Eu! Sa ka degraduar shkolla!?. Sa ka degraduar arsimi!?. Sa ka degraduar njeriu i arsimuar!?Mozomakeq!
Se është devalvuar shkolla dhe arsimimi, kjo nuk do diskutim.
Aq studentë, e aq të diplomuar na shëtisin rrugëve, dhe presin radhë për t’u punësuar, sa që vështirë e kemi t’i radhisim nëpër vende të punës.
Kanë ndryshuar kohët, e me të, edhe teknologjia e mentaliteti.
Para 50 viteve, kur në një fshat ose në një regjion gjendej një i arsimuar, krijohej bindja, që ai fshat a ai regjion është i shkolluar dhe i arsimuar.
Sot, kur nuk ka shtëpi, e nuk ka familje, që nuk ka së paku një të arsimuar me shkollë të lartë, dhe kur teknologjia ka arritur kulmin, injoranca dhe injorantët na rrethojnë kudo e kahdo.
Dhe, kjo injorancë e këta injorantë s’kanë të ndalur.
Për ta, gjithçka është e hidhët…
Sikur nuk duan ta pranojnë, që, botërisht dihet, por nuk thuhet, që:
Këta injorantë kanë provuar… mbase nuk kanë mundur të regjistrohen. ose, që,
Kanë provuar… janë regjistruar nëpër shkolla të larta, por ama, kurrë nuk e kanë përfunduar atë shkollim të lartë.
E kush ka faj?
Rrushi që është lart në pjergull a dhelpra që s’e arrin dot?..
Po harrojnë arsyetimin e tyre injorant: “nuk më vyen diplomë… shkolla nuk më bën njeri”.
Dhe, tani, thua se, atyre injorantëve të paarsimuar e të pa diplomë të shkollës së lartë, (që, “nuk u vyen diplomë… e… shkolla nuk i bën njerëz”) të arsimuarit me shkolla të larta e me diplomë u kanë faj….
Dhe i ngasin me fjalët:
Hë, mor, po ç’ke ti?
Çka se je i shkolluar?
Çka se ke diplomë?
Shkolla do të bëjë njeri?..
E të shkolluarit e të arsimuarit janë të vetëdijshëm, që shkolla, u jep një diplomë.
U jep një çelës.
Detyrë e tyre është të dinë të përdorin çelësin për të hapur dyer e për të mbushur hapësirat dhe për të ndriçuar ato!
Po, pra. ata, vetë, duhet ta bëjnë këtë!
“Shkolla nuk të bën njeri!”
Dakord.
Plotësisht e drejt.
Por ama:
Shkolla të bën më të informuar.
Dhe, kjo ka rëndësi.
Injorantët e dështuar, që nuk kanë mundur të kryejnë ndonjë shkollë të lartë, dalin e flasin:
Sesi qenka lehtë të kryhet një shkollë e lartë.
Sesi shkollat e larta po kryekan brenda natës. e,
Sesi po shiten diploma si nëpër qoshqe.. etj. etj..
E për çudinë e të gjithëve, e edhe të vetë injorantëve, ata, do të thotë, injorantët, që po e ditkan dhe paskan “informacion” për këtë “mundësi të lehtë” të shkollimit, edhe përkrah këtyre “mundësive” na paskan mbetur pa diplomë të shkollës së lartë… çudi!..
Çudi!
Mundësia na qenka, e këta injorantë, në vend që të shfrytëzojnë këtë “mundësi” dalin e na shesin gogla për dushk. Dhe, ironia për të qenë më e madhe, harrojnë, që së paku një nga anëtarët e familjes së tyre, e kanë me diplomë të shkollës së lartë.
A thua, ai anëtar i familjes së tyre, që e ka një diplomë të shkollës së lartë, si i paska përfunduar studimet?!.
A e mendojnë këta injorantë, që, duke përfolur “blerjen” e diplomave, shkelin edhe mbi dinjitetin e fëmijëve ose të anëtarëve të tjerë të familjes së tyre, që aq me mund kanë arritur deri te një diplomë?
Apo, janë aq të “drejt” dhe aq të sigurt në “informacionet” që i marrin me bollëk, sa që nuk i bën veshi “tërrrrr” të flasin e përflasin…
Dhe, pse të mos urohen këta injorantë:
U lumtë për konstatimet e tyre “të drejta!”
U lumtë!
E tani s’i t’i ik asaj kohe të fëmijërisë sime kur, prindërit për të na motivuar për jetë, na thoshin:
“Mëso, se mbetesh kozar! (bari dhish)…
…dhe, ne si fëmijë që ishim, nuk e kuptonim, që, të ruash dhitë, do të thotë të ruash mallin. Të shtosh bereqetin. Do të thotë të mbash gjallë një familje. Do të thotë të bësh një jetë njeriu. Si fëmijë që ishim, nuk e kuptonim dot, se edhe ruajtja e dhive ishte punë e ndershme, prandaj, edhe nuk e donim atë profesion. Na dukej një profesion nënçmues… denigrues… Kozar më…
O Zot!
Por, ama, sot, kanë ndryshuar raportet shoqërore.
Tani më nuk jemi në atë etapë kohore, kur prindërit i motivonin fëmijët e tyre me atë frazë. Sepse, as dhi më nuk po shohim rrugëve. Dhitë janë pakësuar aq shumë, sa që një ditë, do t’i shohim vetëm nëpër kopshte zoologjike.
Tani, mbase më e drejt do të ishte, që, prindërit t’i motivonin fëmijët për të mësuar me këtë frazë: “Mëso, se, bëhesh kryetar!”
?!.
Kryetar më…
Eu!
Sa ka degraduar shkolla!?.
Sa ka degraduar arsimi!?.
Sa ka degraduar njeriu i arsimuar!?.
Mozomakeq!
You must be logged in to post a comment Login