Aq më tepër që insistohet në krijimin e një opinioni publik për “krijimin e qeverisë” nga ana e LSDM-së, po aq, shtohet edhe bindja për panikun brenda kësaj partie për “rrëshqitjen e peshkut” nga dora dhe humbjen e mundësisë historike. Në anën tjetër, platforma e përbashkët shqiptare e iniciuar nga Tirana, me të gjitha gabimet konceptuale dhe paradokset në formulimin e saj, po interpretohet si argument për narracionin nacionalist të VMRO-së, gjë kjo e cila do t’i rritë apetitet e kësaj partie për improvizimin e një krize të re, për ta shty vendin në zgjedhje të reja. Normalisht që, sipas llogarive të tyre, në fushatën e re parazgjedhore, interpretimi i një diskursi të ri nacionalist, do të rriste numrin e deputetëve të VMRO-së dhe së bashku me partinë tjetër të kampit shqiptar, BDI-në, do të formojnë, lehtësisht, qeverinë e re që tashmë bazohet mbi legjitimitetin e rregullit, fitues me fitues.a
Në kampin shqiptar, partia fituese e zgjedhjeve të 11 Dhjetorit, BDI-ja, pas legjitimitetit të rifituar me rastin e deklaratës së Tiranës, do të udhëheqë një fushatë nacionaliste në mënyrë që të ruaj numrin e deputetëve aktual, me ambiciet për të fituar diç më tepër. Normalisht, tashmë fuqia elektorale e partive politike shqiptare është e njohur dhe mobilizimi i BDI-së do të jetë shumë më i lartë. Në dukje, si betejë e re, që pritet ta zhvillojë BDI-ja, mund të interpretohet si një tentativë për të ruajtur epitetin e fituesit tek shqiptarët dhe legjitimitetin për realizimin e platformës/deklaratës së përbashkët shqiptare, të iniciuar nga Tirana. Në rast të formohet qeveria brenda këtyre ditëve, lufta ndaj opozitës do të jetë e pa kompromis, e shtrirë në të gjitha format e represionit dhe shantazhit si dhe punësimeve të reja për tërheqje të elektoratit.
Partitë opozitare si koalicioni “Rilindje me Besë” dhe “Aleanca për Shqiptarët” përkundër komoditetit dhe indiferencës që shfaqin ndaj situatës, duke u mjaftuar me nënshkrimin e një deklarate që praktikisht po thuaj se është utopike, organizimi i zgjedhjeve të reja, mund të ketë një kosto të madhe për to, fillimisht në aspektin politik, në aspektin financiar dhe në aspektin e resurseve njerëzore.
Sfida e parë, e koalicionit “Rilindje me Besë” dhe “Aleancës për Shqiptarët”, është ajo e reflektimit ndaj situatës aktuale dhe të ndërmarrin të gjitha iniciativat politike për bllokimin e BDI-së, për keq përdorimin e platformës. Në frymën e deklaratës së Tiranës, të bëhet reduktimi i deklaratës së Tiranës në tri pika kryesore: 1. Vazhdimi i mandatit të prokurorisë speciale dhe krijimi i gjykatës speciale; 2. Numërimi i popullsisë dhe shpërndarja simetrike e funksioneve kyçe shtetërore në bazë të përqindjes së etnive në Republikën e Maqedonisë; 3. Ndryshimet kushtetuese të mjaftueshme për aderim në BE dhe NATO.
Po gjuha shqipe?
Mos zyrtarizmi i gjuhës shqipe në nivel shtetëror nuk është thelbi i problemit se pse shqiptarët nuk gëzojnë qasje të barabartë me Maqedonasit në këtë shtet. Përkundrazi, gjuha është alibia më e fortë për prolongimin e proceseve të mirëfillta politike dhe marrëveshjeve për ndarjen e pushtetit. Sforcimi i Prokurorisë Speciale Publike, si institucion kalimtar për kthimin e shtetit të së drejtës, koncept ky që gjendet në të gjitha platformat politike, krijon uniformiteti shoqëror si në aspektin e realizimin të të drejtave kolektive të nacionaliteteve përbërëse në Republikën e Maqedonisë dhe është garantues i një kontrate të re sociale në mes komuniteteve politike në Maqedoni. Vetëm një garanci e tillë e bazuar mbi shtetin ligjor, do të mundësoj realizimin kulturor, gjegjësisht, zyrtarizmin e gjuhës shqipe bazuar në një debat të përgjithshëm publik. Koncepti i zhvillimit të një shtetit ligjor do të krijoj rrjedhshmërinë logjike të perceptimit të lirisë së “vetes” dhe të “tjetrit” dhe realizimin e tyre.
Sfida e dytë, në rast të prolongimit të krizës dhe inicimit të zgjedhjeve të reja, nga ana e koalicionit “Rilindje me Besë” dhe “Aleanca për Shqiptarët”, do të ishte krijimi i një fryme fitoreje, një ri-mobilizim edhe më i madh popullor do të mund të jetë i lodhshëm dhe i bezdisshëm edhe për militantët por edhe për vetë elektoratin, ngaqë në kohën kur të gjithë janë në pritje të vjeljes së fryteve të 11 Dhjetorit, do të detyrohen të futen në një aventurë të re politike. Beteja do të vështirësohej sidomos në përpjekjen për kthimin e elektoratit shqiptar që i dhanë votën LSDM-së më 11 Dhjetor. Në anën tjetër, LSDM-ja, do të përpiqet që të maksimizojë përpjekjen për përfitimin e votuesit shqiptar me qëllim që të marrë të paktën një deputet më tepër se VMRO-ja.
Në zgjedhjet e reja bashkimi i opozitës, gjegjësisht, koalicionit “Rilindje me Besë” dhe “Aleancës për Shqiptarët” do të jetë i patjetërsueshëm dhe i pashmangshëm. Tani që koalicioni “Rilindje me Besë” e ka mandatin e votuesit shqiptar për të formuar një koalicion të tillë opozitar, presioni i opinionit publik dhe elektoratit do të ishte shumë më i sforcuar në rast të mos krijimit të një koalicioni të tillë. Qëllimi i këtij koalicioni do të ishte fitimi i zgjedhjeve tek shqiptarët dhe fituesi i pozicionit të mandatarit të Shqiptarëve për krijimin e qeverisë së re dhe parashtrimin e platformës së përbashkët ndaj mandatarit të partisë Maqedonase. Humbja e zgjedhjeve nga partitë opozitare dhe formimi i një qeverie të re bazuar në rregullin, fituesi me fituesin, krijimi i një qeverie VMRO-BDI nën mbështetjen e ndryshimeve të konstelacioneve ndërkombëtare, do të ishte shkatërrimtar për opozitën dhe mundësinë e ofruar për krijimin e një shoqërie të hapur në riformësimin e një paradigme të re për inter-subjektivitet dhe zhvillimin e mirëqenies shoqërore.
You must be logged in to post a comment Login