Le Temps: Ky i vdekur i tepërt që mund ta ndez Kosovën

* Në një Kosovë që duket çdo herë e më shumë si një bombë e kurdisur, vdekja misterioze e një aktivisti të ri të opozitës në qelinë e tij të burgut kristalizon  zemërimin kundër qeverisë dhe Presidentit Hashim Thaçi.

Shkruajnë: Jean-Arnault Dérens dhe Laurent Geslin

Portreti i një të riu zeshkan me një fytyrë të buzëqeshur i shpalosur në një ndërtesë. Qindra njerëz të tubuar. Është çast përkujtimi sepse ka vdekur një njeri. Astrit Dehari, 26 vjet, student i vitit të gjashtë të mjekësisë dhe aktivist i Lëvizjes opozitare “Vetëvendosje”, është gjetur i pajetë më 5 nëntor, në një qeli të burgut të Prizrenit. Që atëherë, hija e zemërimit po përhapet me shpejtësi. “Drejtësi për Astritin”, kërkojnë shokët dhe familja e tij.

Autoritetet shtetërore erdhën shpejt në përfundimin se ai kishte bërë vetëvrasje, duke përmendur gëlltitjen e barnave, një version ky i braktisur shpejt, e pastaj atë të asfiksisë së provokuar nga gëlltitja e një shisheje të plastikës.

Tomë Gashi është një nga avokatët më të njohur dhe më kontravers i Kosovës. Ai ka mbrojtur ish-komandantët e UÇK-së, Ramush Hardinajn dhe Fatmir Limajn në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Që nga vdekja e të riut, ai ka pranuar ta përfaqësojë familjen dhe ka blerë menjëherë një shishe mjalti në dyqanin e lagjes. Duke e imituar gjestin, ai e tregon pamundësinë e futjes së objektit në gojë për t’i dhënë fund jetës, gjë  që  e  kanë konfirmuar edhe të gjithë mjekët.

Fundi i shishes në formë arushe, ka gjerësinë rreth 6 cm, tepër shumë që të mund të futet në fyt, përpos nëse ushtrohet një presion shumë i fortë.

Fotografitë e autopsisë dëshmojnë se Astriti kishte fytyrën e pastër dhe të qetë. Por përkundrazi, shihen lëndime qartazi prapa qafës, përderisa duart dhe këmbët e tij kanë shenja mavijosje, sikurse të ishte përpjekur t’i bëj rezistencë xhelatëve të tij.

“Ka vetëm një  hipotezë të mundshme: ajo e një rrahje të egër ose e një marrjeje nw pyetje që përfundon keq”, siguron avokati, i cili thekson kundërthëniet që akumulohen në procedurë. “Para së gjithash, ne kërkojmë dorëheqjen e ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë, e pastaj krijimin e një komisioni të pavarur hetues”. Astrit Dehari ishte arrestuar më 30 gusht. Akuzohej si pjesë e një “grupi terrorist” dhe si pjesëmarrës i protestave të verës së kaluar, gjatë të cilave ishin hedhur koktej molotovi kundër kuvendit. I paraburgosur, ky i ri u mor në pyetje vetëm pas 68 ditëve.

Prindërit e Astritit jetojnë në një fshat të periferisë së Prishtinës,  ku ka mbërritur së fundmi urbanizimi marramendës i kryeqytetit. Më 1981, babai i tij, Avni Dehari ishte strehuar në Zvicër, ku kanë lindur tre fëmijët e tij. Poet, ai vepronte në radhët e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), një grup nacionalist me ideologji marksiste-leniniste, i shtrirë kryesisht në diasporë. Ky është grupi që ka lindur UÇK-në. Udhëheqësit aktual të Kosovës kanë marrë hapat e parë në radhët e saj. “Ishin shokët tanë, por kemi ndërprerë lidhjet me ta, kur zgjodhën të zhyten në korrupsion”.

Të rritur në një familje ku nuk luhet me parimet, të dy djemtë e familjes i janë bashkëngjitur në mënyrë të natyrshme Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Familja është kthyer për të jetuar në Kosovë me 2001, kur Astriti ishte 12 vjeç.

“Kishim mundësi ta kërkonim shtetësinë zvicerane, por Kosova është vendi ynë. Astriti grindej shpesh me shokët e tij, që donin të emigronin. Ai dëshironte të qëndronte në Kosovë”.

Ditën e varrimit, familjes iu dërgua një telegram ngushëllimi nga Hashim Thaçi. E refuzuan.

“Regjimi e akuzon djalin tim për terrorizëm e pastaj presidenti i shtetit dërgon telegram ngushëllimi…Kujt? Një terroristit të supozuar ? Kjo nuk ka asnjë logjikë”.

Ambasadat perëndimore në Prishtinë rrisin presionet diskrete që hetimet të rifillojnë mbi baza të reja duke ndrojtur se çështja Dehari mund ta nxis shpërthimin shoqëror, në një Kosovë ku rinia, e goditur nga papunësia masive, luhatet midis ekzilit dhe revoltës.

Lëvizja “Vetëvendosje” kërkon gjithashtu një hetim të pavarur, por tregon një lloj rezerve.

“Qeveria dëshiron të na kriminalizojë. Ajo dëshiron qëllimisht të na provokojë që t’ia vëmë flakën Kosovës dhe ajo vetë pastaj të paraqitet si e vetmja garantuese e rendit”, shpjegon Visar Ymeri, kryetari i partisë.

Çështja Dehari ndodhi përderisa skena politike e Kosovës është më e rrezikshme se kurrë. Dy njerëzit e fortë të vendit, Presidenti Hashim Thaçi dhe ish-krahu i tij i djathtë Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit, po mundohen ta shënojnë territorin e tyre para ngritjes së aktakuzave të para të Gjykatës Speciale për krimet e UÇK-së, të parapara për muajt e ardhshëm.

“Jemi mësuar me korrupsionin e qeveritarëve tanë, por nëse fillojnë t’i vrasin fëmijët tanë duke folur për demokraci, kjo është e tepërt”, reagon me zemërim një mësimdhënëse që kishte ardhur për t’i shprehur ngushëllime familjes. “Nuk do të lejojmë që Kosova të shndërrohet në një diktaturë si në Kilin e Pinoçetit.”

Teksti origjinal në gjuhën frënge mund ta gjeni në gazetën Le Temps duke klikuar këtu.

Shpërndaje me të tjerët...
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin
Share on Tumblr
Tumblr
Më shumë nga siAGORA NETWORK

KTV: Kalaja e fisit Dardan në Preshevë

Shpërndaje me të tjerët...FacebookTwitteremailPrintLinkedinTumblr
Lexo më shumë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *