Connect with us

Përshëndetje, çka po kërkoni?

siAGORA NetworksiAGORA Network

Lugina-RKS

Dialogu Kosovë Serbi, normalizimi i raporteve dhe Lugina e Preshevës

Në krejt këtë proces  Lugina e Preshevës mbeti e pa përfshirë, ndërsa vet Lugina mbeti e heshtur pa një vullnet dhe gatishmëri të veprimit reciprok me serbët në Kosovë.  Thirrjet e shumë veprimtarëve dhe akterëve politik për veprime reciproke mbetën të pa dëgjuara. Nuk u dëgjua nga delegacioni i Kosovës për ta shtruar në tavolinën e bisedimeve, qoftë kjo nga mosgatishmëria apo pafuqia politike. Nuk u dëgjua edhe nga vet politikanët shqiptarë të Luginës së Preshevës qoftë nga mosgatishmëria e përballjes me sfidat e mundshme si pasojë apo qoftë nga lojaliteti i tyre ndaj politikës së pushtetit serb. Shqiptarët e Luginës së Preshevës mbeten jashtë tavolinës së bisedimeve dhe të ngufatur me problemet e tyre politike e të sigurisë.

Shkruan: Shaqir Shaqiri

Mendimi rekomandues dhe këshillëdhënës i GJDN të datës 22 korrik 2010, se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare,  nuk ka shkelur as rezolutën 1244  si dhe nuk e ka shkelur as kornizën kushtetuese të UNMIK, e vënë Serbinë para një akti të kryer, e cila nis procese të reja, duke dashur të paraqitet si faktor stabiliteti e paqeje në Ballkan dhe Evropë …..

Në shtator të vitit 2010, Serbia i ka paraqitur për miratim Asamblesë së Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara projekt-rezolutën për Kosovën, rezolutë e bashkë sponsorizuar nga Bashkimi Evropian, dhe e cila mbështet rolin kryesor të BE në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë – Serbi.

Pas miratimit të kësaj Rezolute,  në marsin e vitit 2011 dhe me ndërmjetësimin kryesor të BE filloi dialogu Kosovë – Serbi, fillimisht si dialog teknik dhe pastaj nga tetori i vitit 2012 do të vazhdojë  si dialog politik ose dialog për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë Serbi.

Qysh në fillim të këtij procesi, Serbia ishte më e avancuar dhe Serbisë iu bënë më shumë favore.  Ajo u shpërblye me dhënien e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE ndërsa Kosovës iu premtua studimi i fizibilitetit. Por edhe në dialog, qoftë atë teknik apo më vonë atë politik, Serbia kishte një pozicionim më të fuqishëm politik se sa që kishte Kosova. Tek delegacioni i Kosovës qëndronte një përgjegjësi e madhe që në këtë proces të trajtonte problemet me të cilat ballafaqohej Kosova e që në fakt shkaktoheshin nga Serbia, ndërsa Serbia duke e ditur që Kosovën de facto e kishte të humbur, kërkonte kompromise dhe jepte ide të ndryshme për zgjidhjen siç e quante Serbia, të problemit “serbo-shqiptar”. Ajo e thonte hapur, duhet të bëhet marrëveshje Tiran – Beograd për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Kjo tërësisht e papranueshme  por ajo bënte edhe lojëra të tilla politike duke e shpërfaqur hapur qëndrimin  e saj destruktiv sepse një qëndrim i tillë ishte në kundërshtim edhe me Rezolutën që vet Serbia e kishte paraqitur për miratim në  AP të OKB-së.

Ndërsa në krejt këtë proces, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, ndëkombëtarisht të njohura si Lugina e Preshevës mbeti e pa përfshirë, ndërsa vet Lugina mbeti e heshtur pa një vullnet dhe gatishmëri të veprimit reciprok me serbët në Kosovë.  Thirrjet e shumë veprimtarëve dhe akterëvepolitik për veprime reciproke mbetën të pa dëgjuara. Nuk u dëgjua nga delegacioni i Kosovës për ta shtruar në tavolinën e bisedimeve, qoftë kjo nga mosgatishmëria apo pafuqia politike. Nuk u dëgjua edhe nga vet politikanët shqiptarë të Luginës së Preshevës qoftë nga mosgatishmëria e përballjes me sfidat e mundshme si pasojë apo qoftë nga lojaliteti i tyre ndaj politikës sëpushtetit serb. Shqiptarët e Luginës së Preshevës mbeten jashtë tavolinës së bisedimeve dhe të ngufatur me problemet e tyre politike e të sigurisë.

SHBA-ja duke marrë veprime konkrete këmbëngul që ky proces të përfundoj duke i dhënë fund një periudhe mbi 20 vjeçare të përpjekjeve për të konsoliduar shtet formimin e Kosovës si dhe një periudhë mbi 9 vjeçare të dialogimit.  Thjesht, Kosova më nuk është në top prioritetet e SHBA-së, prandaj edhe bëhen përpjekjet për të përmbyllur këtë proces.

BE, duke ndjekur një politikë “tërhiq e mos këput” ka një përgjegjësi për tërë këtë situatë të krijuar si rezultat i një menaxhimi jo adekuat (fjalën e kam për BE dhe jo për shtetet veç e veç). Sido qoftë kemi një rezolutë të Serbisë të sponsorizuar nga BE dhe të miratuar nga AP e OKB-së e cila i jep rolin kryesor BE-së për ndërmjetësim të dialogut dhe se këtij dialogu po ivie fundi.

Serbia edhe zyrtarisht ka përshëndetur angazhimin e Amerikës në ndërmjetësimin e dialogut, por ka thënë se dëshiron që dialogu të zhvillohet nën përkujdesjen e BE[1]. Diçka të tillë sikur e kemi dëgjuar edhe zyrtarisht nga shteti i Kosovës,  deklarimi i një (ish) kryeministri i cili në bisedë telefonike me presidentin francez, Macron thotë: “Efektiviteti i dialogut varet nga pjesëmarrja e Evropës. Evropa nuk mund të zëvendësohet nga ndonjë kontinent tjetër, dhe as Franca nga ndonjë shtet tjetër. Evropa është edhe mjedisi edhe perspektiva e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”[2].

Dialogu gjithsesi do të ketë një fund dhe sigurisht se do të ketë edhe një marrëveshje, jo pse BE, si ndërmjetësues kryesor ka një qasje serioze,  por për shkak se SHBA është mjaftë e vendosur që të përfundoj ky proces (pa dashur të parashtroj paragjykime të rivalitetit). Por fundi i dialogut dhe arritja e  një marrëveshje eventuale,  si duket nuk do të jetë edhe zgjidhja e problemeve të shqiptarëve. Lugina e Preshevës nuk do të jetë e përfshirë, kjo si rezultat i qasjes joadekuate të Prishtinës si dhe heshtjes mortore të politikës preshevare.  As edhe një argument shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk e ndërkombëtarizuan, për të dëshmuar se Serbia nuk është shtet që i trajton barabarsisht shqiptarët njëjtë sikurse serbët. Deri sa komuniteti serb në Kosovë ka të drejtat me të mëdha se që mund ti ketë një pakicë në cilindo shtet demokratik perëndimor, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të privuar nga gjërat elementare të të drejtave të tyre. Por të gjitha këto janë heshtur ose janë bërë përpjekje të dështuara  të sensibilizimit të tyre. Në këtë çështje, vet Lugina e Preshevës mbeti politikisht e fragmentarizuar dhe si e tillë asnjëherë nuk tregoi një fuqi politike, për të dëshmuar para botës së shqiptarët nuk kanë perspektivë në shtetin e Serbisë, e cila ndjek diskursin politik diskriminues ndaj tyre. Sot, Lugina e Preshevës nuk e ka asnjë argument (pos të drejtës historike-që për botën është jovalide)  që të dëshmojë se duhet të shkëputet nga Serbia.

Tani, nëse Serbia me këtë marrëveshje pranon edhe juridikisht që Kosova nuk është më pjesë e saj, cila do të ishte arsyeja që të hiqte dorë edhe nga Lugina e Preshevës? Nëse Serbia bënë përpjekje që në këtë marrëveshje të “rrëmbej” sa më shumë territore nga tërësia territoriale e Kosovës së sotme administrative, si do ta shpjegonin se ajo është e gatshme të jap Luginën e Preshevës?

A mos është si zgjidhje shkëmbimi territorial dhe cilat territore do të shkëmbeheshin? Çfarë do të fitonte Serbia me Leposaviqin, Zubin Potoku dhe Zveçanin me 991 km 2 nëse do të jepte Luginën e Preshevës  me 1200 km 2 ?    Por një projekt  i detajuar mirë, në njëfarë mënyre i baraspeshuar dhe që do të pajtonte dy palët, gjithsesi se mund të ndodh. Kjo varet nga vullneti i mirë  dypalësh

Vetëm një marrëveshje e vullnetit të mirë mes dy palësh (Kosovë – Serbi) mund të bëjë të mundur bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovë.  Kjo mund të arrihet përmes demarkimit të kufirit, ashtu siç u bë mes Kosovës dhe Maqedoninë e Veriut,i përfunduar më 17 Tetor 2009, demarkimii kufirit me Malin e Zi,  marrëveshje e arritur në gusht 2015 ndërsa e ratifikuar  me 21 mars 2018. Edhe me Serbinë ka për të ndodhur demarkimii kufirit, sepse nuk mund të ketë marrëveshje  pa përcaktim  ose edhe ripërcakjtim të vijave kufitare. Prandaj pala kosovare duhet të jetë e përgatitur dhe me këtë demarkim të bëjë edhe korrigjimin e kufirit, duke e lëvizur kufirin në drejtim të Ristovcit,vizaviLanikut. Përfshirja e Luginës së Preshevës brenda kufijve shtetërorë të Kosovës, është çështje që i obligon të gjithë.

Por ideja e brezave para nesh, ideali i atij numri të madh të djemve e vajzave të Luginës së Preshevës, që u burgosën për Kosovën Republikë, sakrifica e atyre qindra djemve e vajzave luftëtare të UCK-së nga Lugina e Preshevës, dhe amaneti i atyre dhjetëra dëshmorëve të rënë në luftën e UCPMB-së (33.3% nga qytetet kosovare), të gjitha këto për çlirim dhe bashkim, u shkelën dhe u përdhosën nga politikanë kosovarë të cilët u ngritën peshë kundër idesë së ripërsëritur nga Presidenti i vendit, z. HashimThaci, i cili zyrtarizoi idenë si domosdoshmëri për bashkimin e Luginës së Preshevës më Kosovë.

Tani në vend se të kemi një mobilizim si brenda politikës kosovare ashtu edhe në politikën e jashtme, liderët politikë ngritën kundër kësaj ideje dhe paraqiten si engjëj të mbrojtjes territoriale të Kosovës. Pra mbrojtës së kufirit aktual që ka Kosova. Mashtrim dhe idiotësi e llojit të veçantë. Kosova ndryshoi vijën kufitare me Maqedoninë e Veriut, ndryshoi vijën e kufirit me Malin e Zi dhe gjithsesi  se do ta ndryshoj edhe me Serbinë. Ku mbeten këta politikanë që nuk e mbrojtën tërësinë territorial të Kosovës. Nuk do ta mbrojnë as në rastin e demarkimit me Serbinë, veçse do të jenë të papërgatitur dhe do të lëshojnë rastin historik të përmirësimit të gabimeve dhe padrejtësive që iu bënë shqiptarëve e në veçanti shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Pse duhet që marrëveshja përfundimtare e dialogut Kosovë – Serbi të përfshijë bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovë.

E para, Serbia asnjëherë në historinë e saj të shtetësisë nuk i ka trajtuar shqiptarët e Luginës së Preshevës si qytetarë të barabartë, me të drejtat dhe përgjegjësitë që i kanë edhe qytetarët serb. Shqiptarët janë privuar nga e drejta e përdorimit të simboleve kombëtare, nga e drejta e kritereve të barabarta për punësim, nga e drejta e shkollimit universitar në gjuhën amtare, nga e drejta e kujdesit shëndetësor, e drejta e informimit, e drejta e zhvillimit ekonomik ……. Shqiptarët përherë janë vlerësuar si fajtor kujdestar të të gjitha ngjarjeve, janë malltretuar, dënuar, ndjekur politikisht burgosur dhe vrarë. Shqiptarët  nuk kanë perspektivë në kuadër të shtetit Serb, nuk kanë siguri dhe nuk gëzojnë të drejtat e barabarta.

Po ashtu, edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, për shkak të diskriminimit të vazhdueshëm, asnjëherë nuk e kanë njohur dhe nuk e pranuan Serbinë për shtetin e tyre, vepruan dhe kërkuan të drejtat e tyre  politike, ekonomike, arsimore dhe historike deri në vetëvendosje dhe bashkim kombëtar.

E dyta, Serbia vazhdon me politikën diskriminuese dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë hapësirë veprimi. E ngufatur nga urrejtja dhe hegjemonizmi serb, e mbyllur më kufirin e Maqedonisë, e mbyllur me kufirin e Kosovës, shqiptarët janë duke jetuar në një geto që vazhdimisht u sjellin vështirësi jo vetëm ekonomike dhe të lëvizjes së lirë por edhe pasiguri të vazhdueshme. Serbia vazhdon t’i shpërngul shqiptarët, pastaj ua pasivizon adresat dhe i çregjistron nga libri amë.

Ndërsa masat e reciprocitetit që Kosova pa menduar mirë i merr ndaj shtetasve të Serbisë, ato kryesisht godasin shqiptarët e Luginës së Preshevës.

E treta, shqiptarët e Luginës së Preshevës ishin kontribuues të  mëdhenj në të gjitha proceset që Kosova i kaloi për çlirim(edhe nga pushtuesi serb). Kronologjikisht  të evidentuar që nga  Lidhja e Prizrenit, Kryengritja e madhe kundër Perandorisë Osmane, pavarësisë së Shqipërisë londineze, luftës kaçake kundër mbretërisë serbo-kroate-sllovene, luftës kundër çetnikëve serb, organizimit politik ilegal dhe legal pas LDB-së, luftës së UÇK-së dhe së fundi edhe luftës së UÇPMB-së u përpoqën dhe luftuan për liri dhe bashkim kombëtar.

Pushteti serb nuk i ndau shqiptarët në kosovarë dhe ata jokosovarë. Shqiptarët i thirrën “šiptari” dhe i trajtoi njëjtë, ashtu sikurse edhe shqiptarët njëjtë iu përgjigjen sepse këtë ua mundësoi tërësia e pandarë gjeografike dhe demografike e popullit shqiptar. Pra ishte një luftë e përbashkët politike dhe ushtarake për çlirim dhe bashkim.

E katërta, bashkimi i Luginës së Preshevës me një marrëveshje të shkëmbimit territorial. Nëse flasim për veriun e Kosovës, me enklavën e krijuar të komunitetit serb, që ashtu kështu udhëhiqet dhe orkestrohet nga Beogradi, dhe assesi nuk iu nënshtrua juridiksionit Kosovar, bile përkundrazi, mospërfillëvazhdueshëm shtetësinë e Kosovës dhe fuqizon vazhdueshëm organiziminilegal paralel.

Në anën tjetër, Kosova ka krijuar buxhet të veçantë për veriun e Kosovës, mbulon shpenzimet enorme të tyre nga buxheti i konsoliduar si dhe nuk po mundet të ndal organizimin paralel dhe ndikimin politik e juridik të Beogradit.. Thjeshtë e kuptueshme, veriu i Kosovës nuk menaxhohet nga Prishtina por nga Beogradi. Atëherë nëse ofrohet mundësia e shkëmbimit territorial, pse të mos ndodhë?! Shkëputje e veriut tëKosovësgjithsesi pastaj do të dobësoj fuqinë politike të komunitetit serb në brendi të Kosovës dhe ndoshta do të jetë një argument që Serbia nuk do të pranoj diçka të tillë, por politikanët kosovarë gjithsesi duhet ta dinë se Lugina e Preshevës  duhet t’i bashkohet Kosovës, qoftë edhe me shkëmbim territorial.

Autori është i burgosur politik, drejtues lokal i ish UÇK-së, nënkryetar dhe zëdhënës i ish KPPMB-së dhe ky opinion pasqyron qëndrimet personale të autorit. Ky opinion është shkruar enkas për PreshevaPRESS në kuadër të projektit  “Pozita e Luginës së Preshevës në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi”, projekt që realizohet nga Organizata e Aktivistëve REFORMA me përkrahje të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.

[1]https://telegrafi.com/vuciq-respektoj-perpjekjet-e-grenellit-por-dialogu-te-zhvillohet-nen-perkujdesjen-e-se/
[2]https://www.dw.com/sq/albin-kurti-zhvillon-bised%C3%AB-telefonike-me-presidentin-macron/a-53075147
Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply