Connect with us

Përshëndetje, çka po kërkoni?

siAGORA NetworksiAGORA Network

Arkivi 2013-2021

Presheva peng i “të fortit’ dhe heshtjes së opozitës

Ndërsa po i harxhohen ditët organit të “fortë” në Preshevë, deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Preshevës, misteri i heshtjes së opozitës sa vije e rritet.

Nuk e di nëse “i forti” i komunës i vendosur nga “lobistët” e SNS në qeverinë aktuale, (sepse Ana Bërnabiq – kokëministre e Serbisë sipas dëshmitarëve është shprehur e habitur nga ajo që në vendim është emri i saj përderisa thotë se ajo nuk ka vendosur e as nuk ka firmosur dokumentin për udhëheqjen e organit të përkohshëm), ka arrit që të hipnotizoj opozitën apo këta të fundit e kanë strategji heshtjen.

“I forti, njeri i devotshëm, i urtë, i butë e zemërmirë”, por artist me pak shkollë, paraqitet tërësisht “naiv dhe i pa faj” për zgjedhjen e tij në pozitën e organit të përkohshëm e “i çuditur” madje me zgjedhjen e bashkëpartiakut të tij si krah i djathtë edhe në këtë organ, kurse “i habitur” me emërimin e anëtarit të SNS – lobistit të tij në zyrat qeveritare në Beograd, për anëtar të tretë.

Ndërsa vjell vrer për “klasën komuniste”e cila ka qeverisur me Preshevën për njëzet e ca vite, duke e akuzuar se është fajtore për organin e përkohshëm, gjendjen e skamjes, moszhvillimin ekonomik, prapambeturin, mosdijen e hartimit të projekteve e të gjitha të zezat që shpesh i numëron sikur t`i kishte të incizuara, harron në paraqitjet e tija publike, nga krekosja për suksesin e tij dhe të subjektit “dabël ndryshim” që kishte arrit të bind disa këshilltarë të mos marrin pjesë në seancat e Kuvendit Komunal për më se tre muaj.

E për këto opozita heshtë!

Opozita heshtë edhe kur “i forti” që tashëm i ka vendosur epitetin vetes AGA, shkarkon e emëron këshilla e drejtorë, kërcënon e bërtet sikur të ishte mbret.

Njëzet e pesë vjet aktivitet politik, nga fillimi i pluralizmit politik, subjektet politike që tubojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës në përgjithësi e veçanërisht ato në komunë të Preshevës u përballën me lloj lloj furtune, ndalese, persekutimi, arrestimi, shantazhimi, lufte, dëbimi e çka jo, por asnjëherë nuk heshtën. Për çudi tani heshtin!

Nuk e di nëse më ka përfshi “daltonizmi”, apo kjo që po shoh është ajo që e shkrova, por heshtja nuk ka vend!

Nuk ka vend heshtja, kur nuk e dimë se kush është ‘i forti”, nga hyri në jetën publike dhe si u bë ai të vendos për fatin e fëmijëve tanë që me mund e sakrificë po i rrisim në këtë vend të harruar, të pazhvilluar, të militarizuar dhe të copëtuar. Jo se nuk ditëm ne, e nuk po dimë, por se jemi shqiptarë dhe të tillë nuk na deshi as Millosheviqi, as Gjingjiqi, as Koshtunica e Tadiqi, e jo më Shesheli, Vuqiqi e së fundi as Bërnabiqi. Ndërsa fëmijët e vet i rritë në Gjermani, atje ku thotë se ka lindur e rritur. Atje ku askush nuk e di se çfarë e ku punoi, ç`shkollë nisi e ku përfundoi. A po ndoshta gjithnjë ai planifikoi e dikush punoi, kurse ky menaxhoi, sikur që ishim dëshmitarë i disa muajve sa jetoi me familjen e tij këtu!

Pse vallë kjo mendësi e prapë që ne paskemi nevojë për zhvillim ekonomik, para zgjidhjes politike të statusit tonë. Kush është “i forti” që po instalon mendësinë e keqe, që na bënë fajtor ne e e amniston Serbinë, që tash e më se një shekull ndaj nesh bënë diskriminim shtetërorë, stimulon mos zhvillim ekonomik, nuk i njoh diplomat, shpërnguli mijëra shqiptarë nga vatrat e veta me idenë e pjesëmarrësve për terrorizëm, arrestoi për akuza çnjerëzore dhe doli humbëse në gjykatat e veta. Kush është “i forti” që fajëson shqiptarët e papërkrahur karshi aparatit të sofistikuar shtetërorë të gatshëm për jetësimin e idesë së shfarosjes së çdo gjëje shqiptare!

Vallë a duhet të heshtë opozita!
Ideja për qasje ndryshe në raport me qeverinë në Beograd, nuk është e paprovuar, modele të tilla kemi pas edhe më herët, por ato kanë dështuar, ndërsa individ kanë përfituar.

Nëse përmes servilizmit, përulësisë, lobizmit tentohet zgjidhja, këto metoda nuk janë progresiste, sepse ato nuk zgjidhin problem por vetëm prolongojnë zgjidhje dhe thellojnë problemet, ndërkohë që humbësi mbetemi sërish ne.
Në kohën e prerjeve të mëdha historike, kur rajoni pretendon të integrohet në BE, në të cilën kusht mbetet zgjidhja e çështjes së pakicave etnike, pa dyshim se një politik që amniston Serbinë më së shumti i shkon në favor vetë Serbisë.

E opozita heshtë, sikur e pafaj!

Tendenca e “të fortit” për përvetësim të sukseseve, paraqitja prej shpëtimtari dhe “dijetar të Ballkanit”, e paraqesin komplet naiv dhe të paditur, egoist e hipokritë, konformist dhe ambicioz deri në dozën e sadistit.

“I forti” me përkrahje të fortë, nuk e përfaqëson as tridhjetë përqindëshin që e fitoi në zgjedhjet prillit të viti të kaluar. Kjo për ditë e më shumë po vërtetohet nga largimet e atyre që e menduan si çelësin magjik të zgjidhjes së problemeve ende pa ia parë veprimet.

Tani kur u vërtetua thënia “ jepi pushtet që ta vërtetosh në realitet”, dhe kur çdo ditë shënohen skandale, nuk e di nëse me heshtje kundërshtohet apo përkrahet dikush që kurrë nuk punoi, por vetë jetoi dhe vazhdon të jetoj në luks. Dikush “që ndihmoi skamnorët” me parat e të tjerëve, dikush që edhe para miqve ndërkombëtar të Luginës merr guximin dhe amniston Serbinë, ndërsa fajëson shqiptarët si të paditur e jo pragmatistë karshi shtetit që as në dialog nuk i pranon! Dikush që fshinë historinë e rezistencës paqësore, e vlerëson gabim Referendumin gjithëpopullorë, fajëson luftën , madje akuzon dallimet e politikës shqiptare që nuk janë gatshme të ndërrojnë flamurin kombëtar. Dikush që pranon nënshtrimin si fitore e zgjidhjes ekonomike dhe pasurisë. Ndërsa sa herë që i duhet justifikim përdor simbolet kombëtare, takon patriot me e pa protokoll.

Dhe vetvetiu vjen pyetja: Cili është ndryshimi i pritur nga “ i forti”? A ndoshta këta më herët nuk ditën që të luajtën të “fortin” e Beogradit dhe “të fortin” e Prishtinës, apo me “ të fortin” po fillon epoka e re e “status quo-s” së vjetër!

E heshtja, thuhet se është gjysmë pranimi!

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply