Connect with us

Përshëndetje, çka po kërkoni?

siAGORA NetworksiAGORA Network

Lugina-RKS

Këkesat e Luginës për bashkim me Kosovën

Me këtë punim u paraqita në Kuvendin Mbarëkombëtar për gjuhësi, histori dhe etnokulturë, në Tiranë, më 9-12 maj 2019 dhe në Konferencën shkencore në Mitrovicë, më 2019.

Hyrje

Lugina e Preshevës, Kosova Lindore, banohet me shumicë shqiptare dhe aktualisht shtrihet në jug të Serbisë dhe qysh në Antikë ka bërë pjesë në territorin e Dardanisë, e cila kryesisht shtrihet përgjatë lumit Moravë dhe Vardar.

Luginën e Preshevës e përbëjnë komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës (këto tri komuna paraqesin tërësi politike, por jo edhe territoriale dhe gjeografike). Rajoni i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kap një hapësirë prej 1.249 km katrorë me rreth 100.000 banorë. Prej tyre shumica absolute e popullatës është shqiptare: 58% (në Preshevë rreth 95%, në Bujanoc rreth 65% dhe në Medvegjë mbi 35%), ndërsa popullata tjetër është serbe dhe rome.
Një pjesë e mirë e popullatës serbe është e ardhur në këto zona përmes kolonizimit pas shpërnguljeve me dhunë të Shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, për në Turqi (1912-13), Reformave agrare më 1924 e tutje, periudha e Rankoviqit (1953-1966).

Pas ngjarjeve të fundit në Kosovë, Maqedoni e Luginë të Preshevës, Lugina u zbraz, sidomos u shpërngul popullata shqiptare nga Medvegja, pastaj u shpërngul popullata e Malësisë së Bujanocit dhe Preshevës, duke mos i përballuar trysnive dhe diskriminimit të pushtetit serb. Në Medvegjë kishte 5.000 banorë shqiptarë, më vitin 1981, ndërsa tashti kanë mbetur më pak se 500 banorë shqiptarë.

Lugina e Preshevës, së bashku me Luginën e Shkupit, paraqesin rëndësi të madhe gjeostrategjike dhe gjeopolitike në Ballkan. Studiuesit serbë dhe qeveritë serbe e kanë bërë pjesë të programit nacional, për krijimin e shtetit serb. Lugina e Preshevës lidh Detin e Zi me Detin Egje. Autostrada dhe Hekurudha Ndërkombëtare përgjatë lumit Moravë dhe Vardar, pra Korridori 10, të cilat kalojnë nëpër Preshevë, lidhin jo vetëm shumë shtete, por edhe kontinente, Evropën me Azinë.

Lugina e Preshevës para Luftës së Dytë Botërore

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, me kohë e lidhën fatin e tyre me Kosovën dhe morën pjesë aktive në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe më vonë në të gjitha Lëvizjet patriotike dhe politike të Shqiptarëvë të ish-Jugosllavisë për të drejta dhe çlirim e bashkim kombëtar.

Patrioti preshevar, Ibrahim Kelmendi thotë: “Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë”, ndërsa historiani nga Nasalca, Dr. Shukri Rahimi thotë:”Historia e popullit shqiptar është e pa ndarë, prandaj edhe, këto treva i konsiderojë si të tilla, të ndara artificialisht.
Shqiptarët e Preshevës dhe të viseve përreth, siç është treva e Bujanocit dhe e Kumanovës, apo të Krahinës Verilindore të Karadakut, sikundër viset tjera shqiptare , jo vetëm i bënë ballë asimilimit, gjatë robërisë së huaj shekullore, por me pjesëmarrje aktive në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të historisë sonë të përvuajtur, por krenare dhanë kontributin e tyre të çmueshëm për liri dhe mëvetësi kombëtare. Kontributi i tyre është i çmueshëm sidomos gjatë periudhës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që nga vitet e 30-ta të shek XIX, përfundimisht me organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme Antiosmane, që u kurrorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, kësaj ngjarjeje më të rëndësishme në historinë tone.”
Lugina e Preshevës qysh në Antikë i takonte Dardanisë, fisit Ilir që kryesisht shtrihej përgjatë lumit Moravë dhe Vardar. Shqiptarët e Luginës së Preshevës me Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë paraqesin etnikum më të vjetër në rajon. Shqiptarët e Luginës morën pjesë në të gjitha luftërat që i bëri Mbretëria e Dardanisë kundër pushtuesve të ndryshëm.

Edhe pse pas viteve 1454 e 1455, Lugina e Preshevës ra nën sundimin e Perandorisë osmane, ajo asnjëherë nuk u pajtua me gjendjen e vështirë nën sundimin turk otoman, andaj Shqiptarët e Luginës së Preshevës gjatë viteve 1841-1845 u hodhën në kryengritje kundër Tanzimatit. Sheh Hyseni dhe Sheh Salihu, patrioti Sylejman Toli i Mëhallës së Tolëve nga Tërnoci, e shumë patriotë të Luginës ngritën zërin kundër zbatimit të Tanzimatit në Luginë, sepse popullata e këtij rajoni nuk deshti t’i paguajë tatime të mëdha pushtetit otoman turk.

Kjo kryengritje e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, nën udhëheqjen e Dervish Carës, më vitin 1844, ishte kryengritje për Shqipëri Etnike, e cila kryengritje çoi në këmbë për liri gjithë popullatën shqiptare të këtij rajoni dhe përfshiu tërë territorinë e Dardanisë.
Më 10 qershor 1878, në Prizren, në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit morën pjesë edhe delegatët e Kazasë së Preshevës: Sheh Maksut Efendiu, Osman Çaushi, Mehmet Muhaxhiri, Kamber Aga dhe Haxhi Abazi.Sheh Maksut Efendiu u zgjodh kryetar I Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit pë Kazanë e Preshevës.

Pas Kongresit të Berlinit, më vitin 1878, Kazaja e Preshevës i takonte Sanxhakut të Prishtinës, Vilajetit të Kosovës. Kazaja përfshinte nahinë e Bujanocit dhe Tërgovishtes deri më vitin 1912. Më vitin 1918, me themelimin e Mbretërisë Serbe, Kroate, Sllovene, rrethi i Preshevës mbeti në Banovinën e Vardarit me qendër në Shkup, Qarku i Kumanovës. Kështu vazhdoi deri më vitin 1945.

Kryengritja e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës kundër Perandorisë Otomane me në krye të Madhin Idriz Seferi.Të përmendim Hasan Kadriun-Plakun e Preshevës, Kurtë Tërrnavën, Mulla Sinan Maxheren e të tjerë.

Durmish Presheva i Rahovicës ishte pjesëmarrës në Kryengritjet e viteve 1910-1912, për çlirimin e Shqiprisë, pjesëmarrës në ngritjen e flamurit kombëtar dhe më 2012, në 100-vjetorin e Pavarsisë së Shqipërisë u nderua me statusin “ Dëshmorit të Atdheut” nga Ministri shqiptar i Mbrojtjes së Shqipërisë, Z. Arben Imami.

Në prill të vitit 1941, në Shkup u themelua Lëvizja Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar, me shumë patriotë: Shaban Efendinë nga Kumanova, i lindur në Preshevë, Abdulla Saqipin, kryetarin e Shoqatës “Besa” në Beograd, me Shaip Mustafën, i cili konsiderohet më kontribuesi i vuarjes së Flamurit shqiptar në Urën e Gurit në Shkup, më 1941, me Abdulla Haxhi Veliun e Preshevës, i cili ishte tregtar dhe përfaqësonte për atë kohë borgjezinë e re. Ai me kontributin e tij të madh dha shembull humanisti dhe si duhet të ndihmohet edhe çështja shqiptare, por edhe popullata shqiptare, sidomos ajo e Malësisë së Preshevës. Për te Ibrahim Meçaj nga Gjakova më 1977 më tha: Edhe tregtar edhe i ndershëm,vetëm ai ishte, me Hfz Lutfi Ahmetin nga Presheva, Shaban Bugarinën,Nijazi Kurbalinë e të tjerë.

Lëvizja Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar kërkoi që Shkupi, Kumanova, Gjilani dhe Presheva, të bashkohen me Shqipërinë Etnike.Një delegacion i Lëvizjes shkoi në Shqipëri, për ta njoftuar qeverinë shqiptare mbi kërkesat e saja.

Lufta e Dytë Botërore ndodhi edhe në Luginë të Preshevës, në këtë luftë antifashiste morën pjesë Abdullah Krashnica, Selim Selimi, Xheladin Kurbalia, Selami e Shenasi Hallaçi, Qemal Shehu, Muharrem Kadriu, Mustafë Selimi, Qani Ramadani, e të tjerë. Selami Hallaçi, sëbashku me nëntë shokët u varr në Prizren, më 29 gusht 1944 nga Gestapoja gjermane.

Abdullah Krashnica-Presheva u dekorua me “Urdhërin e Lirisë”, me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Z.Atifete Jahjaga.

Në Luginë të Preshevës ndodhi Rezistenca e armatosur e Shqiptarëve të Kosovës Lindore përgjatë Hekurudhës Bujanoc-Preshevë-Kumanovë, nën udhëheqjen e Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit, me komandant Mulla Idris Gjilanin. Në Preshevë ndodhi “Kohë e Shipnisë”, kur në Preshevë për herë të parë, kryetar u zgjodh Adem Kamberi, i quajtur nga populli edhe Kamber Aga, të cilin më vonë e zëvëndësoi Skënder Kadriu, patrioti Ibrahim Kelmendi, Limon Staneci, Sylejman Ashkiu, pionerë të gazetarisë shqiptare në Luginë, Ali Syla Staneci , Ajet Rainca, Lam Breznica e të tjerë. Ibrahim Kelmendi u dekorua me “Urdhrin e Lirisë”, me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Vërejtje: Kjo është pjesa e parë, vazhdon…

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply