Connect with us

Përshëndetje, çka po kërkoni?

siAGORA NetworksiAGORA Network

Lugina2017

Plani shtatë pikësh sfidë dhe një objektiv i ynë

Në aspektin politik, viti 2016 ishte vit zgjedhor në vend dhe si i tillë mund të konsiderohet si vit i cili solli ndryshime në udhëheqjen e dy komunave Bujanoc dhe Preshevë.

Për Partinë për Veprim Demokratik mund të konsiderohet edhe si vit i vazhdimësisë të të qenurit aktiv në Parlamentin Republikan, pasi që edhe kësaj radhe si parti e vetme shqiptare pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare, është arritur të sigurohet përfaqësimi ynë me një deputet. Në raport me mandatin e kaluar kur kishim arritur të kemi dy mandate deputetësh, kësaj radhe kjo është dështim, me që me një vend të fituar fuqia jonë politike është më e brishtë. Sigurisht që në këtë kanë ndikuar politikat lokale të bojkotit aktiv të zgjedhjeve por që u reflektuan vetëm kundër kandidatit shqiptar, ndërkohë që subjektet e caktuara përkrahën listat e partive tjera, sikurse të Zukurliqit të Sanxhakut apo edhe votat që u dhanë për SNS-në. Kjo e dëmtoi fuqinë tonë politike.

Në aspekt të qeverisjes lokale duhet pasur parasysh mundësitë e limituara të qeverisjeve pushteteve, që shpesh paraqiten si pengesë e realizimit të ndonjë projekti më të madh. Shumica e aktiviteteve kufizohen në bazë të buxhetit të aprovuar për vitin paraprak, e që në këtë rast ishte buxhet të cilin ne e kishim trashëguar. Por, pavarësisht kësaj, sigurisht se realizimi i të të gjitha projekteve të planifikuara për vitin 2016, është sukses në vete. Kemi arritur që të përfundojmë gjithë projektet e parapara për vitin 2016 me një dinamikë të kënaqshme. Në aspektin më të gjerë politik, viti 2016 fatkeqësisht mbeti i njëjtë me vitet që i kemi lënë pas. Nuk ka asnjë avancim te të drejtat kolektive të shqiptarëve. As vendimi i Kuvendit të Bujanocit për emërtimin e sheshit të qytetit me emrin Skenderbej, nuk mori pëlqimin e Ministrisë së pushtetit lokal. Kjo na detyroi që lëndën ta dërgojmë në kushtetuese dhe jemi në pritje të vendimit të kësaj Gjykate.

Në raport me shtetin, nuk ka ndonjë lëvizje as në procesin e krijimit të kushteve për participim të barabartë të kuadrove shqiptare në institucionet publike shtetërore.

As kjo qeveri e udhëhequr nga të ashtuquajturit të reformuar, për kundër faktit se ka filluar bisedimet me BE-në për kapitullin 23 dhe 24, nuk ka treguar interesim për të zgjidhur këto probleme. Ajo që është më keq është fakti se as Bashkësia ndërkombëtare dhe mekanizmat e saj nuk po tregojnë ndonjë interesim të shtuar për gjendjen në Luginë të Preshevës.  Nuk ka lëvizje as në aspekt të reformimit të Trupit koordinues, diçka që vetë kryeministri Vuçiq e kishte premtuar.

Pra, viti 2016, është vit i ngecjeve të mëdha në aspekt të përmirësimit të drejtave tona kolektive në raport me Beogradin. Por, duhet thënë se nuk ka diçka konkrete as në raport me Tiranën e as Prishtinën zyrtare. Përveç përkrahjeve deklarative që po vazhdojmë t’i marrim, as Prishtina as Tirana nuk kanë treguar ndjeshmëri për të përkrahur së paku me ndonjë projekt simbolik Luginën e Preshevës.

Ky vit është vit i sfidave të shumta. Ne duhet të vazhdojmë të tentojmë të përmirësojmë pozitën tonë në raport me Beogradin, duke shtruar kërkesa të vazhdueshme në atë adresë. Por, duhet kërkuar nga Bashkësia ndërkombëtare, që ajo të jetë më proaktive në këtë rajon. Plani 7 pikësh, që është një objektiv i ynë, i cili ka marrë përkrahjen e ndërkombëtarëve, duhet të futët përsëri në agjendë. Serbia duhet detyruar që të bisedojë për realizimin e objektivave që përmban Plani. Kjo, natyrisht kërkon një bashkëpunim më të ngushtë mes dy komunave dhe KKSh, që për momentin nuk është i kënaqshëm.

Pra, një ndërveprim i politikave tona lokale, besoj do ta shtyjnë Bashkësinë ndërkombëtare të jetë më proaktive ndaj nesh, por, edhe do ta detyrojnë Serbinë që, në procesin e bisedimeve me BE-në, për kapitujt 23 dhe 24, të nisë realizimin praktik të të drejtave të shqiptarëve.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply