Connect with us

Përshëndetje, çka po kërkoni?

siAGORA NetworksiAGORA Network

Arkivi 2013-2021

Përgjegjsia publike e çdo kryetari KAUBOJ

Pak ditë pasi që postova disa foto ku kryetari i komunës së Preshevës po pinte cigare brenda hapësirave shkollore, filluan të më vinin “të fala” dhe “selame” për t`më këshilluar se nuk është e hijshme dhe nuk më takon mua të merrem me këtë punë. Nga persona që kurr në jetë s`më mësuan gjë të mirë, kurrë gjatë jetës nuk më këshilluan për asnjë gjë, edhe atëherë kur po ata persona ndoshta më donin më shumë pasi që më kishin shok, mik apo disa nga ta edhe nxënës.

Durova disa ditë duke injoruar këshillat e panevojshme dhe të turpshme të personave të  pafytyrë, dhe m’u desh të ulem, të filloj të shkruaj këtë shkrim desha apo s’desha se qysh thotë BimBimma me ni këngë “M`ka ra n`hise me lind n`këtë vend t`PLAST, e di që ma mirë isha rrit me pas lind JASHT”.

Nuk po e filloj me shkru mendimin tim personal por po e filloj duke cituar profesorin e respektuar, akademikun Esat Stavileci që thotë:

“Disa paraqitje të fundit publike, këndej dhe andej kufirit, të figurave politike, madje edhe në foltore të parlamentit, sikur dëshmojnë nivelin e ulët të kulturës politike,  madje edhe të mungesës së saj. E vështruar kështu, kultura politike është një “nënsistem” i sistemit politik që përmbledh “normat dhe parimet”mbi “mënyrat e drejtimit dhe të qeverisjes së shoqërisë”, nëpërmjet sistemit politik”.

Tani ajo që thotë profesori i nderuar Stavileci duke e marrë guximin për ta thjeshtësuar me qëllim që ta kuptojnë të gjithë, nënkupton që nëse një kryetar i komunës pa marr parasysh emrin dhe mbiemrin e tij, i cili paguhet nga qytetarët e asaj komune për të udhëhequr atë komunë me qëllim që të përmirsojë gjendjen momentale në të mirën e qytetarëve të po asaj komune, ai person përveç përgjegjësive personale dhe private të tija, i shtohen edhe përgjegjsitë publike e që nënkupton që çdo sjellje, deklaratë apo veprim i tij apo e tija posedon në vete përgjegjësi të veçanta krahas të gjithë banorëve të asaj komune.

Kjo i bie që unë asnjë moment s`kam bë asgjë që nuk më takon përveç që shpreha nje mendim timin të bazuar në fakte të prekshme, për një kulturë që ka qenë para viteve ‘90 prezent e që është dashur të mbetet në histori të cilën do ta kishin mësuar nxënësit e shkollave fillore si shembull i keq që nuk duhet përsëritur kurr më.

Por kur jeton një jetë siç thot BimBimma “jetën e mirë e kemi veç kur jemi tu andrru”  dhe në një vend ku “e ardhmja prishet” e në të cilin nuk jeton djali i kryetarit me arsyetimin se nuk ka perspektivë ky vend, përveç asaj që unë bëj me gisht ka kryetari kauboj që pin cigaren në shkollë fillore ku përveç se është e ndaluar me ligj, përgjegjësia publike është edhe më e rëndë pasi që i jep shembull dhe fotografi ekstrem të keqe të rinjve të asaj shkolle në kuadër të mendimit të duhanpirjes. Pra nëse kryetari kauboj nuk ka mundësi ti avansoj kushtet e shkollave dhe procesin e mësimit për nxënësit tanë, unë si qytetar aktiv e që e dua këtë Preshevë ashtu siç është nuk mund t`ja fali nëse nuk respekton një ligj,e të cilin do të duhej të ishte vet ai garancë për të u implementuar.

Ajo që është edhe më e keqe dhe më e papranueshme se kto këshillat nga njerëz të ndryshëm se po e teproj me këto postime, është qetësia e prindërve të cilët dërgojnë nxënësit për të mësuar në atë shkollë.  Pyetja ime për të gjithë prindërit është shumë e thjeshtë: Si është e pranueshme për këta prindër që shkolla posedon polic i cili ruan fëmijët përveç tjerash edhe mos të pijnë cigare e po këta prindër si brengos fakti që kryetari kauboj ua ofron atë fotografi fëmijëve të tyre si diçka normale? Si munden këta prindër të rrinë të qetë e kurrë mos të brengosen për atë që fëmijët e tyre mësojnë në shkollë, në bazë të cilës dije do të jetojnë nesër? Si është e mundur që po këta prindër që janë në gjendje të derdhin miliona për ardhmërinë e fëmijve të tyre, të mos iu interesojë asgjë që ndodh në kuadër të shkollave gjatë kohës kur janë fëmijët e tyre aty, përveç notave në çdo fund të tremujorit????

E deri sa nuk i kuptopj prindërit por i pyes, personave që po më këshillojnë pa kurrëfarë nevoje dhe pa kurrëfarë morali i them se nuk duhet të jesh as deputet, as kryetar e as prind në fund të fundit që të kesh të drejtë  të reagosh dhe kritikosh kur e sheh se në ç‘mjerim përveç tjerash na ka ardhur edhe arsimi fillor. Shkollën fillore nuk duhet shikuar vetëm si objekt, në të cilin biznesmenët dhe afaristët lokal mund të fitojnë gjatë renovimeve dhe punimeve në to, por ajo është çelësi i të nesërmes për të gjithë ne, e çdo kend pa marrë parasysh se kush është kryetar, kush drejtor dhe se a shkruaj unë për të apo jo.

Mirë, po në një farë mënyre edhe mbase krejt në fund  mund të ju kuptoj sepse fenomeni i të qenurit qytetar aktiv në një shoqëri, e dëshirës për të kontribu në të mirën e vendit tuaj nuk është gjë që mund të blihet por është personalitet i lindur,dhe më vjen mirë që është kështu pasi që edhe këtë do ta kishit ble kah moti dhe do ta kishit shkatërruar sikurse që keni shkatërruar çdo gjë që keni mundur deri më tani ta bleni dhe ta keni.

(fotot e lidhura me tekstin: https://www.facebook.com/updudha/posts/10204825638225008)

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply