Toka e premtuar, Amerika, do të angazhohet sërish në Ballkan për të nxitur zgjidhjen e problemeve. Shumë shprehin dyshime për qëndrimet e Departamentit të Shtetit për shkak të hamendjes apo edhe simpatisë së presidentit, Donald Trump. Por, ajo që i nevojitet shteteve të këtij rajoni është sqarimi se përse ne nuk po arrijmë. Proceset politike kanë ngufatur qytetarët që nuk besojnë se këtu ekziston ndonjë gjë e premtuar. Amerika nuk e ka përfunduar punën në Ballkan pasi forcat e zeza e kanë kapluar atë dhe këtu nuk mendoj vetëm në ndikimin rus.
Është i çuditshëm kombinimi i emëruesve “All-llah” dhe Amerika. Por, dikur në vendlindjen time, në Kosovë, bënin be ose betoheshin në SHBA-të me togfjalëshin “All-llahu në qiell, e Amerika në tokë”. Ndjesia e asaj që i kishte siguruar shqiptarëve në Kosovë ishte e pafundme. Kështu ndodh kur është fjala për Amerikën prej një shekulli e më shumë që kur në Nju Jork qindra e mijëra emigrant arrinin nga Italia dhe e tërë Evropa.Kjo simbolikë përdoret shumë nëpër filma kur shfaqet toka e premtuar dhe statuja e lirisë. Se Amerika ngelet ëndërr e dëshmojnë edhe miliona aplikacione në botë për “green card”, lotarinë që të mundëson të transferohesh. Amerikanët tek ne kanë ardhur më rrallë, por jo pak që në fundin e viteve ’80 e këndej.
Amerika ka dy forma në jetën e çdo njeriu. Njëra është e jashtme dhe e brendshme. Zgjedhjet dhe diskursi politik amerikan dhe liria, pavarësisht që duken utopi, në këtë vend janë përafrim i ekzistencës. Secili e di amendamentin e parë të Kushtetutës mbi liritë. Amerika është e pranishme në bluzat e njerëzve, në tatuazhe, në filma dhe emisione, kulturë e veshje dhe dashuri të pafund nga vendet si ne dhe foleja e shumë gjërave. Globalizmi e ka bërë anglishten gjuhë botërore edhe për shkak të industrive të ndryshme dhe shtrirjes amerikane. Dikur njerëzit kanë folur më shumë frëngjisht. Mua për vete me pëlqen ajo pjesa e brendshme, e atjeshme, si kulturë. Satiristët politik dhe mundësia që Amerika mundëson një program të tillë. Si i ri kam ndjekur shumë emisione të Larry King apo çdo episode të filmave të animuar të ndryshëm dhe seriale pafund. Punët e vazhdueshme të Stephen Colbert, George Carlin, Bill Maher, John Stewart, Chris Rock, Robin Williams, David Letterman dikur e Seth Mayers të Late Night e shumë të tjerë. Amerika është në jetën tonë gjithmonë në një mënyrë a tjetër. Por, për shumë prej nesh një vend i largët që nëse e përjetojmë në jetë duket si arritje. Amerika megjithatë na duhet në të gjithëve. Sidomos këtu ku është nevoja. Diku sigurisht që ata bëjnë edhe gabime. Por, ne nuk kemi zgjidhje të tjera. Kryesisht, vizitat e amerikanëve, përveç aty këtu ndonjë aktori dhe turisti që ka ngatërruar rrugë, në Ballkan kanë qenë për vizita kryesisht diplomat dhe negociator, por dhe ushtarë në kuadër të forcave paqeruajtëse dhe misioneve të ndryshme. Amerikanët pritet të vijnë sërish më fuqishëm pas tetorit, në vjeshtë kur gjërat të jenë sheshuar dhe njerëzit të jenë ulur në tokë në ritmin e sezonit tëri të punës.
Amerika megjithatë shihet si shpëtimi edhe në aspektin gjeopolitikë. Duke qenë superfuqia e botës natyrisht se pjesëmarrja e saj në procese i shton besimin zgjidhjeve të mundshme. Me Amerikën janë zënë të rrallë dhe të paktë kanë dalë fitues ose kanë garuar gjatë. Gjithsesi, ky është lajm i mirë.
Emërimi i Mathew Palmer, si përfaqësues për Ballkanin, tregon se disa probleme në Ballkan do të shihen me më shumë kujdes. Kam patur rastin ta shoh zotin Palmer në disa konferenca. E kam dëgjuar të flet serbisht dhe madje disa në Serbi i gëzoj fakti që gruaja e tij është serbe. Natyrisht irelevante. Emërimi i një komisari është një mjet dhe mesazh. Gjithsesi, problemi është se a do të ndodh shpejt dhe si dhe në çfarë rrethanash mund të rifreskohet jeta në Ballkan duke i dhënë infuzion përmes marrëveshjeve politike mbi problemet e pazgjidhura. Thonë kur e nis një punë ke realizuar 50 për qind të projektit. Por, nëse një për qind nuk realizohet, puna është e pa kryer!
Dy senatorët amerikan që vizituan Kosovën dhe Serbinë, në një konferencë për shtyp në Beograd u pyeten qartë: a do të shtohen presionet e Amerikës për njohjen e Kosovës apo zgjidhjen e problemit? Përgjigja ishte e një stili amerikan që gjithsesi tregon durim: presion? Preferojmë ta quajmë mbështetje!
Hapësira që, siç u tha, është duke u krijuar për një mundësi për zgjidhje është e nevojshme. Kjo do ta ndihmoj tejkalimin e status quos në të cilën gjendet Ballkani. Pas Maqedonisë së Veriut, tashmë Ballkani i ka dy probleme kryesore politike që dallohen: Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën. Njëra zgjidhje e zvogëlon peshën e problemit tjetër, por ka mundësi edhe ta nxisë atë. Pa zgjidhjen e këtyre dy problemeve, vendet e tjera progresin individual do ta kenë më të vështirë. Arsyeja gjeopolitike dhe marrëdhëniet në botë nuk lejojnë ecje të veçanta, por duhet të jetë pjesë e një plani më të gjerë. Pak a shumë Ballkani duhet të ketë disa pjesë të ngjyrimeve amerikane, barazinë ndër etni, liritë fetare, nivelin e lartë të tolerancës, barazinë gjinore dhe avancimin e të drejtave, zhvillimin ekonomikë, krijimin dhe mbështetjen e projekteve që nxisin një shoqëri të tillë. Ato çalojnë edhe atje. Por, është nivel i mjaftueshëm për ne. Mirëqenia rregullon shumë gjëra dhe zgjeron vetëdijet. Kjo e ka ndihmuar Amerikën të bëhet e tillë. Problemet e tjera të përbashkëta në Ballkan janë krimi i organizuar, korrupsioni, administrata e rraskapitur, procedurat e panevojshme, aksidentet dhe çrregullimet ditore që janë si rrjedhojë e tranzicionit. Ballkanasit janë të marr peng nga liderët nacionalist-populist që model qeverisje kanë shantazhet, mafiozllikun, forcën, nepotizmin, kultivimin e një kulture degraduese, anti-vlerat dhe gënjeshtrat e frikën. Ne të gjithë e dimë që këtu ky është sahani. Ata që nuk duan të hanë vuajnë. Fatmirësisht për politikën ka mjaft sahanlëpirës dhe mbijetojnë. Pra një masë njerëzish mbizotëron dhe sundon mbi një masë tjetër duke bërë trysni që ta bindin shoqërinë që pallavrat e tyre janë në rregull. Me probleme të tilla janë vendet e tjera. Kosova dhe Serbia janë zyrtarisht një çështje e hapur. Bosnja dhe Hercegovina është një problem strategjik.
Marrëveshjet politike për zgjidhjen e këtyre problemeve do ta shkarkojnë popullin nga një temë e përsëritur. Luftërat kanë lënë në trashëgimi probleme, të cilat pas luftës, me kalimin e kohës janë trashur dhe rritur për shkak se politika e ka mbajtur problemin pa u përballur me të shkuarën dhe pas largimit të vëmendjes ndërkombëtare gjithçka është kthyer para falimentimit, që nga fondet për mediat e deri tek temat dhe mënyra se si është trajtuar e vërteta. Për të arritur një marrëveshje duhet të luftohet nacionalizmi dhe marrëveshjet politikë shembull Kosovë-Serbi duhet të kenë të saktësuar në detaje çdo lloj marrëdhënie dhe të mos bëhen marrëveshje të cilat nuk e përfundojnë procesin dhe lënë hapësira për interpretime të lira ballkanike. Çdo proces ka nevojë për një trup ndërkombëtarë vëzhguesish mbi implementimin dhe ndalim komentesh e interpretimesh të pa sakta.
Për të arritur paqen dhe marrëveshjet për shumë procese e persona në politikë do të duhet të gëlltitin gjysma e gjërave e gënjeshtrave të tyre dhe të krijohet një hapësirë për shkëmbim intensiv. Nëse kjo nuk ndodh do të kemi problem, ashtu siç i ka lënë Marrëveshja e Dejtonit. Ne i mirëpresim amerikanët pasi kemi qejf ti shohim si shembull shumë shpesh. Kur ndodh diçka e madhe krerët e Amerikës vizitojnë ndonjë vend për të lënë porosinë. Kësaj radhe po fillon me sa duket me vizita të vogla për ta nxitur më vonë debatin. Por, problemi do të jetë si të zgjidhet Kosova pa nxitur Bosnjën dhe si do të jetë e ardhmja? Zgjidhja e këtyre dy problemeve politike bën pjesë edhe në zhvillimet gjeostrategjike e gjeopolitike. Nuk do të jetë e lehtë pasi përveç që Ballkani mund të bëhet pjesë e konfrontimeve Rusi-Amerikë, ndoshta edhe për shkak të çështjes së Ukrainës dhe zgjerimit të aleancës veri-atlantike, puna nuk është kryer pasi forca të zymta e të errëta kanë mbajtur peng ballkanasit për dy dekada duke i bërë të vetëdijshëm që këtë situatë mund ta rregulloj vetëm ndonjë forcë mbi-natyrore. Nuk besoj që ekziston ballkanas thellë në zemër që i beson dikujt këtu dhe ne na duhet një shenjë ose mrekulli që ta kuptojmë se ndoshta edhe po bëhet. Njerëzit nuk kanë faj që nuk besojnë pasi për shumë kohë, siç besojnë shumica: “na ka harruar edhe All-Llahu edhe Amerika”.
Çdo zgjidhje këtu duhet të krijoj perspektivë dhe t’ua mundësoj njerëzve të rriten në normalitet. Tu ndihmohet të gjithëve ta kuptojnë se nuk bëhen Amerikë pa u përfunduar problemet, pasi nuk ka tema të tjera derisa të ketë vetëm nacionalizëm, e kjo do të jetoj derisa të mos ketë zgjidhje. Balkanasit duan një arsye që të besojnë se këtu është toka e premtuar. Kushdo që kërkon zgjidhje duhet të bëj aleancë me qytetarët dhe jo vetëm marrëveshje me politikën. Do të jetë e vështirë por nëse lejohet një këshillë për Amerikën: “Speak softly and carry a big stick”, siç do të thoshte presidenti Roosevelt: “Fol butë dhe mbajë një shkop të madh”.
You must be logged in to post a comment Login