Rasti i dytë apo second hand shop
Shpesh në Ballkan dihet se çfarë do të ndodhë vetëm me nxënësit e shkollave, të cilët progres bëjnë duke kaluar klasat çdo vit. Tranzicioni i pafund dhe politika e oborreve monarkiste të politikës që jeton në flluskë i ka bërë shumë ballkanas që kur bëjnë llogaritjet e tyre jetësore gjithmonë ta mbajnë një në mend – azilin.
Nikolla ma sqaron arsyen e tij, i bindur se asnjë argument pro nuk gjendet më në mendjen e tij, opsion tjetër nuk ekziston, më mirë vonë se kurrë, pas barsoletës se si një serb i mençur flet me një serb budalla nga diaspora me telefon.
Nikolla kishte investuar në rulet të ardhmen e tij në një vizë pune në Berlin, ku do të mundë të punonte. Puna në kryeqytetin e madh të ish-Jugosllavisë nuk i mungonte. Industria e IT teknologjisë çuditërisht ka arritur njërën nga ekspertizat më të mira në Evropë. Shumë kompani të huaja shërbimet i kanë në Beograd, në Novi Sad e në Nish. Një shërbim i shtrenjtë në Evropë, por sado i shtrenjtë në Ballkan, shumë më i lirë për të huajt. Kështu si miku im janë rreshtuar mijëra të rinj serbë, duke zhvilluar një vend pune për veten e tyre. Nikolla është njëri prej tyre.
Në një bisedë para se t’i dorëzonte dokumentet në Universitetin e Beogradit, i ati i Nikollës, një burrë që kishte jetuar e udhëtuar shpesh, i thotë ik dhe studio jashtë e dikur kthehesh. Nikolla, adoleshent, besonte tek revolucioni dhe ideja se duhej qëndruar në Serbi për të pritur një erë demokratike pas regjimit të Sllobodan Milloshevicit, një shpresë që do të vinte me demokratët e rinj në pushtet.
Në kohën kur qindra mijëra të rinj në Ballkan vishnin uniformat e tyre nxitimthi për të luftuar për kombet e tyre, qindra të rinj të tjerë u hidhnin lule tankeve dhe kërkonin liri. Kështu kishte besuar edhe Nikolla, që vendosi dhe kaloi provimin pranues. Vite më vonë, gati në të ’40-at, ishin momentet e fundit të pritjes së një vize. Përgjigja nga ambasada duhej të arrinte ato ditë.
Stresi i çdo ballkanasi janë “sportelet” dhe mundësia e përhershme e shpalljes fajtor për mungesë të një dokumenti. Duke pirë kafen e mëngjesit në një pasdite ende të pangrohur shumë bisedojmë për planet e fundit, çmimet e qirave në Berlin dhe rritjen marramendëse të tyre. Një mik shqiptar atje më thotë t’i them Nikollës se do të jetë e vështirë pasi atë që kërkon ai e kërkojnë një milion të tjerë, të cilët qytetin e ndarë dikur vazhdojnë ta shohin si podiumin e shpresës për të qenë berliner dhe artist, por edhe për t’ia dhënë një shpresë vetes për punë të tjera dhe jetë në qetësi jashtë orarit të zyrave të kompanisë së IT-së. Nikolla priste vizën së pari dhe për të tjerat nuk i bëhej vonë. I frustruar do të jetonte kudo.
Bashkë me gruan e tij të tre largohemi në drejtime të kundërta. Orë më vonë më bie telefoni dhe mikja ime më thotë se duhet t’i ketë sjellë fat biseda pasi viza arriti. Urimet e fundit ia çuam të gjithë. Të falat na i bëri edhe pasi iku në Berlin. Prej asaj kohe më nuk e kam parë Nikollën. Por e di që ka gjetur shtëpi dhe vështirë se do të kthehet një ditë.
Në tavolinë, duke mbytur bishtat e duhanit, Nikolla ma sqaroi se atëherë besonte, por më jo. Të dy me punë dhe të dy u larguan. Nuk qëndruan t’i presin dritat e vitit të ri të vendosura në tetor.
Kjo ishte përcjellja e radhës e miqve nga Ballkani, që më nuk do të jetojnë në këto hapësira.
Këtu m’u kujtua një thënie e kryeredaktorit të gazetës “Danas” të Beogradit, i cili thoshte se ëndrra e çdo serbi është të ketë pasaportë siriane dhe të kërkojë azil në Gjermani. Thonë se në botë ekzistojnë vetëm 50 barsoleta dhe të tjerat janë variacione të së njëjtës temë.
Në Ballkan për shumicën e shteteve dhe të kombeve shpresa vdes e fundit. Një pjesë besojnë se kombi tjetër është më i kamur apo më i varfër se një popull tjetër. Besojnë se në këtë rrafsh dinë më mirë, janë më të aftë në sport, më të mprehtë në politikë e kanë urën më të vjetër, më të madhe dhe më historike në Ballkan, apo shkollën e parë e televizorin e parë në fshat. I dyti nuk bën të jesh.
E shkuara tragjike e grupeve të ndryshme sociale, që në një vështrim më të gjerë përbëjnë kombet e Ballkanit, i ka bërë kombet të mos kenë besim tek njëra-tjetra. Kjo e shkuar i ka bërë shtetet që qytetarët të mos kenë besim tek baballarët e tyre. Të shkretët gjithmonë në fund e hanë!
Vitin e nisa duke numëruar ikjet, ikjet nga Kosova të disa miqve, kërkesat e disa të tjerëve për të ikur. Në politikën e Kosovës dhe të Serbisë viti nisi me trenin historik dhe me murin. E më pas më problemet e shumta të Kosovës dhe paaftësisë politike për ta hapur të paktën një dritare të vogël në tymin e thukët të izolimit të vetëm evropian. Çajtoret politike të Ballkanit u kanë dhënë shumë raste shprese njerëzve të tyre për një rast të dytë në jetë, për një rast të dytë në politikë, për një rast të dytë në shoqëri. Në vendet normale, pas burgut dhe vuajtjeve, edhe kriminelët kanë program resocializues në shoqëri.
Politika ballkanike e ktheu sërish këtë pjesë në një fushëbetejë të rritjeve së garuesve nacionalistë, që natyrisht gjithçka e sqarojnë me kombin dhe me fajin e tjetrit. Për “greater good” çdo banor i Ballkanit të paktën një herë ka rënë viktimë.
Në Shkup shpartallueshëm do të bëhej qeveria. Një miku im maqedonas më ftonte për darkë një natë në njërën nga kafenetë e bukura shkupjane në pjesën maqedonase.
Duke pritur elitën politike në të ftohtit e paharrueshëm të Maqedonisë në çdo aspekt, në shkallët e lagura të “Vila Vojnos”, tek presidenti Ivanov një grumbull gazetarësh, që për fat kishin nisur t’i mbanin mikrofonat për pyetje pa përgjigje, e mendoja sa njësoj dukej gjithandej. Nga kasabaja politike e kohës gjithçka dukej si një vendim tejet i rëndësishëm për qytetarët e një shteti me qendër të zbukuruar dhe me periferi të shkatërruar.
Risteski ma sqaron Maqedoninë me një anekdotë: E bija e tij leksionin e parë që duhej mësuar në rrugën e pavarësimit si njeri në shkollë është të shkojë në tualetet e saj me një mike. Arsyeja është e thjeshtë, shkolla e tyre në kryeqytet banjat nuk i ka me guaskë. Risteski thotë se ideja është të mos bjerë në gropë. Më vonë më fton, duke insistuar për të ma sqaruar një medalje krejt tjetër të maqedonasve të zemëruar, më thotë të shkoj në panairin për studentë, ku menaxherë nga Gjermania e vendet tjera kanë ardhur ta rekrutojnë të ardhmen e këtij vendi për punë në “McDonalds”. Kandidatë shqiptarë e maqedonas, mbi 500.
Duke shkruar këtë tekst bisedoj në telefon me një kolege nga Sarajeva, e cila pas rikthimit në Bosnjë në shkurt sërish do të kthehet në Australi. Një vit më parë, teksa po bëja një reportazh me një taksist rrugëve të Sarajevës, të qytetit të ndarë nëpër kantone, ku taksistët nga një lagje në tjetrën nuk janë të lejuar t’i kalojnë vijat kufitare të politikës etnike. As taksistët serbë nuk shkojnë dot në aeroport e as ata myslimanë nuk shkojnë dot në qendrën e skijimit në Jahorinë. Kjo i bie në kosovarçe sikur taksisti të mos mund t’i çojë turistët nga qendra e Prishtinës tek parku Gërmia pasi kalon kufijtë. Dënimi për këtë është 150 marka konvertibile apo 75 euro.
Taksisti më thotë se jetohet mirë pasi gjithmonë mund të blesh gjëra dytësore, pavarësisht se rrallë ato që vërtet i ke merak.
Mijëra mjekë (vetëm nga Serbia 2000) e kanë zgjedhur mantelin e bardhë me ngjyrat e Gjermanisë. Në kurset e gjuhës në Ballkan punë më së shumti kanë mësuesit e kësaj gjuhe.
Pak javë më parë flas me një mike në Kosovë, që me Fakultetin e Mjekësisë do të punojë si infermiere në Gjermani.
Kosova është ishulli i izoluar i Evropës, ku qytetarët padrejtësisht për shkak të mosvotimit të një marrëveshjeje janë të dënuar nga Bashkimi Evropian si kritikë ndaj qeverisjes dhe opozitës.
Një radhë problem u patë bërë edhe Shqipëria si vend nga ku vijnë azilantët. Shqipëria shpesh ngjan si një xhind i lidhur nga mijëra fije konopësh, pavarësisht pushteteve.
Bashkimi Evropian i ka konsideruar vendet e Ballkanit si vende të sigurta. Sigurinë ua ka ofruar duke mbështetur individualisht politikat reformuese të qeverive dhe duke zhvilluar takime me ta me shpresën e lëvizjeve të vogla drejt progresit dhe duke zgjedhur stabilitetin në vend të jetës së vërtetë në Ballkan. Nuk është çudi që për zgjidhjen dhe shpresën e vetme të këtyre shteteve shumë banorë të Ballkanit besëtytënisht binden se momenti që vendet e ngelura jashtë do të arrijnë në prag të Brukselit Evropa nuk do të jetë më.
Politika e logjikës së uritur “a ban pak ma lirë?” dhe e komprometimit beson se kështu është mirë. Çdo qeveri kryesisht beson se populli s’vlen dhe kot ankohet. Në flluskën e tyre sikur kërkojnë një popull më të mirë. Bashkë me ta karvanë militantësh i ndjekin mbrapa pa kompromis në ceremoninë e stërzgjatur të varrimit të Ballkanit. Një pjesë besojnë se nëse kanë plotësuar kushtet për kredi gjithçka është mirë. Asnjëri nga udhëheqësit e Ballkanit pas përfundimit të mandatit nuk mund të shkojnë në ture për fjalime motivuese. Dikur politika ka qenë ide shoqërore dhe lëvizje. Tani ajo është ide populiste për “like” në “Facebook”. Ashtu si në dyqan blejnë më të lirën, edhe në farmaci marrin “zëvendësim”, ballkanasit edhe kur vjen dikush i ri në politikë disi gjithmonë “digjen”.
Tani më ballkanasit nuk ikin prej njëri-tjetrit si refugjatë lufte.
Ashtu si Nikolla, shumë kanë besuar që pas shiut sërish do të lindë diell. Por, ende në rrebesh e stuhi të shumë të panjohurave në jetë shumë shpresojnë vetëm për një biletë.
(Autori është korrespondent në Beograd. Ky tekst është shkruar enkas për gazetën “Zëri”)
You must be logged in to post a comment Login