Dy ditë pas fillimit zyrtar të dimrit të këtij viti, në Preshevë do të mbahen zgjedhjet e parakohsme lokale për përbërjen e re të Asamblesë komunale, nga e cila del kryetari i komunës dhe strukturat tjera vendimmarrëse dhe ekzekutive të kësaj komune. Paqëndrueshmëria politike, e cila po e përcjellë Preshevën në vazhdimësi, ishte shkaktari i vendosjes së masave të parakohshme dhe këtyre zgjedhjeve.
Karakteristikë e veçantë e situatës së krijuar ishte ndërhyrja e vrazhdë, për herë të parë në këtë formë transparente të mospërfilljes së ligjeve, e Qeverisë në Beograd për të formuar organin e përkohshëm, me qëllim të krijimit të favoreve për një rrymë të caktuar politike.
Zgjedhjet e reja në Preshevë, jo vetëm për shkak se nuk janë të rregullta, por, në radhë të parë për shkak se do të përcaktojnë se cfarë kursi politik orientohen të ndjekin preshevarët, kanë rëndësinë e veçantë, jo vetëm për këtë komunë.
E thjeshtuar, qasja politike që ofrohet atje nga subjektet garuese nuk ka të bëjë me luftën mes të resë dhe të vjetrës, mes tradicionales dhe risisë, mes lodhjes nga të moshuarit dhe “të rinjtë e moderuar”.
Në radhë të parë këto zgjedhje kanë me dhënë përgjigjen se cili do të jetë raporti i shqiptarëve karshi qeverisë qendrore. Do të vazhdojë rruga tradicionale e dhënies prioritet të kërkesave politike të shqiptarëve, të cilat Serbia, përkundër tri marrëveshjeve të nënshkruara me përfaqësuesit shqiptarë po refuzon me i realizuar, apo, do të përkrahet “qasja e re”, e cila, duke e ndjekur linjën e rezistencës politike më të dobët, do të orientohet për kërkesa të “natyrave ekonomike”.
Do të jetë pra prioritet i joni politik reprezentimi i shqiptarëve në institucionet publike, gjendja e gjyqësorit, arsimi dhe diplomat, apo prioritet kryesorë do të jetë “ndërrimi i gypave të azbestit dhe projektet e cilësuara si “ekonomike”. Dilema është: jemi për identitet politik të pavarur apo vazalitet politik.
Kërkesat për identitet të pavarur politik apo vetëm mirëqenie ekonomike. Cila është rruga që do ta ndjekin preshevarët, do të përcaktohet më 24 dhjetor. Që të dyja kërkesat janë të rëndësisë së veçantë. Por, asnjë argument logjik nuk mund të arsyetojë se e dyta duhet të ketë përparësi ndaj të parës. Asnjë argument ligjor, moral e politik nuk mund ta ketë Serbia, që të mos i përkrahë njëkohësisht të dyja kërkesat e shqiptarëve.
Në procesin e integrimeve europiane në të cilin gjendet Serbia, “lirimi” i saj nga kërkesat politike të shqitarëve do të ishte baraz me vetëvrasjen politike të shqiparëve.
Nuk ka asnjë garancë se mirëqenia ekonomike është zgjidhje edhe për problemet politike. Katalunia e sotme është shembull i kësaj. Pavarësisht mirëqenies ekonomike që e kanë, katalunasit i kanë dhënë përparësi problemeve dhe kërkesave politike.
Edhe kësja radhe faktori politik e institucional shqiptar, duhet të insistojë në ato kërkesa politike të “Planit shtatë pikësh”. Vetë realizimi i tyre është garancë e nxitjes së zhvillimit tonë ekonomik. Prapa refuzimit të shitjes dhe privatizimit të Banjës së Bujanocit dhe ndërmarrjeve tjera ekonomike qëndron motivi politik jo ekonomik. Ka shumë shqiptarë që janë të interesuar për ta blerë atë. Por, gjithmonë kur vehet në rend të ditës, fillon fushata e egër e orkestruar nga Beogradi zyrtar se “këta po dojnë me shqiptarizu Bujanocin”. Me këto argumente fashiste refuzohet privatizimi i ndërmarrjeve ekonomike.
Prandaj, votuesi preshevarë duhet ta ketë të qartë se nuk ka mirëqenie ekonomike pa identitet. Identiteti dhe mirëqenia e shqiptarëve në këtë rajon varët kryekput nga realizimi i kërkesave politike. Situata e rëndë ekonomike që mbretron tek ne ndikon që votuesi preshevar ta ketë të vështirë të përcaktohet.
Por, a nuk kanë pasur shqiptarët edhe më heret sfida, bile edhe më të vështira se këto të sotmet, dhe a nuk kanë qenë pikërisht shqiptarët që i kanë dhënë përgjigje edhe diktaturave më të egra?
“Në udhëkryqet kryesore të jetës tonë, nuk ka tabela treguese” thotë një proverb. Janë njerëzit me arsye të shëndoshë ata që gjithmonë kanë dhënë përgjigje në këto pikëpyetje.
“Udhëtarë rrugë nuk ka, rrugët janë bërë duke ecur” thotë një proverb spanjoll. Sot, rruga e Preshevës, besoj, është Ardita Sinani, ajo meriton përkrahjen, jo vetëm për veten, por në radhë të parë për Preshevën dhe mbarë Luginën e Preshevës. Ajo sot, në rrugëtimin për të parin e komunës, mbron edhe kauzën tonë politike – për identitet politik të pavarur dhe mirëqenie të shqiptarëve në këtë rajon të diskriminuar.
You must be logged in to post a comment Login