PROMEMORIE PËR DASHURI E FESTË

* Para disa vitesh kIsha shkuar në Prishtinë me ç’rast në njërin nga hotelet e atjeshme një miku im kishte për të promovuar një projekt të një firme norvegjeze me të cilin parashihej që mbeturinat e grumbulluara në gjithë Kosovën të shëndrroheshin në energji elektrike. Pasi që shetita mirë e mirë nga njëri hotel në tjetrin lodhja më vetëdijësoi që të hiqja dorë nga ky “mision i pamundur” dhe të mendoja për një agjend tjetër (meqë më vonë kuptova se e kisha ngatërruar datën e mbajtjes së takimit promovues). Pa u menduar i them djalit tim: po dalim deri në Sheshin Nëna Terezë dhe mbase gjejmë dikë që mbase na tregon se për çfarë kemi ardhur këtu.

Sapo arritën në Shesh më dalin përpara gazetarë e kameramani i Klan Kosovës, dhe si çdo gazetar edhe këta ishin në kërkim të “viktimave” për të marrë ndonjë deklaratë.

– Ju lutem a ka mundësi të përgjigjeni në pyetjen tonë?

-Po! –  i them i hutuar edhe pse nuk e dija se çfarë do të më pyesnin.

– Ku do t’i kaloni pushimet gjatë festës?

Nga lodhja kisha harruar se si në Serbi po ashtu edhe në Kosovë ishin ditë feste me rastin e Pashkëve ortodokse. Ndërkohë që m’u kujtua se në vende të varfëra dhe ato totalitare zakonisht janë festat kur mikrofoni iu ofrohet qytetarëve.

– Si të them… para se të festojmë e pushojmë, fillimisht po më duket se po na duhet të mësohemi se si të pushojmë e festojmë.

– Po çfarë duhet të mësojmë?! – Ishte pyetja e gazetarit.

– Çështja qëndron se ne kemi ngatërruar ndjenjat sikur që është ngatërruar edhe shumëçka tjetër në realitetin tonë. Aty ku ka mungesë dashurie, mungon edhe ndjesia e të qenit i lumtur, andaj për pasojë ndjehesh i lodhur edhe kur rrinë edhe kur punon. Ndërkaq aty ku ka dashuri, pra nëse njerëzit do të reflektonin më shumë dashuri e mirësi, do të ndjeheshin të pushueshëm e të lumtur edhe në punë edhe në pushim.

Pas kësaj kameramani hoqi kamerën nga shpatulla dhe e lëshoi sikur të kishte gjetur vendin për ta shkarkuar ndonjë barrë të madhe.

– Po ku e gjete këtë përgjigje ju lutem? – më pyeti ai në bisedën joformale që pasoi.

– Në fytyrën tënde, në rraskapitjen tënde duke punuar për një rrogë tepër të vogël edhe në ditë feste, duke qenë i shfrytëzuar në maksimum nga punëdhënësi e duke qenë i shpërblyer sa një rob. Edhe ky raport diskriminues burimin e ka nga mungesa e reflektimit të dashurisë, meqë gjithëçka shihet vetëm si interes, deri në masën që interesi është bërë qëllim e jo mjet. Po të kishim më shumë dashuri edhe kryetarin e shtetit do ta kishit zgjedhur me rrugë normale e jo me zarf (ishte pak kohë pasi që Atifetja ishte zgjedhur kryetare e Republikës së Kosovës). Prandaj duke qenë se nuk reflektojmë dashuri, atëhere as nuk mund të gjejmë zgjidhje të mirë, madje as që gjendet zgjidhje tjetër pos imponimit nga “jashtë”.

Njerëzit e tubuar në ndërkohë solidarizoheshin me këtë bisedë të rastit dhe linin përshtypjen e njerëzve shumë të etur për dashuri, mirëkuptim e solidarësi njerëzore, madje më shumë se deveja e etur për ujë në mes të shkretëtirës.

Tani edhe pse kanë kaluar pak më shumë se pesë vjet, biseda spontane e zhvilluar atëbotë në Shesh ende është aktuale në çdo ambient, në çdo takim dhe në çdo gjendje (festë, pushim i zakonshëm, punë apo edhe kur rrimë kot), meqë politika e shëndrroi në shkretëtirë çdo pore të jetës, çdo ide për një botë më të mirë dhe çdo ëndërr për dashurinë.

Po ëndrrat kush na i mori? Nuk i mori askush, i humbëm dhe i tretëm në shpresat e kota, në njerëz të gabuar, në ide të mbrapshta dhe interesa të pista të një grushti njerëzish. Këshu po e humbim “armën” më të fuqishme kundër çdo të keqeje, meqë çfardo “armë” tjetër ta lajthitë masën – karshi dashurisë që nuk peshohet, adresën – karshi dashurisë që përfshinë çdo krijesë në univers dhe gjithë universin dhe qëllimin – karshi dashurisë që shpie drejtë përkryerjes.

Po a nuk lind urrejtja pikërishtë nga ata qe i japin masë dashurisë? Ke degjuar të thenat: “e din sa te kam dasht” duke aluduar ne shkaqe dhe arsye te nje dashurie kinse te kotë. Dashuria eshte permbi e pertej arsyes, jetës e vdekjes, kohës e hapesirës. Ekziston që kur se Ekziston Zoti, kur nuk kishte asnje krijesë, as shkak e masë, kohë e hapsirë që e përkufizon dashurinë. Ajo mbeti e tillë në përhershmërinë përfundimtare duke pritur njeriun të bëhet i vetëdijshëm se pavdeksia është dashuria, se gjithçka tjetër konsumohet nga vdekja.

 

Shpërndaje me të tjerët...
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin
Share on Tumblr
Tumblr
Më shumë nga siAGORA NETWORK

Lugina në vitin 2016, sfidat për vitin 2017 !?

* Duke filluar nga dita e nesërme, platforma e diskutimeve online “siAGORA...
Lexo më shumë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *