Ky do të duhej të ishte parimi bazik në lidhje me rastin e mësimdhënëses së shkollës fillore “Visar Krasniqi”, në Drenoc të Malishevës, të cilën po e kundërshtojnë familjarët dhe fëmijët për shkak të mbulesës së saj. Së paku ky parim do të duhej të vlejë në këtë kohë kur shteti nuk ka vendosur një normativë nëse do të ndalojë apo të lejojë bartjen e shamisë në shkolla për mësimdhënëset. Apo, nëse do t’ia ndalojë apo t’ia lejojë një mësimdhënëseje bartjen e një minifundi sikurse një “seks-bombë” nga filmat pornografikë.
Nuk ka mbetur zgjidhje tjetër në një shtet sekular si Kosova, që nuk ka asnjë normativë elementare të veshjes.
Mbi këtë parim në një shtet që me Kushtetutë është sekular, cili është kodi i veshjes për shërbyesit civilë? Cili është kodi i veshjes për deputetë? Cili është për mësimdhënësit e cili për punëtorët shëndetësorë?
Shumë pyetje vargohen prej asaj se si është e mundur që Universiteti të lejojë bartjen e shamisë për studentet, për të nxjerrë kuadro profesionale të përgatitura në lëmi të caktuara, por të mos lejohet pastaj bartja e shamisë apo simboleve të tjera fetare për të diplomuarit në shkolla?
Parë edhe më ndryshe, si është e mundur që Kuvendi si institucioni më i lartë i një shteti të lejojë futjen me shami të një deputeteje, ndërkohë që ky standard të mos vlejë edhe për shkollën?
Paradokset nuk kanë të ndalur ku në një shtet nuk do të dinte si të gjykojë në këto raste as kadiu më i mirë.
Por, nëse ndalemi nga vetja. A do të parapëlqente secili prind që një mësuese me shami apo një tjetër që shkon në punë me minifund ta mësojë fëmijën e tij? Të harrojmë për një çast religjionin dhe të mendojmë vetëm si një komb që kemi tri fe.
Si do të ndihej një fëmijë i krishterë para mësimdhënëses e cila bart një shami sipas normativave arabe? Apo, si do të ndihej një fëmijë nga komuniteti mysliman që do ta mësojë lëndën e biologjisë nga një mësimdhënëse me veshje të një motre të nderit?
Cili do të ishte koncepti për prejardhjen e njeriut nga mësuesja e biologjisë me shami e cili do të ishte koncepti për prejardhjen e njeriut nga mësuesja e biologjisë me veshjen e një motre nderi të krishterë?!
Megjithëse edhe pa shami të dy mësueset mund të kishin mendime të ndara për këtë temë, pikërisht për t’i shmangur këto situata shteti duhet të nxjerrë një rregull përmes të cilit do të përcaktohej një kod veshjeje për secilën kategori shtetërore të të punësuarve. Kështu nuk do të krijohej një amulli dhe nuk do të ketë as paragjykime tek prindërit e as nuk do të çonte në keqpërdorimin e fëmijëve për qëllime fetare apo antifetare.
Të ndalohen apo të lejohen të dy ekstremet. Ai ku mësuesja me minifund mban mësimin para adoleshentëve e që në sytë e tyre më shumë shihet si një “seks-bombë” sesa si një mësimdhënëse. Apo duhet t’i thuhet jo të dy ekstremeve.
You must be logged in to post a comment Login