Lugina2017

Përtej Ragmi Mustafës

Viti që po hyjmë na gjenë me një Beograd që po vazhdon të na shtypë me metodat e tij. Një qeveri të drejtuar nga ish-bashkëpunëtorët më të afërt të Millosheviqit dhe Sheshelit. Neonacionaliste, konservatore dhe neoliberale. Por të mbështetur edhe nga qarqet perëndimore për arsye gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Ky vit na gjenë edhe me një Tiranë dhe një Prishtinë që nuk na mbështesin konkretisht. Me perspektiva të paqarta rajonale. Pra, një situatë aspak të favorshme të jashtme, të cilën e përkeqëson edhe më shumë organizimi i dobët dhe orientimi i paqartë i brendshëm politik. Me një potencial politik të tkurrur, si pasojë e shpërnguljeve të vazhdueshme të popullatës, përfshirë edhe të kuadrove më politike. Organizimit politik dhe shoqëror në Luginë i duhet para së gjithash një orientim të duhur politik, e rrjedhimisht edhe një organizim më efikas dhe më cilësor politik, përtej pushtetit lokal. Këtyre nevojave duhet dhënë përgjigje. Kjo është sigurisht më e vështirë dhe më e rëndësishme. Më e vështirë dhe më e rëndësishme se rënia e Ragmi Mustafës.


Në përgjithësi, viti 2016 nuk shënoi ndonjë ngjarje që mund të veçohet në Preshevë. Vazhdoi avazi i vjetër. Diskriminim shtetëror, papunësi dhe migrim. Që të gjitha në rritje e sipër. Të fundit, pasojë e së parës. E para, pasojë e mungesës së organizimit efikas. Një organizim që përkeqësohet çdo vit e më tepër. Që pesëmbëdhjetë vite.

Jashtë përpjekjes së mediave të pushteteve të cilat përpiqen ta zbukurojnë realitetin e zymtë, viti që lamë pas, në kuptimin e ngushtë politik dhe lokal, pati megjithatë një zhvillim pozitiv : rënien politike të Ragmi Mustafës. Së pari nga pushteti, të cilin e drejtoi në mënyrë katastrofike për dymbëdhjetë vite me radhë dhe së dyti, pothuajse edhe nga skena politike, duke e humbur tanimë edhe shumicën dërmuese të përfaqësuesve të tij partiak në kuvendin lokal. Pavarësisht rrethaneve të reja politike që mund të krijohen në të ardhmen, tashmë mbetet e qartë se Ragmi Mustafa nuk mund ta zotëroi më ndonjëherë pushtetin politik në të njëjtat përmasa dhe me të njëjtën fuqi politike. E ky është një lajm i mirë.

Por, lajmi jo aq i mirë është ajo që e pasoi atë në kuptimin politik. Një skenë politike lokale pothuajse në shthurrje e sipër. Një korpus politik që po venitet në heshtje; si për nga struktura, ashtu edhe për nga koncepti politik. Që po duket çdo herë e më shumë si një supermarket. Si një treg. Pa ide(ale) politike.

Një qeverisje e re lokale preshevare e cila që nga fillimi shpërfaqi mungesë të vizionit dhe të kohezionit politik. Dhe për më keq, një pushtet me orientime të paqarta politike, apo në shpërputhje midis dy partnerëve qeverisës, ku është forcuar edhe përfshirja e “bizneseve” në vendimmarjet partiake. Nga një pushtet që abuzonte me ndjenjat kombëtare të qytetarëve shqiptarë duke propaganduar kinsekundërshtimin e Beogradit; Presheva përfitoi një pushtet që ka prirje të abuzojë me ndjenjat sociale të qytetarëve shqiptarë duke promovuar buzë nënshtrimit bashkëpunimin me Beogradin.

Në këtë kontekst, suksesi i vetëm i deritanishëm i këtij pushteti mbetet rrëzimi i Ragmi Mustafës nga pushteti. Një betejë e vogël e fituar. Për një fitore deritani të humbur politike. Më e vështirë gjithsesi. Asaj lufte për më shumë liri, më shumë barazi, më shumë zhvillim. Jetësimi i të drejtave legjitime kombëtare të shqiptarëve dhe zhvillimi ekonomik për Preshevën, si dhe Luginën. Këto që kanë mbetur në pikën zero edhe me ndryshimin e pushtetit lokal, për të mos thënë se janë përkeqësuar, nëse merret parasysh se Serbia po vazhdon të rrugëtoj pa pengesa drejt plotësimit të standardeve në kuadër të procesit të saj për anëtarësim në BE, pa zgjidhur asnjë nga problemet kryesore të shkeljeve të të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Serbi; si dhe duke pasur parasysh që gjendja socioekonomike në Preshevë (Luginë) po përkeqësohet vazhdimisht, jo vetëm nga mungesa totale e hapjes së vendeve të reja të punës; por edhe nga shkurtesat e pagave të punëtorëve të paktë të sektorit të dërrmuar publik, mosrritja e pagave të punëtorëve në sektorin e varfër privat dhe për shkak të ngritjeve të çmimeve, si pasojë e politikave neoliberale të Qeverisë së Vuçiqit.

Rruga e deritanishme e qeverisjes së re të Preshevës (që po reflekton edhe në tërë Luginën) është më afër braktisjes de facto të procesit të deritanishëm politik, në emër të një qasje (neo)liberale ekonomike për « tërheqjen e investitorëve » (pothuajse duke u mjaftuar vetëm se me institucionet dhe kompetencat e tanishme politiko-juridike), e cila po synon të të bashkërendohet me qeverisjen e Serbisë. Në çastin e deritanishëm, kjo qasje politike e qeverisjes lokale preshevare jo vetëm se nuk ka dhënë asnjë rezultat ekonomik gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit të kaluar, por edhe ka prirje ta përkeqësoj edhe pozitën politike të Preshevës në veçanti, e të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në përgjithësi. Fundja është plotësisht legjitime që ndonjë pushtet i ri politik ta synojë shembjen e plotë së vjetrës; por atëherë, kjo e parashtron logjikshëm pyetjen se cila është e reja politike ? Edhe kah po na çojnë ?

Ajo që dihet është se nën qeverisjen e pushtetit të ri lokal, nuk ka pasur asnjë lëvizje të vetme politike nga Qeveria e Serbisë për t’i plotësuar obligimet e saj të së kaluarës që i ka marrë nga marrëveshjet e nënshkruara për Luginën e Preshevës, me ndërmjetësim/lehtësim ndërkombëtar. Mbase ka tendenca që ai proces të « shuhet » plotësisht. Dialogu i bllokuar. Procesi i përfaqësimit të shqiptarëve në sektorin publik/shtetëror i harruar. Çmilitarizimi i rajonit nga forcat e jashtëzakonshme ushtarako-policore është « zëvëndësuar » me militarizime të reja. Zhvillimi ekonomik inekzistent. Një lëvizje e vetme margjinale – Iniciativa simbolike për zgjidhjen eventuale të disa teksteve mësimore të shkencave ekzakte nga bashkëpunimi Rama-Vuçiq.

Së fundi, Serbia ka marrë vlerësime pozitive nga BE për plotësimin e kushteve në fushën e arsimit, pa zgjidhur çështjen e teksteve dhe planprogrameve për nxënësit shqiptarë, si dhe pa njohur diplomat e Kosovës sipas marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel. Serbia mbase nuk është kushtëzuar me të drejtat e shqiptarëve të Luginës edhe në raportin e fundit të progresit (ku vetëm përmendet ‘problematika’ e mosintegrimit të shqiptarëve të Luginës). Me këtë trend, ajo me shumë gjasa do ta kaloj edhe “lehtësisht” kapitullin 23 dhe 24, në bisedimet për anëtarësim me BE, së paku në raport me Luginën e Preshevës.

Viti që po hyjmë na gjenë me një Beograd që po vazhdon të na shtypë me metodat e tij. Një qeveri të drejtuar nga ish-bashkëpunëtorët më të afërt të Millosheviqit dhe Sheshelit. Neonacionaliste, konservatore dhe neoliberale. Por të mbështetur edhe nga qarqet perëndimore për arsye gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Ky vit na gjenë edhe me një Tiranë dhe një Prishtinë që nuk na mbështesin konkretisht. Me perspektiva të paqarta rajonale. Pra, një situatë aspak të favorshme të jashtme, të cilën e përkeqëson edhe më shumë organizimi i dobët dhe orientimi i paqartë i brendshëm politik. Me një potencial politik të tkurrur, si pasojë e shpërnguljeve të vazhdueshme të popullatës, përfshirë edhe të kuadrove më politike. Organizimit politik dhe shoqëror në Luginë i duhet para së gjithash një orientim të duhur politik, e rrjedhimisht edhe një organizim më efikas dhe më cilësor politik, përtej pushtetit lokal. Këtyre nevojave duhet dhënë përgjigje. Kjo është sigurisht më e vështirë dhe më e rëndësishme. Më e vështirë dhe më e rëndësishme se rënia e Ragmi Mustafës.

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Exit mobile version