Connect with us

Përshëndetje, çka po kërkoni?

siAGORA NetworksiAGORA Network

Arkivi 2013-2021

Kush u zotua për dhe po punon kundër “Alternativës shqiptare demokratike – Lugina e bashkuar”

Për herë të parë pas përfundimit të luftës në Luginë të Preshevës, partitë shqiptare dalin më të “bashkuara” se kurrë në zgjedhjet parlamentare në Serbi që do të mbahen më 21 qershor. Gjithçka ishte nisur me një interesim të shtuar të Tiranës zyrtare për të rritur një Bashkim të spektrit politik për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare. Kurorëzimi i angazhimeve të ministrit të jashtëm shqiptar Gent Cakaj ishte arritur me nënshkrimin e marrëveshjes për koalicionin parlamentar nga pesë subjekte, PVD, APN, PD, LPD dhe LRPDSH. Marrëveshja kishte definuar Partinë për Veprim Demokratik si subjekti i cili do t’i prijë kësaj liste, duke respektuar me gjasë përvojën e gjatë të parlamentarizmit të këtij subjekti, por, edhe fuqinë politike rajonale që PVD e ka.

Gjendja e jashtëzakonshme dhe lufta kundër Covid 19, e cila kishte prolonguar mbajtjen e zgjedhjeve, fillimisht të përcaktuara për 24 prill, ndërpreu edhe aktivitete e partive nënshkruese procedurën për zgjedhjet parlamentare. Tash, kur sërish ka rifilluar procesi zgjedhor në Serbi, edhe këto pesë parti arritën mes veti të dakordojnë edhe pjesët teknike të marrëveshjes së koalicionit për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare nën Moton Lugina e Bashkuar.

Secila parti ka përcaktuar kandidatët e vet dhe lista e përbashkët pritet t’i ketë 12 kandidatë.

Tashmë është e qartë se numri një në listë, i cili i takon PVD-së, do të përfaqësohet nga Shaip Kamberi, kryetar i PVD dhe kryetari aktual i Bujanocit. Secila parti e ka pas të qartë këtë fakt që në momentin e nënshkrimit të Marrëveshjes, së paku asaj teknike.

Tanimë, kur procesi zgjedhor gjendet në fazën e grumbullimit të 10 mijë nënshkrimeve të nevojshme, në parim, gjithçka duhet të jetë normale. Megjithatë, siç thotë një fjalë e urtë “dreqi flenë në detaje” edhe kësaj radhe duket se “dreqi po bën punën e vet” duke mos lënë rehat idenë e listës së përbashkët.

Dy nga pesë partitë, kanë nisur një fushatë të nivelit të ulët politik e moral kundër kandidatit numër një në listë – Shaip Kamberi. Me lajme të rrejshme, keqpërdorime të gjysmë informacioneve apo fabrikim të informacioneve, ato po tentojnë ta njollosin bartësin e projektit të Tiranës.

Pse ndodh kjo, është për të u habitur. Është kjo për shkak të interesave lokale që këto subjekte e kanë në zgjedhjet lokale të cilat në Bujanoc do të mbahen të njëjtën ditë, apo në prapaskenë ka edhe plane tjera të cilat po tentojnë ta prishin projektin e Tiranës?

I pari i listës parlamentare, Shaip Kamberi, nuk është kandidat për kryetar komune për Bujanoc, që do të thotë nuk është rival i drejtpërdrejtë i asnjërës parti politike në Bujanoc. Interesi i përbashkët i pesë partive nënshkruese të marrëveshjes së Tiranës është që të mblidhen sa më shumë vota për nivel parlamentarë me qëllim që numri i deputetëve shqiptarë i dalë nga këto zgjedhje të jetë së paku dy e me dëshirë edhe tre deputetë.

Por, fushata shpifëse që po e ndjekin këto dy subjekte, po e dëmton rëndë interesin e listës së përbashkët. Më këtë fushatë këto subjekte po i dërgojnë mesazhe elektoratit të vet që nuk duhet të votohet lista parlamentare, pra ato me këtë rrezikojnë edhe arritjen e votave të mjaftueshme për një deputet.

Kjo jo që dëmton rëndë Marrëveshjen e arritur në Tiranë, por, tregon për dyfytyrësinë e këtyre subjekteve ndaj elektoratit të vet.

Së pari, nëse këto subjekte kanë vërtetë fakte kundër Shaip Kamberit, do të ishte morale e burrërore, me veprim të përgjegjshëm politik, të tërhiqen nga lista e përbashkët.

Përndryshe, duke vazhduar të qëndrojnë në listën e përbashkët, e në anën tjetër të bëjnë fushatë të njollosjes së kandidatit të parë të kësaj liste, ato po e nënçmojnë së pari elektoratin e vet. Nuk janë të sinqertë, në radhë të parë ndaj votuesve të tyre. Kjo mungesë e përgjegjësisë politike të këtyre subjekteve, nuk mund të korrigjohet ndryshe veç me ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Tiranës zyrtare. Ajo që ishte kumbarë e këtij koalicioni duhet të marrë përgjegjësinë edhe për mbarëvajtjen e tij. Fundja, ajo ka mekanizmat e domosdoshëm edhe për të disiplinuar ata që për interesa të kushedi kujt cenojnë një projekt të përbashkët shqiptar, që po ndodhë për herë të parë.

Të shpresojmë edhe në seriozitetin e Tiranës zyrtare sa nuk është bërë vonë!

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply