Connect with us

Përshëndetje, çka po kërkoni?

siAGORA NetworksiAGORA Network

Opinione

Lugina e Preshevës, temë tabu dhe e demonizuar për politikanët kosovarë

Për shqiptarët e Luginës së Preshevës ishte një shpresë e ringjallur kur Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Thaçi zyrtarizoi idenë se Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës. Dhe u shpresua se këtë ide Presidenti do ta shtronte në tavolinën e bisedimeve në këtë proces të dialogimit, që marrëveshja eventuale e normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi do t’i jepte të drejtë Luginës së Preshevës t’i bashkohet Kosovës.

SHBA-ja duke marrë veprime konkrete, po këmbëngul që ky proces të përfundoj duke i dhënë fund një periudhe mbi 20 vjeçare të përpjekjeve për të konsoliduar shtet formimin e Kosovës si dhe një periudhë mbi 9 vjeçare të dialogimit. Thjesht, Kosova më nuk është në top prioritetet e SHBA-së, prandaj edhe bëhen përpjekjet për të përmbyllur këtë proces.

BE, duke ndjekur një politikë “tërhiq e mos këput” ka një përgjegjësi për tërë këtë situatë të krijuar si rezultat i një menaxhimi jo adekuat (fjalën e kam për BE dhe jo për shtetet veç e veç). Sido qoftë kemi një rezolutë të Serbisë të sponsorizuar nga BE dhe të miratuar nga AP e OKB-së e cila i jep rolin kryesor BE-së për ndërmjetësim të dialogut dhe se këtij dialogu po i vie fundi.

Serbia edhe zyrtarisht ka përshëndetur angazhimin e Amerikës në ndërmjetësimin e dialogut, por ka thënë se dëshiron që dialogu të zhvillohet nën përkujdesjen e BE. Diçka të tillë sikur e kemi dëgjuar edhe zyrtarisht nga shteti i Kosovës, deklarimi i një (ish) kryeministri i cili në bisedë telefonike me presidentin francez, Macron thotë: “Efektiviteti i dialogut varet nga pjesëmarrja e Evropës. Evropa nuk mund të zëvendësohet nga ndonjë kontinent tjetër, dhe as Franca nga ndonjë shtet tjetër. Evropa është edhe mjedisi edhe perspektiva e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Dialogu gjithsesi do të ketë një fund dhe sigurisht se do të ketë edhe një marrëveshje, jo pse BE, si ndërmjetësues kryesor ka një qasje serioze, por për shkak se SHBA është mjaftë e vendosur që të përfundoj ky proces (pa dashur të parashtroj paragjykime të rivalitetit). Por fundi i dialogut dhe arritja e një marrëveshje eventuale, si duket nuk do të jetë edhe zgjidhja e problemeve të shqiptarëve.

Për shqiptarët e Luginës së Preshevës ishte një shpresë e ringjallur kur Presidenti i Republikës së Kosovës zyrtarizoi idenë se Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës.

Por kjo ide që ishte vazhdimësi e idesë së brezave para nesh, që ishte ideali i atij numri të madh të djemve e vajzave të Luginës së Preshevës që u burgosën për Kosovën Republikë, që ishte sakrifica e atyre qindra djemve e vajzave luftëtare të UÇK-së nga Lugina e Preshevës, që ishte edhe amaneti i atyre dhjetëra dëshmorëve të rënë në luftën e UCPMB-së (33.3% nga qytetet kosovare), të gjitha këto për çlirim dhe bashkim, u shkelën dhe u përdhosën nga politikanë kosovarë të cilët u ngritën peshë kundër idesë së ripërsëritur nga Presidenti i vendit, z. Hashim Thaci, i cili zyrtarizoi idenë si domosdoshmëri për bashkimin e Luginës së Preshevës më Kosovë.

Tani në vend se të kemi një mobilizim si brenda politikës kosovare ashtu edhe në politikën e jashtme, liderët politikë ngritën kundër kësaj duke e demonizuar këtë ide dhe paraqiten si engjëj të mbrojtjes territoriale të Kosovës. Pra mbrojtës së kufirit aktual që ka Kosova, ndërsa bashkimin e Luginës së Preshevë e bënë temë tabu. Shumica prej tyre me gojën plotë luftojnë për Leposaviqin e në mënyrën më perfide injorojnë Preshevën.

Mashtrim dhe idiotësi e llojit të veçantë. Kosova ndryshoi vijën kufitare me Maqedoninë e Veriut, ndryshoi vijën e kufirit me Malin e Zi dhe gjithsesi se do ta ndryshoj edhe me Serbinë. Ku mbeten këta politikanë që nuk e mbrojtën tërësinë territorial të Kosovës. Nuk do ta mbrojnë as në rastin e demarkimit me Serbinë, veçse do të jenë të papërgatitur dhe do të lëshojnë rastin historik të përmirësimit të gabimeve dhe padrejtësive që iu bënë shqiptarëve e në veçanti shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Pse duhet që marrëveshja përfundimtare e dialogut Kosovë – Serbi të përfshijë bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovë.

E para, Serbia asnjëherë në historinë e saj të shtetësisë nuk i ka trajtuar shqiptarët e Luginës së Preshevës si qytetarë të barabartë, me të drejtat dhe përgjegjësitë që i kanë edhe qytetarët serb. Shqiptarët janë privuar nga e drejta e përdorimit të simboleve kombëtare, nga e drejta e kritereve të barabarta për punësim, nga e drejta e shkollimit universitar në gjuhën amtare, nga e drejta e kujdesit shëndetësor, e drejta e informimit, e drejta e zhvillimit ekonomik ……. Shqiptarët përherë janë vlerësuar si fajtor kujdestar të të gjitha ngjarjeve, janë malltretuar, dënuar, ndjekur politikisht burgosur dhe vrarë. Shqiptarët nuk kanë perspektivë në kuadër të shtetit Serb, nuk kanë siguri dhe nuk gëzojnë të drejtat e barabarta.

Po ashtu, edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, për shkak të diskriminimit të vazhdueshëm, asnjëherë nuk e kanë njohur dhe nuk e pranuan Serbinë për shtetin e tyre, vepruan dhe kërkuan të drejtat e tyre politike, ekonomike, arsimore dhe historike deri në vetëvendosje dhe bashkim kombëtar.

E dyta, Serbia vazhdon me politikën diskriminuese dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë hapësirë veprimi. E ngufatur nga urrejtja dhe hegjemonizmi serb, e mbyllur më kufirin e Maqedonisë, e mbyllur me kufirin e Kosovës, shqiptarët janë duke jetuar në një geto që vazhdimisht u sjellin vështirësi jo vetëm ekonomike dhe të lëvizjes së lirë por edhe pasiguri të vazhdueshme. Serbia vazhdon t’i shpërngul shqiptarët, pastaj ua pasivizon adresat dhe i çregjistron nga libri amë.

Ndërsa masat e reciprocitetit që Kosova pa menduar mirë i merr ndaj shtetasve të Serbisë, ato kryesisht godasin shqiptarët e Luginës së Preshevës.

E treta, shqiptarët e Luginës së Preshevës ishin kontribuues të mëdhenj në të gjitha proceset që Kosova i kaloi për çlirim (edhe nga pushtuesi serb). Kronologjikisht të evidentuar që nga Lidhja e Prizrenit, Kryengritja e madhe kundër Perandorisë Osmane, pavarësisë së Shqipërisë londineze, luftës kaçake kundër mbretërisë serbo-kroate-sllovene, luftës kundër çetnikëve serb, organizimit politik ilegal dhe legal pas LDB-së, luftës së UÇK-së dhe së fundi edhe luftës së UÇPMB-së u përpoqën dhe luftuan për liri dhe bashkim kombëtar.

Pushteti serb nuk i ndau shqiptarët në kosovarë dhe ata jokosovarë. Shqiptarët i thirrën “šiptari” dhe i trajtoi njëjtë, ashtu sikurse edhe shqiptarët njëjtë iu përgjigjen sepse këtë ua mundësoi tërësia e pandarë gjeografike dhe demografike e popullit shqiptar. Pra ishte një luftë e përbashkët politike dhe ushtarake për çlirim dhe bashkim.

E katërta, bashkimi i Luginës së Preshevës me një marrëveshje të shkëmbimit territorial. Nëse flasim për veriun e Kosovës, me enklavën e krijuar të komunitetit serb, që ashtu kështu udhëhiqet dhe orkestrohet nga Beogradi, dhe assesi nuk iu nënshtrua juridiksionit Kosovar, bile përkundrazi, mospërfillë vazhdueshëm shtetësinë e Kosovës dhe fuqizon vazhdueshëm organizimin ilegal paralel.

Në anën tjetër, Kosova ka krijuar buxhet të veçantë për veriun e Kosovës, mbulon shpenzimet enorme të tyre nga buxheti i konsoliduar si dhe nuk po mundet të ndal organizimin paralel dhe ndikimin politik e juridik të Beogradit.. Thjeshtë e kuptueshme, veriu i Kosovës nuk menaxhohet nga Prishtina por nga Beogradi. Atëherë nëse ofrohet mundësia e shkëmbimit territorial, pse të mos ndodhë?! Shkëputje e veriut të Kosovës gjithsesi pastaj do të dobësoj fuqinë politike të komunitetit serb në brendi të Kosovës dhe ndoshta do të jetë një argument që Serbia nuk do të pranoj diçka të tillë, por politikanët kosovarë gjithsesi duhet ta dinë se Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës, qoftë edhe me shkëmbim territorial.

Shkrim i korrigjuar, 14.09.2020

(Autori është i burgosur politik, drejtues lokal i ish UÇK-së, nënkryetar dhe zëdhënës i ish Këshillit Politik për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc)