SHKËMBIM TERRITORESH APO SHKËMBIM POPULLATASH

* Presheva e Bujanoci janë dy komuna në jug të Republikës së Serbisë (Rrethi i Pçinjës) e në lindje të Republikës së Kosovës. Pjesa dërrmuese e popullatës, që jetojnë në këto dy komuna janë shqiptarë. Medvegja është një komunë në mes të Leskocit (Komunë që bie në rrethin e Leskocit në Republikën e Serbisë), e Prishtinës (kryeqytet i Republikës së Kosovës), e që nuk ka lidhje territoriale (rrugë të drejtpërdrejtë të kalueshme) as me Bujanocin e as me Preshevën. Ajo që i bashkon këto dy komuna (Preshevë e Bujanoc), me Medvegjën është, se që të tri komunat gjenden në Republikën e Serbisë, dhe që në të tri këto komuna jeton një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve etnik. Në Preshevë, nga numri i përgjithshëm i popullatës mbi 90% janë shqiptarë etnik, në Bujanoc mbi 65%, ndërsa në Medvegjë nga numri i përgjithshëm i banorëve momentalisht nuk jetojnë as 20% shqiptarë etnik.

Territori i dy komunave: Preshevë e Bujanoc nuk lidhet askund me territorin e Medvegjës, por që viteve të fundit (pas vitit 1999), ka nisur të përdoret emërtimi politik: Lugina e Preshevës, në të cilin emërtim është inkorporuar edhe Medvegja. Në të vërtetë në Luginë të Preshevës sipas ndarjes gjeografike bën pjesë një grykë e ngushtë e komunës së Bujanocit dhe territori i Komunës së Preshevës, deri diku në kufirin me Kumanovën (komunë në Republikën e Maqedonisë). Këto dy komuna (Preshevë e Bujanoc administrohen nga pushteti i Beogradit), por që në shkurt të vitit 1992 shqiptarët e këtyre komunave, përfshirë edhe shqiptarët e Medvegjës janë përcaktuar për Autonomi Politike Territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Por ky deklarim i tyre ka mbetur në letër, e mbase pritet një moment i volitshëm për ta sendërtuar atë deklarim.

Tani kur flitet për shkëmbim territoresh, apriori zhbëhet deklarimi i shqiptarëve të këtyre anëve që t’i bashkëngjiten Republikës së Kosovës pa kushte. Ideja e shkëmbimit të territoreve domosdoshmërish prodhon kushte, e kushtet prodhojnë situata të rënda politike. Ato situata të krijuara kërkojnë kompromise dhe asnjëherë nuk kënaqin dy palë në konflikt. Të flitet për ndërrim territoresh mes dy shtetesh e të mos sqarohen vijat administrative, kadastrale dhe ato kufitare, do të thotë të hedhim një të shkrepur të një gazi në ajër, i cili avullohet e nuk shihet askund. Shkëmbimi nuk është proces i lehtë. Sepse nuk shkëmbehet mall të mbushur në thasë. Nuk shkëmbehet dushk për gogla.

Po shkëmbejmë fate njerëzish. Duam të shkëmbejmë territore? Edhe unë jam për këtë propozim. Por, çfarë në të vërtetë shkëmbejmë? Shkëmbejmë pjesë të territoreve të komunave në fjalë, apo shkëmbejmë tërë territorin e atyre komunave? Po që se shkëmbejmë vetëm pjesë të atyre territoreve nuk është kryer puna, sepse matanë atij kufiri që do ta vizatojmë do të mbeten edhe më tutje pasuri dhe shqiptarë, që do të duhej të ishin pjesë e Republikës së Kosovës, sikundër që do të mbeten edhe këndej kufirit të vizatuar edhe më tutje pasuri dhe serb, që do të duhej t’i takonin Republikës së Serbisë. Në të vërtetë, kur flasim për shkëmbim, për se e kemi fjalën? Për shkëmbim territoresh apo shkëmbim popullatash? Cili është çmimi nga do të niset pazari, apo çmimi është caktuar, tani vetëm duhet të niset pazari? Po shkëmbejmë territoret dhe kjo pjesë është jona e kjo pjesë është juaja apo?..”

Po që se do të donim të shkëmbenim tërë territorin e atyre komunave, atëherë shtrohet dilema: Kujt do t’i takojë korridori i dhjetë, përkatësisht autostrada Beograd-Shkup-Gjevgjeli-Stamboll (Pjesa e autostradës nga Bujanoci deri në Kumanovë?) Ose më thjesht: Ç’do të bëhet me qytetin e Bujanocit dhe me qytetin e Medvegjës? Si do t’i ndajmë këto dy qytete? Nëse duam ta marrim Bujanocin e ta vendosim në Kosovë, a do të duan serbët e Bujanocit, që Bujanoci të jetë pjesë e Kosovës? E njëjta pyetje vlen edhe për Medvegjën.

Po që se duam vetëm fshatrat e Bujanocit t’i marrim e t’ia bashkëngjisim Republikës së Kosovës, e Tërrnocin ta bëjmë komunë, dhe po që se duam që vetëm fshatrat e Medvegjës të banuara me shqiptarë (pa shqiptarë) t’ia bashkëngjisim Republikës së Kosovës, e Banjën e Siarinës a Tupallën ta bëjmë komunë, atëherë do të ishte në rregull për atë pjesë dhe për atë popullatë, por nuk do të ishte në rregull për pjesën tjetër dhe popullatën shqiptare, që mbetet jashtë këtyre kufijve, dhe me të drejtë shtrohet pyetja: Ç’do të bëhet me ato prona dhe me ata njerëz, që mbeten jashtë këtyre territoreve (jashtë Tërrnocit, Banjës së Siarinës a Tupallës?) Ose, hajde që po i lëmë jashtë një numër të vogël pronash dhe një numër të vogël banorësh, por, si do të ndahet Bujanoci? Në Bujanocin lindor dhe në Bujanocin perëndimor dhe të vizatohen kufijtë e ri me rrugë e rrugica? Ashtu do ta ndajmë dhe do ta shkëmbejmë? Momentalisht është një qytet i ndarë më dysh. Është kjo Mitrovica, dhe e kemi parë dhe po e shohim sa probleme janë paraqitur e po paraqiten vazhdimisht dhe me sa vështirësi ballafaqohet Qeveria e Republikës së Kosovës.

Tani, nga një Mitrovicë e ndarë në bazë etnike duam të krijojmë edhe një Bujanoc të ndarë mbi bazën etnike. Dhe, e fundit: Po e ndajmë mbi bazën e vijës së hekurudhës? apo, Po e marrim për bazë autostradën dhe mbi këtë bazë po e bëjmë pazarin?.. Janë këto çështje që duan shpjegim. E shpjegimi jepet ose nxirret nga një elaborim i thuktë dhe një studim deri në imtësi i ekspertëve që e njohin këtë lëmi.

Përderisa nuk bëhet një gjë e tillë, askush nuk do të merret me të deklaruarit e dëshirave tona. Dhe, përderisa qëndrojmë në vendnumëro, ato deklarata e ato dëshira do të mbeten vetëm deklarata e dëshira tona, që do të paraqiten vetëm para kamerave televizive për një konsum të brendshëm politik.

Shpërndaje me të tjerët...
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin
Share on Tumblr
Tumblr
Më shumë nga Ferid Selimi

SA KA DENIGRUAR NJERIU I ARSIMUAR?!

* Eu! Sa ka degraduar shkolla!?.  Sa ka degraduar arsimi!?.  Sa ka...
Lexo më shumë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *