ZUKORLIQI KUNDËR ZUKORLIQIT

* Aftësia për të ambientuar resurset natyrore për nevojat e veta dhe për ta projektuar ardhmërinë e tij, njeriun e bënë qenie të zgjuar, të mençur apo si njihet ndryshe edhe si homo sapiens, për dallim nga krijesat tjera që gjetjet në natyrë i përdorin vetëm sa për të mbijetuar për nevoja biologjike. Homo sapiensi është qenie politike sepse ka mendim politik. Njeriu pa mendim politik nuk do të meritonte vëmendje sepse do të shndërrohej në krijesë pa mision e vizion. Kush do të ishte Muhamer Zukorliqi pa mendim politik? Nëse do ta portretizosh Zukroliqin të zhveshur nga mendimi politik që përfaqëson ai, sigurisht do të mbetej një anonimus si shumë të tjerë, fare i parëndësishëm.

Ngritja e tij në karrierë, shkëlqimi politik, është i trasuar në rrugë të ndryshme. Marrëdhënia e tij me opinionin publik fillon nga formimi kulturor i një teologu, me pretendime për t’u bërë liderë në fushën e organizimit fetar – myfti, akter në jetën social kulturore i veçuar me solidarizim humanitar, i dalluar me veprimtari arsimore kulturore – rektor universiteti, deri te ambicia politike e një politikani të paprofilizuar duke përfunduar në krahët e monstrës politike si Shesheli dhe ish bashkëpunëtorët e tij politik, presidenti i tanishëm Aleksandër Vuçiq dhe kryeparlamentari Ivica Daçiq. Skena dominuese politike serbe aktualisht është produkt i mendimit politik të ish diktatorit Millosheviq e karakterizuar me homofobi politike, etnocentrike, ksenofobike me elemente fashizoide që kanë shkaktuar vuajtje më përmasa gjenocidi e etnocidi në hapësirat ish – jugosllave, sidomos në Bosnje dhe Kosovë. Kultivimi i ndjenjave historike nacionaliste në Serbi ka prodhuar mendësi politike e cila në dekadën e fundit të shek. XX, është shquar me nacionalizëm agresiv shovinist ndaj çdo gjëje që është jo serbe. Zukorliqi tani është nënkryetar i parlamentit që e drejton Daçiqi.

Nëse e portretizon personalitetin e Zukorliqit saktë dhe drejt, duhet t’i përmenden dy anët e medaljes. Ngritja e tij dallohet me suksesin e organizimit institucional të jetës fetare dhe kultivimin e ndjenjës për identitetin kulturor të pakicës boshnjake në Serbi. Pjesa tjetër është instrumentalizmi i autoritetit moral për fuqizim të subjektivitetit politik. Autoriteti moral i ngjyrosur me idealizmin fetar jo në pak raste e ka dekonstruktuar politikanin. Aktualisht shembulli më tipik i kësaj mendësie politike është Zukorliqi. Nuk është problem pse është aktivizuar në politik, problemi qëndron në faktin se imazhin e liderit politik po e ndërton nën hijen e ligjërimit të moralitetit fetar. Zukorliqi në politik flet sikur Zukorliqi kur ishte myfti. Nuk ka rëndësi se në rolin e politikanit ai e dekonstrukton veten nga roli i mëparshëm i myftiut. Këtë e kuptojnë të gjithë, e kupton edhe ai vet, por nuk i bëhet vonë, si nuk i bëhet vonë shumë kolegëve të tij në familjen politike.

Politikani betejën në shesh e fiton përmes shkathtësisë thoshte Niçeja. Zukroliqi i flet qytetarit politik sikur xhematit në xhami. Tipik politikan populist, që popullin nuk e shikon si audiencë por si turmë. Ai meqë e ka bindur xhematin në xhami nga pozicioni i myftiut, tani kërkon edhe elektoratin ta bind nga pozicioni i politikanit! Ai e percepton qytetarin si xhemat; i kërkon bindjen pa i ofruar dëshminë. Politikani i pandërgjegjshëm ekstazën politike e ndien kur e sheh sovranin të bindur, jo të racionalizuar për të kërkuar llogaridhënie.

Nuk është e vështirë të dekonstruktohet demagogjia politike e Zukorliqit. Varësisht nga momentumi politik ai në mëngjes, shfaqet me prejardhje iliropellazge, në mesditë e forcon identitetin e gaziut turko osman të boshnjakut patriot, në mbrëmje në një nga televizionet kombëtare serbe proqeveritare në Beograd, lavdëron ndërtimin suksesshëm të modelit qytetar të shtetit të Serbisë me standarde të avancuara për barazi sociale e nacionale. Nëse i duhet retorika nacionalpatriotike e mveshur me petkun religjioz e ka të lehtë; e vendos çallmën e hoxhës në kokë dhe me veshjen e uniformës ushtarake të stilit osman i instrumenatlizon të rinjtë për të parakalaur si gardë e paradës ushtarake në qendër të qytetit të Novi Pazarit.

Zukorliqi si politikan e ka kuptuar se në skenën politike nuk mund të mbijetosh duke qenë parimor. Skandaloze është paraqitja e tij në një televizion kombëtar serb në raport me Kosovën. Njëri nga bashkëbiseduesit e tij, me gjuhën e shpifur plot helm, fletë të pavërteta ndaj implikimit të Bashkësisë Islame dhe direkt të myftiut z. Naim Tërnava, në mbështetje të grupeve terroriste, ekstremiste e kriminele në Lindjen e Mesme. Ai nuk e demanton këtë gjuhë mercenariste në opinionin mediatik. Përkundrazi, sikur mos t’i mjaftoj kjo akuzë, Zukorliqi manipulon me opinionin publik për të rënduar edhe më shumë të vërtetën. Ai, akuzon myftiun z. Naim Tërnava për mbështetjen politike që kinse ia ofron Bashkësisë Islame në Serbi me seli në Beograd. Një e pavërtetë, dhe gënjeshtër e kulluar. E përdor figurën e myftiu ef. Tërnava, për përfitime politike në emër të luftës kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, dhe e aktualizon dimensionin politik të rivaliteteve fetare për përfitime të ulëta politike në skenën komplekse të organizimit fetar në Serbi. Si politikan i ka humbur edhe ndjenjat e unitetit fetar islam, sepse ai e di shumë mirë rolin e Bashkësisë Islame në shtetndërtimin e Kosovës gjatë dhe pas luftës. Rolin e Bashkësisë Islame të Kosovës në ndërtimin e klimës së mirëbesimit për të ndërtuar jetë të barabartë në mes komuniteteve pa dallim etnie, race apo religjioni. Në këtë drejtim roli i Bashkësisë Islame dhe autoriteti i Myftiut z. Naim ef. Tërnava është i pamohueshëm. Bashkësia Islame e Kosovës ka qenë në qendër të sulmeve islamofobike në opinionin publik nga grupe e gazetar mercenarist, të cilët ngritjen e tyre materiale e mediatike e kanë arritur pikërisht duke kultivuar ndjenjën e islamofobisë ndaj shqiptarëve musliman, ndaj Bashkësisë Islame të Kosovës dhe kreut të saj myftiut. z. Naim ef. Tërnava. Këto sulme, janë goditje moralisht të ulëta, politikisht të poshtra dhe të pandershme. Zukorliqi harron edhe rolin dhe kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe medresesë “Alauddin” në Prishtinë në kultivimin e jetës fetare e nacionale në regjionin e Sanxhakut. Ai ka harruar se edhe myftiun e Bashkësis Islame të tij, z. Mevludin Dudiqin e ka ish nxënës të Medresesë “Alauddin” në Prishtinë. Nëse këtë Zukroliqi e ka harruar, sigurisht se Dudiqi nuk e ka harruar.

Ai me qëndrimet e tija politike aventureske ka qenë në shënjestër të opinionit publik të Turqisë, i akuzuar edhe për prishje të ekuilibrave politik gjeostrategjik të politikës zyrtare të shtetit turk për ruajtjen e unitetit territorial të Bosnje Hercegovinës.

Zukorliqi politikisht dëmshëm ka participuar në jetën politike të Luginës së Preshevës. Ai sindromin e fragmentarizimit politik dhe fetar që e ka mbjellë në regjionin e Sanxhakut, të njëjtin e ka bartë edhe në Luginë të Preshevës. Shqiptarët në Luginë të Preshevës realizimin e të drejtave nacionale dhe politike vazhdojnë ta mbajnë betejë të hapur me Beogradin. Janë rrethana dhe kontekste tjera historike, kulturore, sociolinguistike, gjeografia etnike territoriale e shqiptarëve në Luginë nga ato që zhvillohen në Sanxhak. Partneriteti politik në Luginë të Preshevës duke e instrumentalizuar edhe organizimin fetarë islam të përçarë në Luginë për pozicione politike në kontekstin e fuqizimit të veprimit të tij politik është shumë i dëmshëm. Në të ardhmen ka gjasa edhe më shumë ta dobësoj pozicionimin politik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, për ta realizuar vullnetin politik të tyre nga pozicioni minimalist; status i barabartë si entitet politik dhe juridiko kushtetues ngjashëm me serbët e Kosovës apo dhe aspirata maksimaliste e jetësimit të vullnetit politik; kërkesa për bashkëngjitje me Kosovën.

Devalvimin moral në aktivitetin politik të Zukoroliqit e ka zhveshur politika e paprofilizuar ideologjikisht. Politikbërjen e Zukorliqit nga pikëpamja kohore edhe Makiavelin do ta lente pa fjalë. Nuk ka makiavelizëm më ekstrem se sa të ngjitesh në skenën politike duke iu falënderuar aleancave politike me mohuesit e gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë dhe krimeve policore dhe ushtarake në Kosovë.

Nëse Zukorliqi do të angazhohej që të promovonte politika liberale që do të angazhoheshin me qëllim që veprimin politik në Serbi me e zhvendos në një kontekst tjetër ku nuk do të bisedohej për luftën, urrejtjen ndëretnike, ku antropocentrizmi, ksenofobia, etnocentrizimi do të t’i takonin të kaluarës. Në vend të tyre procesi i akulturimit politik do të ndihmonte skenën politike në Serbi dhe në Ballkan për të kërkuar falje për krimet e luftës, të ndërtonin paqen, mirëkuptimin për të jetuar në paqe, mirëqenie dhe progres ekonomik. Kjo do të ishte në rregull. Deri tani Zukorliqi nuk e ka bërë këtë.

Në paraqitjet e tija publike shpesh thirret në arsyen e shëndsohë. Ftesa për t’u dukur racional jo domosdoshmërish të bën të arsyeshëm. Në logjikën e Hegelit asyeja e shëndoshë njerëzore shpesh është strehim i mashtrimeve të ndryshme.

Si Myfiti, Zukorliqi do të mbetet një personalitet i respektuar, ndërsa si politikan, ai do të kujtohet si politikan dhe njeri i dështuar. /Gazeta1.info

Shpërndaje me të tjerët...
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin
Share on Tumblr
Tumblr
Më shumë nga Nexhmedin Ademi
Ajkuna qan qytetin
* Diku në Dizhon të Francës futet një vajzë në një nga...
Lexo më shumë
Leave a comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *