* Keqpërdorimet,
* Grupi i ngushtë i interesit,
* Papërgjegjshmëria institucionale dhe udhëheqëse, po e karakterizon përfundimin e vitit 2019 dhe qeverisjes në komunën e Preshevës.
Ky vit karakterizohet me një buxhet megaloman, imagjinar dhe jo serioz.
Mbizotëron mostransparenca në çdo aspekt e sidomos në shpenzimin e parasë publike.
Paaftësia e kryetarit të komunës për të menaxhuar paranë publike dhe planifikuar një buxhet serioz, mungesa e aftësisë për të zhvilluar ekonomikisht komunën e Preshevës ashtu edhe si është trumbetuar nga vet ai që do të ndikonte në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë, ka humbur shpresën.
Për të planifikuar një buxhet real së pari është dashur të harmonizohen të hyrat dhe të dalurat, të merren për bazë realizimet e buxheteve të viteve paraprake.
Nga ky pushtet asnjëherë nuk është ofruar pasqyrë reale e borxheve të trashëguara, obligimet ndaj punëkryrësve. Çdo 3 muaj për këto tre vite të qeverisjes bëjnë rishikim të buxhetit duke mos ditur të bëjnë një planifikim real.
– Planifikimi i buxhetit megaloman i kësaj qeverisje për 2019 është 1.705.476.495,00 din.
– Për të vërtetuar paaftësinë e këtij pushteti kemi realizimin e të hyrave për 9 muaj 530.623.480 din (31%) dhe realizimin e të dalurave 554.660.144 din (32.52%).
– Gjatë kësaj periudhe nuk është realizuar asnjë përfitim i mjeteve në cilësinë e donacioneve nga Ministritë e ndryshme apo donacionet ndërkombëtare (konto 732000).
– Kjo qeverisje s`ka qenë në gjendje ta realizoj as transferin e rregullt, (konto 733151), e cila është realizuar vetëm 388.610.506,00 din (66%).
– Transferet tjera, (konto 733154) janë realizuar vetëm 36.364.271 din nga vlera e planifikuar e kësaj konto prej 386.068.416,34 din (9.4%) ndërsa nga vlera e përgjithshme buxhetit të planifikuar është 4.12%.
– Mjetet e Trupit Kordinues (konto 733251) janë realizuar vetëm 41.398.871,39 din (39%) e 104.156.310,00 din, që është 2.42% e vlerës së përgjithshme të buxhetit të planifikuar.
– Të hyrat tjera, taksat, kompensimet (konto 742000) janë realizuar 12.337.541,81 din apo 28% e 43.130.000 din të planifikimit të këtij pozicioni ndërsa 0.72% e vlerës së përgjithshme.
– Nga Shërbimet publike, kuvendi dhe ekzekutivi janë harxhuar 168.054.167 din nga 200.926.965 din po ashtu edhe pozicioni i shërbimeve materiale, shpenzimet e udhëtimit, të përhershme (konto 420)- janë shpenzuar 151.842.699 din nga vlera e planifikuar prej 154.374.650,00 din, nga kjo shihet se vetëm ky pozicion për 9 muaj është realizuar 98.3% e që deri në fund të vitit tejkalohet 100% i planifikimit.
Ky pushtet të vetmen gjë që di mirë ta realizojë është ajo shpenzimeve enorme për udhëtimet zyrtare. Përderisa qytetarët e Komunës së Preshevës vazhdojnë të luftojnë për mbijetesë, do të justifikonin këto shpenzime, po që se nga këto udhëtime të ishin arritur rezultate konkrete. Por deri më tani, udhëtimet ”zyrtare” të kësaj qeverisje i ngjajnë më shumë ”foto albumeve” nga të cilët qytetarët e Preshevës nuk kanë përfituar asgjë.
– Konto 450- Subvencionet janë realizuar vetëm 18.791.343 din që i bie 1.1% e vlerës së përgjithshme të buxhetit ndërsa nga pozicioni i njëjtë i kontos së paraparë vetëm 34%.
Nuk është ofruar asnjë strategji që të ndihmohet dhe rritet zhvillimi ekonomik, avancimi i zejtarisë, punimeve artizanale, inkurajimin e femrave ndërmarrëse, të rritet cilësia dhe produktiviteti. Asnjë politikë kredituese si të avancohet blegtoria, bujqësia e bletaria.
– Mbrojtja sociale vetëm 21.002.440 din nga 37.293.000 din apo 1.2% e vlerës së përgjithshme prej 1.705.476.495 din.
Në vend se të avancohet mirëqenia sociale ky pushtet zvogëlon mjetet e Fondit humanitar dhe angazhimin e përkujdesjes së shtuar të moshave të treta dhe personave me nevoja të veçanta.
Nuk është ofruar asnjë program për zbutjen e varfërisë.
– Mbrojtja e ambientit-mbeturinat, ujrat e zeza vetëm 9.603.593 e 23.862.000(40%) apo 0.5 % e vlerës së përgjithshme.
Nuk është punuar asgjë në Deponitë e mbeturinave – sanimi, caktimi i lokacionit dhe ndërtimi i transferstacionit, apo menaxhimi i mbeturinave të ngurta dhe pastrimi i ujërave të zeza.
Ku është sigurimi i ujit të pijshëm apo rritja e kapaciteteve të puseve ekzistues në Zhunicë, Bajkë, Ilincë, Toplik?
Kur do të ndërrohen gypat e azbestit për tërë qytetin ashtu siç është premtuar dhe a do të sigurohen donatorët?
Nuk janë rregulluar dhe nuk mirëmbahen shtretërit e lumenjve në tërë territorin e Komunës.
– Aty ku është interesi i një grupi të ngushtë i përfituesve që janë të afërt me pushtetin bëhen harxhimet mbi 100% deri në fund të vitit.
Pasqyrën më reale e kemi te Punët banesore, bashkësisë, shërbimet komunale publike (apo thënë më saktë në drejtoratin e Fondit) ku janë realizuar 128.530.285 din nga 140.733.546 din (91.3%) vetëm për 9 muaj, nuk do të na habitë fakti të shohim saktë në llogarinë përfundimtare sa do të tejkalohet ky pozicion për 12 muaj.
– #Tejkalim të pozicionit nga ajo që është planifikuar karakterizohet te ndriçimi publik prej 22.000.000 në 24.667.229 dhe te punët e paklasifikuara të bashkësisë nga 37.000.000 din në 54.648.878 din.
Shumë projekte te investimet kapitale janë larguar edhe pse janë aprovuar me buxhet si Zona industriale që është projekt i vitit 2017 e që u përsërit 2 herë tenderi nga Ministria e Ekonomisë. Ky projekt s`ka përfunduar, por punëkryrësi ka faturuar mbi gjysmën e shumës së kontraktuar dhe nuk shihet asgjë që është punuar.
Nuk kemi asnjë transparencë pse u ripërsërit një prokurim? Një projekt për të njëjtin dedikim, në parcelat e njëjta. Çka po tenderohet me 27 milion dinar?
Asnjë projekt kapital serioz që është kontraktuar, s`ka filluar të realizohet.
Të gjitha punët janë bërë me procedurë të shkurtër deri 500.000 din (diku 105 kontraktime) për të cilat s`ka transparencë si janë realizuar, sa janë në procedurë të realizimit, cilat ndërmarrje dhe lista e përfituesve, si është realizuar tenderimi nëse ka pasur një të tillë. Projektet pa dokumentacione teknike dhe planore. Disa nuk kanë qenë të parapara me vendim të buxhetit dhe planin investiv ndërsa pagesat janë bërë.
Përsëriten projektet nga viti në vit dhe nuk realizohen.
– Si projekti i objektit në shkollën fillore “Zenel Ajdini” në Raincë, nuk dihen arsyet e stërzgjatjes së përfundimit të punëve. A janë në funksion të gjitha pjesët e objektit? Kujt iu ka dorëzuar apo kush e ka të drejtën e pronësisë biblioteka, shtëpia e shëndetit apo çerdhja kur dihet se problem është ora e rrymës, nxemja edhe mirëmbajtja.
– Salla e edukatës fizike në Shkollën fillore “Dituria” në Corroticë, adaptimi i po kësaj shkolle, çerdhja në Shoshajë ende e pa funksionalizuar ndërsa punët kanë filluar prej 2016 dhe të kontraktuara prej 2015.
– Paralelet e ndara në shkollën fillore “Migjeni” në Caravajkë janë në gjendje të mjerueshme.
– Prej 2 vitesh premtohet renovimi i shkollës fillore “Selami Hallaçi” në Rahovicë.
– Rruga Rahovic-Bukuroc ka mbetur prej 2 vitesh e papërfunduar, po ashtu edhe ajo në Buhiç-Ilincë-Maxhere.
– Nuk është finalizuar projekti 4 vjeçar i Stadiumit e asnjë tentim për tribunat dhe veshoret.
– Trotuaret s`janë realizuar për këto 3 vjet ndërsa parashihen në çdo buxhet.
– Nënshkruhen 3 kontrata për një park dhe nuk punohet asgjë. Ku mbetën 100.000 € të Qeverisë së Kosovës që ishin dedikuar për park dhe janë shpenzuar për diçka tjetër?
Presheva ende pa stacion të autobusëve, pa parkingje dhe pa hallë sportive.
Presheva ende me moszgjidhjen e problemit të bllokimit të komunikacionit në kalimin e hekurudhave në Stacion, Raincë, Miratoc, Bukuroc e Corroticë.
Deri tash asnjë park funksional për fëmijët dhe moshat e treta.
– Sport, kulturë, rekreacion vetëm 42.414.550 din nga 68.842.455 apo vetëm 2% e 1.705.476.495 din.
– Sa i përket Mediave, nga kjo qeverisje Presheva është fut në terr informativ. Dy vjet nuk kanë shpallur konkurs për informim (antiligjore), duke iu pamundësuar konkurrimi mediave lokale siç janë RTV Presheva, TV Aldi ndërsa në mënyrë të paligjshme i jepen portalit zëdhënës të pushtetit.
– Shëndetësia me vetëm 0.92 % e vlerës së përgjithshme e buxhetit (1.705.476.495) apo 15.702.945 din nga 26.453.690 din i pozicionit të njëjtë.
Sa i përket avancimit në shëndetësi nuk ofrohen kushte dhe shërbime për pacientët dhe punëtorët. Asnjë tentim për plotësimin e specializimeve të reja, kompletimin e maternitetit, stacionarin për sëmundje interne, sjelljen e pajisjeve kirurgjike në urgjencë apo pajisjet tjera të domosdoshme për t’ia lehtësuar punën stafit mjekësor.
– Arsimi vetëm 5.6% e vlerës së përgjithshme (1.705.476.495 din) apo 95.370.322 nga 168.957.852 e pozicionit të planifikuar.
Asnjë përpjekje në rritjen e cilësisë në arsim, sport e kulturë. As në mjete didaktike, kabinete, provimet profesionale apo përsosje profesionale.
Ku janë shkolla e Muzikës, Muzeu?
Kjo qeverisje ka ofruar vetëm joseriozitet dhe paaftësi. Asnjë vit nuk është ofruar buxhet zhvillimor apo të krijimit të vendeve të reja të punës përkundrazi largohet projekti NZS apo programi socio-ekonomik për ti mundësuar të rinjve të paktën praktikën profesionale qoftë edhe për një vit.
Nuk është ofruar asnjë strategji për të ndalur migrimin dhe zbutjen e papunësisë.
Asnjë strategji apo hapa konkret për njohjen e diplomave të Republikës së Kosovës apo lehtësimin e procedurave burokratike të nostrifikimit të diplomave të Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Asnjë strategji dhe përpjekje për integrimin e Shqiptarëve në institucionet shtetërore si në: gjykatë, prokurori, polici, inspeksione, doganë, gjeodezi, stacion hekurudhor, postë etj.
Si mendohet të hapin vende të reja të punës kur për këto 3 vjet nuk është ofruar asnjë strategji për sjelljen e investitorëve të huaj. Asnjë përpjekje për të kërkuar të njëjtat kushte për biznesin vendor siç e bëjnë komunat tjera në Serbi duke i lehtësuar bizneset vendore.
Nuk është bërë asnjë përpjekje e as investim në rregullimin e trafostacioneve, rrjetit të tensionit të lartë ku do t’i ishte ofruar bizneseve kushte më të mira për të zhvilluar veprimtarinë, hapjen dhe zgjerimin e kapaciteteve të veta apo për zgjerimin e kapaciteteve të zonës industriale.
Asnjë përpjekje për shfrytëzimin e IPA fondeve të UE.
Asnjë strategji dhe asnjë ndihmë nuk iu është dhënë prodhuesve vendor për plasimin e produkteve të tyre.
– Ku është zhvillimi ekonomik, ku janë FABRIKAT?
Kjo qeverisje ka zgjedh metodën e modelit që përfaqëson, atë të gjuajtjes ultë në personale dhe brutalitetin si formë e komunikimit për të fshehur paaftësitë e veta.
Për këtë vit dhe vitet tjera të qeverisjes së këtij pushteti u prezantua fenomeni i mbrojtjes së interesave të një grupi të caktuar, të cilët përfitojnë në emër të organizatave FANTOME të grave të tyre apo një personit i mundësohet 4 vende të punës kur të rinjtë tjerë bredhin rrugëve.
I mungojnë argumentet dhe kauza që e kanë prezantuar përpara opinionit publik. Në vend se te jenë shembull se si duhet të udhëhiqet, këta po vërtetojnë të kundërtën.
Të vetmin guxim e kanë të shkelin ligjin, asgjë konkrete për këto 3 vite e sidomos këtë vit nuk është prezantuar.
Për asnjë moment nuk është ofruar ndonjë ide që prodhon përparim por kanë ofruar vetëm regres, papërgjegjshmëri, mos transparencë dhe loja me ndjenjat e qytetarëve që i kanë të freskëta premtimet boshe si për sjelljen e investitorëve të huaj, ujë 24 orë në ditë, wi-fi në tërë qytetin, prodhimin solar, ndrrimin e gypave të azbestit, fabrika e peletit, interspeed-in, fabrikën e ketchup-it, masterfruit e për asnjë moment nuk e harrojnë investitorin “fantom” me Tatoo!
Askush nuk dëshiron të mos realizohet buxheti prej 1.705.476.495,00 din. Dyshimi është në potencialin e atij dhe atyre që kanë planifikuar buxhetin.
Nënvlerësimi i inteligjencës së shëndosh të qytetarëve të Preshevës, duke u munduar t’i mashtroj me plasimin e gënjeshtrave të përgjithshme, dhe të njëjtën kohë duke keqpërdorur paranë publike, duhet të filloj të marrë fund.
You must be logged in to post a comment Login