Connect with us

Përshëndetje, çka po kërkoni?

siAGORA NetworksiAGORA Network

Lugina-RKS

Pa Luginën, Kosova nuk është e plotë

Jemi rritur me historitë dhe përjetimet e dhembshme të copëtimit të trojeve shqiptare dhe me tragjeditë që i kanë përcjellë ata gjatë këtij procesi. Edhe pse fati ynë nuk vendosej vetëm nga vullneti i ynë, por nga ai i superfuqive, megjithatënuk jemi krejt të pafaj as ne shqiptarët që shpesh nuk ditëm të rreshtohemi si duhet, e të bashkohemi dhe të veprojmë si një komb.  Shpesh të udhëhequr nga mentaliteti i bajraktarizmit më shumë u morëm me njëri tjetrin sesa me të tjerët që vazhdimisht na gllabëronin territoret e banuara me shumicë shqiptare.

Në fund të shekullit 20 dhe fillimii shekullit 21 erërat sikur filluan të fryjnë në favor të shqiptarëve. Me rënien e murit të Berlinit filluan të vijnë ditë shpresëdhënëse edhe për shqiptarët, ndonëse kjo rrugë nuk ishte e lehtë dhe pa sakrifica. Në Shqipëri ra sistemi diktatorial dhe u instalua ai demokratik; Kosova fitoi pavarësinë e saj, kurse në Maqedoni shqiptarët avancuan sa u përket të drejtave etnike (edhe pse as afër me atë që u takojnë), por në krahasim me atë që kishin përpara pati avancim.

Por pse kjo nuk ndodhi me Shqiptarët që mbetën nën Serbi?

Në luftën e UÇK-së kishte pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare ndër ta shume ishin edhe nga Presheva, Medvegja e Bujanoci. Edhe në luftën e UÇPMB-së kishte shumë nga Kosova dhe trevat e tjera. Por,  pas kësaj lufte Lugina sikur u harrua. Kosova po e përmend rrallë atë e edhe më pak vepron për të.  Vetëm ndonjëherë për konsum ditor politik Lugina futet në narracionin tonë dhe fatkeqësisht angazhimi i saj, pra i Kosovës, ndaj kësaj pjese nuk duket të jetë i duhuri dhe i sinqerti.

Vitet e fundit presidenti Thaçi doli me propozim për të bashkëngjitur Luginën Kosovës, aty ku edhe natyrshëm e ka vendin. Fill pas kësaj deklarate gufuan deklaratat kundërshtuese vetëm e vetëm se këto i tha një “kundërshtar politik” dhe se gjithë çka thotë ai duhet kundërshtuar e duke harruar se po flitet për një pjesë natyrshëm të pandashme me Kosovën. Shqiptarët e “moderuar” të Kosovës menjëherë filluan të bëjnë kalkulime gjeostrategjike duke menduar për ujërat e Kosovës (Ujmanin) dhe ajo që e dëgjoja shpesh nëpër debate, qoftë publike, qoftë nëpër tavolina të kafeneve e në rrugë ishte: “Po nuk mund ta japim liqenin e Ujmanit! Ç’na duhet Presheva po nuk e morëm liqenin”, natyrisht duke spekuluar se ashtu ishte plani i Thaçit dhe Vuçiqit, ndonëse planin nuk e kishte parë askush. Po fundi i fundit edhe po të ishte ashtu, a ka më rëndësi njeriu, shqiptarët që jetojnë në një vend që i shkel të drejtat e tyre, në Luginë apo një liqen?

E kam përshtypjen që ne në Kosovë pasi u çliruam nga Serbia nuk mërzitemi më për shqiptarët e tjerë, “me rëndësi ne jemi rehat tash, ç’na hyjnë në punë ata”. Ose kur dëgjoj të tjerë shqiptarë duke argumentuar idenë që kufijtë nuk duhet lëvizur dhe thonë se kjo pastaj ka pasoja në Bosnje, Maqedoni… Çfarë absurdi! A ne u dashka të mendojmë për rregullimin e Bosnjës, hajde se në Maqedoni (tash të Veriut) kemi një pjesë të madhe të kombit e të historisë së papërmbushur? Neve duhet të na interesojë çështja jonë dhe t’i artikulojmë nevojat tona ashtu si neve na konvenojnë, natyrisht jo në dëm të dikujt tjetër, por ka kush të merret me interesat e të tjerëve, si në rastin e Bosnjës, e cila edhe ashtu ka një ndërtim e funksionim mjaftë të brishtë.

Aktualisht duket se Kosova po hyn në fazën finale të saj sa i përket marrëveshjes me Serbinë. Shpresoj se marrëveshja do t’u jep fund armiqësive me Serbinë dhe brezat e ardhshëm të rriten pa këtë ngarkesë qe e kemi pasur me breza të tërë. Mendoj se është momenti i fundit që në këtë marrëveshje të futet edhe Lugina dhe të korrigjohet një pjesë e padrejtësisë që na është bërë neve shqiptarëve. Kam frikë që pas kësaj nuk do të kemi më mundësi për të vepruar.

Kosova dhe Lugina do të jenë bashkë, por çështja është si? Ose do të bashkohen me Kosovën territorialisht, e që është preferenca ime, ose shqiptarët e Luginës do të vazhdojnë të shpërngulen në Kosovë dhe të jetojnë me ne bashkërisht, ose nëpër Europë si jetimë, por kështu druaj se Lugina do të mbetet pa shqiptarët e që për mua do të ishte shumë tragjike. Kosova pa Luginën nuk është e plotë.

Ky opinion është shkruar enkas për PreshevaPRESS dhe pasqyron qëndrimet personale të autorit.  Kjo kolumnë është shkruar enkas për PreshevaPRESS në kuadër të projektit  “Pozita e Luginës së Preshevës në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi”, projekt që realizohet nga Organizata e Aktivistëve REFORMA me përkrahje të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply