Connect with us

Hi, what are you looking for?

siAGORA NetworksiAGORA Network

Arkivi 2013-2021

Propaganda që instrumentalizon ekstremizmin islamik në Luginë

Ka disa ditë që në opinionin publik shqiptarë është duke u përmendur rreziku i “ekstremizmit dhe radikalizmit islamik” në Luginë të Preshevës. Në fokus të kësaj fushate tendencioze është konstatimi i pavend se në rritje e sipër është fuqizimi i identitetit fetarë islamik në dëm të identitetit nacional të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Nëse do të ishte ky konstatim i vërtetë, shqiptarët e Luginës së Preshevës do të vendoseshin para një rreziku real; lënia anash e kërkesave për fuqizimin e të drejtave politike që forcojnë identitetin nacional të shqiptarëve si entitet politik para kauzave tjera, madje të motivuara e të veshura edhe me petkun fetarë. Nuk e shikoj të arsyeshme të merrem me emrat e atyre që qëndrojnë prapa kësaj fushate ndjellakeqe.  Është përgjegjësi morale dhe intelektuale të reagohet ndaj këtyre deformimeve që rëndë e dëmtojnë kohezionin politik, kulturorë, e social, të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Në të kundërtën një veprim i këtillë kap dimensione shqetësuese, me pasoja shumë të rënda.

Le të jemi të qartë. Të gjithë duhet të mobilizohemi si shoqëri ndaj çdo lloj ekstremizmi apo radikalizmi që rrezikon rendin dhe sigurinë e qytetarit, pa marrë para sysh se me çfarë ngjyre ideologjike ai ekstremizëm apo radikalizëm suportohet për të mbijetuar. Në rend të parë “ekstremizmin dhe radikalizmin islamik”, duhet ta denoncojnë vetë myslimanët praktikant dhe institucionet që i përfaqësojnë ata, sepse dëmet dhe pasojat e tij janë duke i bartur pikërisht ata dhe feja e tyre Islame e cila përmes veprimeve të këtilla është duke e zhvendosur fatin e vet nga një kontest kulturorë e social me natyrë paqësore e integruese në një  kontest të kundërt, që unisohet me dhunën, terrorin, frikën dhe izolimin. Studimet themeltare sociologjike tregojnë se shfaqja e ekstremizmit dhe dhunës në jetën sociale është e ndikuar nga shume faktorë. Ekstremizmi i dhunshëm nuk ka asnjë justifikim që do të ndërlidhet me racën, etninë, kombësinë apo besimin fetarë. Ai zë vend aty ku ka të kushte të vështira ekonomike, nivel të ulët të programeve arsimore, mungesa e politikave integruese të grupeve të ndryshme sociale në shoqëri, mungesa e ndërtimit të shtetit ligjorë, pabarazia sociale, pamundësia e ofrimit të mundësive të barabarta për socializimin e të rinjve që sigurojnë perpspektivë etj.

Në opinionin publik shqiptarë ka një tendencë të përgjithësimit të islamit si fe, duke e identifikuar me sintagmën “radikalizëm”, “dhunë”, “terror islamik”. Është e ditur se përgjithësimet nuk merren si argument për shtjellimin e ngjarjeve dhe dukurive. Ky përgjithësim i etiketimit të Islamit si fe e dhunës dhe terrorit, po vazhdon të ushqej një islamofobi e cila vazhdon të mbështetet nga agjenda të caktuara. Kjo islamofobi e shprehur është duke favorizuar qarqet e caktuara të grupeve ekstremiste se shoqëria shqiptare me qëndrimin armiqësorë ndaj islamit si fe dhe kulturë nuk është e gatshme që myslimanët shqiptarë t’i shikoj si pjesë normale e trungut shqiptarë brenda identitetit nacional. Islamofobia e orkestruar është kafshata me e mirë e rritjes së qarqeve që ushqejnë pikëpamje dhe qëndrime radikale islamike në shoqërinë shqiptarë. Kjo isalmofobi është duke kapur përmasa irracionale për t’u shndërruar në ideologji të urrejtjes brenda kombëtare, e cila rrezikon të bëhet faktorë deintegrues brenda shqiptarë. Mendoj se me këtë tematik duhet të merren ekspert të fushave të veçanta.

Në Luginë të Preshevës aktualizimi i idesë së “ekstremizmit dhe radikalizmit islamik” është ngushtë i lidhur me zhvillimet aktuale politike. Pas prishjes se partnerëve të koalicionit PVD – APN, janë intensifikuar arsyetimet për të gjetur shkaktarët e mosfunksionimit të këtij koalicioni. Mundë të numërosh shumë shkaktarë pse nuk ka funksionuar ky koalicion, por asnjë me motive fetare. Një nga faktorët shantazhues në këtë drejtim është evidentuar edhe prirja islamike e ish – kryetarit të Komunës. Është bërë trend, që shumë dështime, në jetën publike, me sfond politik, kulturorë e akademikë te shqiptarët, për shkak të paaftësisë dhe papërgjegjësisë profesionale; p. sh. në poltikbërje, ato mbulohen duke u instrumentalizuar me arsyetime anësore të paqena, sikur është “radikalizmi dhe ekstremizmi islamik”.

Jemi në dekadën e tretë të pluralizmit politik. Politika lokale ka dështuar në avancimin e të drejtave politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Aktet madhore me sfond patriotik, si Referendumi i vitit ’92, Platforma Politike e vitit 2006 e tre kuvendeve me këshilltarë shqiptarë, themelimi i Asociacionit të Komunave Shqiptare në Luginë të Preshevës, Lapidari i Dëshmorëve, mos zyrtarizmi i gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare, punësimi jo proporcional në raport me numrin  e popullsisë etj. Vetëm një mendje e çoroditur mundë ta pranoj një konstatim se për këto dështime politike është faktori fe apo tendenca në rritje e identitetit fetarë ne dëm të atij kombëtarë. Pikërisht, kjo politikë e paaftë  për 24 vite me radhë në Luginë të Preshevës, nuk ka arritur që këto akte madhore për fatin politik të popullit shqiptarë t’i materializoj në dobi të fuqizimit të shqiptarëve si entitet juridik dhe politik në vete. Madje, as rezultatet e luftës së UCPMB – së nuk janë materializuar në nivelin e pritur të avancimit për të drejtat politike dhe nacionale të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. I tërë ky kapital u reduktua në të drejta ekonomike të “Planit të Çoviqit”, më vonë të “Trupit Koordinues”, që realisht nuk u jetësuan asnjëherë, sigurisht jo për faj të hoxhallarëve dhe të identitetit fetarë që ushqen “radikalizëm dhe ekstremizëm islamik”. Hoxhallarët kemi një faj. Ai është paaftësia për shkak të interesave dhe rivaliteteve te pakuptimta, për të vendosur organizimin fetarë, autokton, autonom, në binarët e duhura. Kjo do të ndikonte që ta ruajmë këtë organizmi nga influencat e Novi Pazarit dhe Beogradit, duk e fuqizuar edhe më shumë lidhjen me Bashkësinë Islame të Kosovës konform realiteteve të reja të krijuara pas pavarësisë së shtetit të Kosovës.

Konstatimi se futja e mësim besimit fetarë në shkollat publike në Serbi është tregues i demokratizimit dhe shtetit liberal të Serbisë që meriton mirënjohje nga komuniteti mysliman shqiptarë në Luginë të Preshevës, është ose tendencioz ose paraqet mosnjohje fillestare të problemit në fjalë. Mësim besimi fetarë në shkollat publike në Serbi nuk është futur pse është bërë ndonjë lëshim ndaj ndonjë kërkese të komunitetit mysliman shqiptarë këtu. Një të tillë as që ka pasur ndonjëherë. Janë rrethana krejt tjera politike që kanë mundësuar futjen e mësim besimit fetarë ne shkollat publike në Serbi, që fare nuk kanë të bëjnë me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ato kanë të bëjnë me ekstradimin e Millosheviqit për krime lufte në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë. Ish – kryeministri i ndjerë Zoran Gjingjiq, ka pasur një dilemë shumë të vështirë, para se të vendoste për ta ekstraduar Millosheviqin në Hagë. Ai është frikësuar nga reagimi i ashpër i Kishës Ortodokse e cila siç e dimë ka një influencë të madhe në jetën politike në Serbi. Para një kërkese të këtillë vendimtare, ai i ka ofruar kompromis Kishës Ortodokse për ta futur mësim besimin fetarë në dobi të një reagimi më të butë të klerit ortodoks, ndaj vendimit për ekstradim të Millosheviqit i cili po gjykohej për krime lufte.

Ka një tendencë të vazhdueshme në opinionin shqiptarë sidomos në Luginë të Preshevës të paraqitet, lidhja organike mes Lëvizjes Besa në Maqedoni dhe Alternativës për Ndryshim në Luginë të Preshevës, e forcuar edhe nga disa politikan, me qëllim që këto dy subjekte të etiketohen si agjenda “islamiste, erdoganiste” etj. Nuk shoh se qëndron një konstatim i këtillë. Lëvizja Besa në Maqedoni, është themeluar dhe formuar konceptualisht edhe ideologjikisht ndryshe nga Alternativa për Ndryshim në Preshevë. Sa për agjendën armiqësore shqiptare të Lëvizjes Besa në Maqedoni që po diskutohet jo vetëm në Luginë të Preshevës, mjafton të përmendet fakti, se po mos të ishte kjo lëvizje, agjenda maratonike në Parlamentin e Maqedonisë nuk do të kishte ndodhur fare, sepse formimi i qeverisë nga partnerët ish koalicionit VMRO – DPMNE – BDI, moti do të kishte përfunduar.

Makineria propaganduese e mediave të Millosheviqit pat investuar tepër në propagandën e paraqitjes së “transversales së gjelbër”, apo ”rrezikut të gjelbër islamik”, që kalon nga Bosnja, ne Sanxhak, Kosovë, Luginë të Preshevës, e përfundon në Maqedoni. E tërë kjo arsyetohej me hipotezën se bashkësia ndërkombëtare duke i ndihmuar shqiptarët e Kosovës dhe popullin boshnjak për pavarësi kombëtare është duke suportuar krijimin e zonave të rrezikshme të radikalizmit dhe terrorizmit islamik të influencuara nga bota e “orientit të dhunshëm”. Nëse atëherë kjo agjendë e rrezikshme u tregua e dështuar, një përpjekje e këtillë për ta riaktualizuar në këto momente nuk  e di kujt i shërben! Apo thënë ndryshe kushdo që e mbështet apo e aktualizon këtë agjendë për ta paraqitur Luginën si vendburim i radikalizmit dhe ekstremizmit, duhet të  pyetet se a është i vetëdijshëm se në cilat ujëra është duke lundruar? Aktualizimi i kësaj fushate propagandistike është me pasoja shumë të rrezikshme për shqiptarët në tërësi, e në veçanti për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ne këtu kemi një mijë halle tjera me realizmin e të drejtave kolektive dhe atyre politike, zhvillimin ekonomik, krijimin e një perspektive të qëndrueshme në mënyrë që të mbijetojmë biologjikisht si entitet me identitet të fuqishëm kombëtar dhe fetarë.

Eksperienca e veprimtarisë politike jo vetëm në Luginë të Preshevës, e ka dëshmuar se angazhimi politik në vendet ballkanike me mentalitet despotik dhe oriental, referencë e ka mbijetesën dhe luftën e paskrupullt për të mbetur në pushtet, pa kursyer asnjë mjet. Është e udhës që të mobilizohemi të gjithë që së paku edhe këtë kafshim të radikalizmit dhe ekstremizmit islamik mos ta lejojmë t’ia faturojmë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, sikur ka ndodhur shumë herë, me raste tjera, gjatë këtyre tri dekadave të pluralizmit politik. Populli shqiptarë në Luginën e Preshevës është i lodhur dhe demoralizuar. Atyre po i vdes shpresa për mbijetesë biologjike. Andaj është mirë të mendohet për një politkbërje të shëndoshë, duke hartuar një platformë politike e mbështetur nga Prishtina, Tirana dhe miqtë tanë. Kjo platformë veprimin politik duhet ta vendos në shërbim të qytetarit dhe për qytetarin, e jo ta politizoj qytetarin në shërbim të interesave të ngushta nepotiste, klanore, grupore, sikur ka ndodhur shpesh herë deri tani. Nëse këtë nuk do ta bëjnë subjektet politike, mbetet detyrë e  shoqërisë civile për të bërë presion që të realizohet kjo ide.

Kafshimi i atyre që i lansojnë dhe i atyre që për llogari të ulëta i përmbajnë këto hipoteza hamendësuese, në krahasim me atë të “Suarezit”, është shumë më helmues.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply