar i lëndës së matematikës, tashti në pension shpalos kujtimet e tij të pashlyeshme për Ditën e madhe të hapjes së shkollës për herë të parë në gjuhën shqipe, në villën “Letafet”, pronë e arsimdashësit dhe intelektualit e patriotit të madh Abdullah Haxhi Veliut nga Presheva.”, Hasan Emërllahu, Abdullah Krashnica(Presheva dhe lufta e saj për bashkim kombëtar dhe vetëvendosje), Monografi, Prishtinë, 2015, f.418.

“Vetëm disa ditë para se të bëhej promovimi i shkollës në Preshevë, ai kishte shkuar në Prishtinë, Gjilan, Vrajë e kudo tjetër. Kishte kontaktuar me njerëz të kualifikuar për mësues siç ishin Hilmi Qerimi, Nazmi Mustafa, Hafëz Lutfi Ahmeti, Demirali Ramadani-Hoxha e të tjerë që kishin dhënë pajtimin për të punuar, nëse kishte nevojë edhe pa shpërblim material.”, Hasan Emërllahu, Abdullah Krashnica(Presheva dhe lufta e saj për bashkim kombëtar dhe vetëvendosje), Monografi, Prishtinë, 2015, f.419.

“Siç theksova, pasi Abdullahu preu shiritin për hapjen e shkollës së parë fillore në gjuhën shqipe në ndërtesën e Abdullah Haxhiveliut, te vila “Letafet”… Skënder Latifi”Përtej ferrit(Bisedë me Ali Aliun), Prishtinë, 2008, f.39.

”Në trojet tona për herë të parë po hapeshin shkollat në gjuhën shqipe. Për këtë ishin krenar si mësuesit ashtu edhe intelektualët që kishin ëndërruar arsim laik në gjuhën amtare. Udhëheqësit shqiptarë të pushtetit të ri, që kishin luftuat për çlirim nacional, përpiqeshin me mish e me shpirt për hapjen e shkollave. Ndonëse nuk shërbenin në arsim, kishin shumë ndikim në përhapjen e arsimit. Atë e propagandonin njësoj si mësuesit. Antifashisti, luftëtari, trimi, patrioti dhe entuziasti I madh, Abdullah Krashnica, që në vitin 1945 ndihmoi në hapjen e shkollës së parë në gjuhën shqipe në Preshevë. Në mitingun inaugurues që I pari që foli për rëndësinë e hapjes së shkollave në gjuhën amtare. Ishte ky një solemnitet modest, por i ngrohtë, ashtu siç ishin të ngrohta edhe fjalët e tij në këtë miting. Edhe sot e parafytyroj atë miting, mbaj mend fjalët që u thanë aty dhe ku për herë të parë valonte flamuri ynë kombëtar në vilën “Letafet”.

Ishte ky një fillim modest me tre-katër mësuesit e parë:Tajar Zylfiu, tani I ndjerë, normalist I Elbasanit nga Shqipëria, mësuesi Hilmi Qerimi dhe disa të tjerë.

Në vitin shkollor 1945/46 ishin hapur pak shkolla, pasi mungonin mësuesit. Në këto shkolla punonin edhe disa mësues të fesë, si hafëz Lutfi Ahmeti, hoxhë Demirali Ramadani etj.

Mësues të parë ishin Fehmi Salihu dhe Abdullah Ukshini nga Përlepnica e Gjilanit, Mustafë Selimi, Emin Ramadani, Mehmet Kadriu, Nexhat Ramadani etj.Në vitin tjetër numri I shkollave u rrit……….”,

Skënder Latifi, Gjurmët e Pashlyera(Tekste autoriale dhe shënime biografike për Mehmet Jusufin dhe Adem Ahmetin), Prishtinë, 2015, f.74

Në bisedë me nxënësin e shkollës së parë shqipe, Nehat Hazirin të Mëhallës së Bugarinëve mësuam se pos tij nxënës të kësaj shkolle ishin edhe Xhevat Haziri i Bugarinëve, Abdulla Haziri poashtu i Bugarinëve, të lindur më 1933.Pos këtyrë kusherinjve te vet Nehatit Hazirit i kujtohen edhe Musherefja, mbiemrin e te cilës nuk i kujtohej, Ajtenja e shkuar në Turqi, Gjyzelja, Alush Horosani . Ndërsa mësues i kujtohen Nehat Hazirit: Demirali Hoxha, Tajar Zylfiu, Fehmi Salihu. Nehat Haziri e përmend arsimdashësin kushëririn e vet Hasan Hazirin, i cili i mësonte mësim fetar , por i cili gjithashtu disa ditë më parë i përgatiti Nehatin, Xhevatin dhe Abdullahun dhe në ditën e hapjes i dërgoi këta në shkollë.

Nehat Haziri thotë se me frikë të madhe, por kurreshtar shkuam në shkollë, te Vila “Letafet” ku ishin tubuar shumë njerëz, qytetarë, nxënës dhe mësues të shkollës.

Bisedë me Mushrefe Ahmedi-Halili, e lindur më 1935 dhe nxënëse e klasës së parë në shkollën e parë shqipe, të cilën e zhvilloi Mahmut Ahmedi, më 15.02.2016, mësuam se nxënës të klasës së parë të kësaj shkolle ishin: Musherefe Ahmedi, Nerminja e Alush Shehut, Hidajetja e Sali Dodes, Zekija e Rexhep Shitës, Nezaqetja, motra e Halilit të Rrahmonëve, Eminja e Hevzi Saraçit, të shkuar në Turqi, Hikmetja e Abdulla Haxhi Velisë, Elhamja e Hysit të Mutishëve, Makfirja nga Bujanoci, Sinije Osmani-Aliu e Mutishëve si dhe nga nxnënësit mashkuj i kujtohet edhe Sula i Kadri Mullinxhisë së Karaponxhëve.

Zonjës Musherefe nga mësuesit i kujtohen Abdullah Ukshini,Hilmi Qerimi, Demirali Hoxha, më vonë Kadrije Qerimi, Alije Qerimi.

Në bisedë me Vebi Aliun-Dasa mësues nga Presheva, lidhur me shkollën e parë shqipe në Preshevë mësuam se nxënës të klasës së parë, pos tij ishin: Zejnel Kelmendi, Zeqavete Veliu, Zehra e Halil Agës, Xhevat Bugarina, Ymer Shabani, Sylejman Ahmeti, Vahit Mustafa, i cili në pyetjen tonë lidhur me shkollën e parë shqipe, asgje nuk deklaroi, Bejtullah Osmani. Sipas Vebiut klasa e parë numronte dikund rreth 25 deri në 30 nxënës.

Poashtu atij i kujtohet se udhëheqësit ishin radhitur në të majtë të oborrit të Vilës “Letafet”, te shkallët.Ndërsa si mësues i kujtohen Hilmi dhe Hava Qerimi.

Në këtë bisedë ishte prezent edhe Xhemal Bektashi, mësues nga Miratoci, i cili në bisedë e sipër tha se mban në mend dhe i kujtohen fjalët e të ndjerit Shukri Qerimi, i cili paska thënë se shkolla e parë shqipe është hapur në Preshevë.

Poashtu në bisedë me Ramadan Ahmetin-Aga Dani i Kajallarëve, nxënës i klasës së parë në shkollën shqipe mësuam se me te në klasë të parë ishin edhe Muharrem dhe Islam Iljazi të Mëhallës së Berberëve dhe se i kujtohet se Demirali Hoxha i paska mësuar dovë dhe lutje fetare.

Në bisedë me Bejtullah Osmanin, më 15.02.2016, lidhur me shkollën e parë shqipe mësuam se nxënësit e shkollës ishin të ndarë sipas moshës në tri /3/ grupe apo paralele. Pra ishin të përfshirë në klasën e pare, fëmijët e Preshevës që nga mosha 7 vjeç deri më 15 vjeç.

“Në shkolla u përfshinë fëmijët nga 7-15 vjeç, por të gjithë në klasën e parë të fillores, pasi që në kohën e luftës nuk kishin pasur mundësi të vijonin shkollën fillore.”, Skënder Latifi, Gjurmët e Pashlyera(Tekste autoriale dhe shënime biografike për Mehmet Jusufin dhe Adem Ahmetin), Prishtinë, 2015, f.75.

Grupin e parë e bënin të moshuarit dhe më të vjetrit, të lindur më vitin 1930, atëherë ishin 15 vjeçar. Sipas Bejtullah Osmanit këta ishin: Abdylqerim Saqipi i Mëhallës së Alimetëve, sipas kujtesës së djalit të tij Rexhep Saqipi ishte nxënësi më I mirë në klasë në matematikë, ashtu I paska thënë babai tij, Ramadan Ahmeti-Aga Dani I Kajalllarëve, Fehmi Dalipi, nip I Hallaçëvenë rrugën M. Tita, Fehmi Kelmendi I Mutishëve, Selveri I Vebisë së Mëhallës së Derrajve, si dhe nxënësit që I përmend Aga Dani.

Grupin e dytë të nxënësve e bënin fëmijët e lindur më 1933-35, nxënësit të cilët I përmendi Musherefe Ahmeti-Halili dhe Nehat Haziri, ndërsa grupin e tretë sipas Bejtullah Osmanit e bënin fëmijët e lindur më 1937-38:Bejtullah Osmani, Sylejman Hyseni, Rahim Hamidi I Kurbalisë, Nexhati Hamidi, Lutfi Jahiu I Harunëve, Selajdini I Mëhallës së Bugarinëve, Xhevat Miftari I Mëhallës së Alimetëve dhe të gjithë ata që I përmendi Vebi Aliu-Dasa.

Grupin e parë dhe të dytë të nxënësve e ka udhëhequr mësuesi Hilmi Qerimi, sipas Bejtullah Osmanit, të cili pos Hilmiut I kujtohet si mësues edhe Nazmi Mustafa.

Poashtu sipas Bejtullah Osmanit, përgatitjet për fëmijët në Preshevë, për të shkuar në klasën e parë kishin filluar shumë më herët se më 7 shkurt 1945. Atij I kujtiohet se në mbarim të vitit 1944 dhe fillim të vitit 1945 nuk kishte lokale të përshtashme për shkollën shqipe, sepse të gjitha lokalet ishin të zanur nga ushtarët e Brigadës së Shqipërisë, e cila dikur më 1,2 dhe 3 shkurt 1945 bëri përgatitjet dhe sëbashku me rigadën e Preshevës shkuan për në Frontin e Sremit. Atëhërë u liruan lokalet për shkollë, Abdullah Haxhi Veliu e dha Vilën “Letafet”, shtëpinë e banimit për shkollë.

Përgatijet për shkollën e parë shqipe ishin bërë shumë më herët në Preshevë, duke I përgatitur fëmijët për shkollë. Propagandimi për shkollë bëhej atëherë nëpërmjet dhetarëve të Brigadave të Shqipërisë dhe asaj të Preshevës nëpër shtëpitë e qytetit të Preshevës, thotë Bejtullah Osmani.

Dikur më vonë shkolla e parë shqipe kaloi në ndërtesën e shkollës serbe, ndërtesës së sotme montazhë karshi Stacionit të Autobusave dhe në Medresenë në Preshevë.

Nxënësit e shkollës së parë në Preshevë, me rastin e vdekjes së Abdullah Krashnica, në mënyrë të organizuar morën pjesë në varrimin e tij.

Poashtu Bejtullah Osmani më përmendi se në bisedë më Hafëz Avni Ahmetin paska mësuar se baba I tij Hafëz Lutfi Ahmeti, më 4 shkurt 1945 paska marrë detyrën e përgjegjësit për kulturë në Preshevë.

Në fillim sipas Bejtullah Osmanit, populli e mbante shkollën, nxënësit dhe mësuesit, duke i përgatitur dhe duke i ushqyar me dreka dhe darka.

REFERENCAT

1. Zylfiu, Ilir, Arsimi shqip në Luginën e Preshevës gjatë shekullit XX, në librin: Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, dje, sot dhe nesër,në botim Të IAP dhe SHTK Preshevë,2015

2. Latifi Skënder, Rrugëtimi nëpër Luginë të Preshevës, Preshevë, 2006

Haki Sylejmani, Selver Murati dhe Rexhep Selimi, Arsimi shqip në komunën e Prshevës 1945-1995, Preshevë, 2001
4. Emërllahu, Hasan, Abdullah Krashnica(Presheva dhe lufta e saj për bashkim kombëtar dhe vetëvendosje), Monografi, Prishtinë, 2015,

5. Latifi, Skënder, Përtej ferrit(Bisedë me Ali Aliun), Prishtinë, 2008

6. Latifi, Skënder , Gjurmët e Pashlyera(Tekste autoriale dhe shënime biografike për Mehmet Jusufin dhe Adem Ahmetin), Prishtinë, 2015

7.Bisedë me Nehat Hazirin, më 15 shkurt 2016

8.Bisedë me Musherefe Ahmedin-Halilin, të cilën e bëri Mahmut Ahmedi, më 15 shkurt 2016

9.Bisedë me Vebi Aliun-Dasa, më 10 shkurt 2016

10.Bisedë me Ramadan Ahmeti-Aga Dani, të cilën e zhvilloi Bujar Ahmeti ,më 17 shkurt 2016

11.Bisedë me bejtullah Osmanin, më 15 shkurt 2016

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply