Një ndër çështjet më të mëdha me të cilat, në jetën e vet, mund të ballafaqohet njeriu është aftësia për t’i bërë ballë ngasjeve dhe lakmive. Vijnë momente në jetë kur duhet të marrësh një vendim, drejt të cilit mund të shtyjnë disa faktorë, bile edhe atëherë kur arsyeja mund të të këshillojë të bësh ndryshe. Këto janë momente në të cilat njeriu duhet të apstrahojë gjithçka përveç zërit të zemrës së vet.
Një fjali të cilën ditë më parë e thashë në seancën e Kuvendit komunal në Bujanoc, ka nxitur debate, sidomos brenda subjektit të cilin e kryesoj-Partisë për Veprim Demokratik.
Atë ditë kam deklaruar se “nuk e kam plan për të rikandiduar për postin e kryetarit të komunës në zgjedhjet e ardhshme lokale” që duhet të mbahen vitin tjetër.
Për shumicën e anëtarëve të PVD-së kjo nuk paraqet risi, sespe, të njëjtën e kam deklaruar në një nga mbledhjet në Degën e PVD-së në Bujanoc, disa muaj më parë.
Si zakonisht, temat e këtilla nxisin debate se: a isha i sinqertë dhe serioz kur kisha deklaruar këtë? Apo kjo ishte vetëm një deklaratë e thjeshtë politike të cilën nuk do ta respektoj -siç ka ndodhur shpesh në skenën politike shqiptare?
Që në fillimin e këtij mandati e kam kuptuar në brendinë time se mandati i dytë duhet të jetë maksimumi dhe fundi i shërbimit në një institucion. Por, meqë në natyrën e njeriut shpeshherë mbizotron lakmia, lind rreziku se mund edhe ta kuptosh se çka është më e duhur, por problem në vete është edhe të bësh gjënë e duhur.
Inspirimin për vendimin tim e kam gjetur në deklaratën e ish presidentit të SHBA-ve, Bill Cllinton, i cili pas përfundimit të mandatit të dytë në Shtëpinë e Bardhë, kishte thënë “Jam në kondicionin më të mirë mendor dhe fizik, por, gjithë ne e kemi obligim për t,iu nënshtruar rregullave të Kushtetutës”.
Për mua, me dijet modeste që kam për sistemin e demokracisë, asnjëherë nuk ka patur dilemë se kulmin e sistemit të Demokracive Perëndimore e paraqet sistemi Amerikan. Amerika dhe sistemi i saj i lirive dhe të drejtave, por edhe përgjegjësive, prej momentit të paraqitjes së SHBA-ve në skenën politike globale ka shërbyer si fanar për gjithë popujt e përvuajtur dhe të nëpërkëmbur.
Pikërisht ky sistem, brenda Kushtetutës, në Amandamentin e 22-të, me kufizimin e mandatit për presidentin eliminon idenë e kultit të individit.
Eliminimi i kultit të idividit, është detyrë e jona parësore. Tashmë erdha në pozitë për të zgjedhur mes interesave të mia dhe parimeve të cilat i respektoj.
Në këtë garë të brendshme, me gjithë qenien time u orientova me i dhënë prioritet respektimit të këtij parimi fundamental të demokracisë se gjithçkaje i vjen fundi. Njeriu duhet ta kuptojë vet se mjaft është mjaft.
Që nga zgjedhja ime për kryetar të Degës së PVD-së në Bujanoc, me 2006, jam munduar të ndërtoj sistem brenda të cilit shumë të rinjë e kanë gjetur mundësinë. Ata të rinjë sot janë bartësit kryesorë të pozitave brenda PVD-së. Prandaj, pikërisht duke u bazuar në këtë trashëgimi të ndërtuar e kam më të lehtë tërheqjen nga pretendimi për kryetar duke besuar se dikush nga këta njerëz do të bëjnë zëvendësim të dinjitetshëm.
Megjithatë, pavarësisht këtij qëndrimi, unë nuk e kam ndërmend të tërhiqem në cepin e ngjarjeve politike në Luginë të Preshevës.
Unë tashmë jam kryetar i PVD-së, subjektit kryesorë politik shqiptar në rajon. Kjo më bën krenar duke pasur para sysh trashëgimin politike të PVD-së dhe objektivat e saja fundamentale.
Për t’i mbrojtur dhe realizuar ato nevojitet angazhim serioz të cilin edhe do ta orientoj në strukturat e subjektit që e drejtoj.
You must be logged in to post a comment Login