Shqipëria dhe Serbia, ndryshimet për Europën

– Të Hënën e 10 Nëntorit të 2014, kryeministri i Republikës së Shqipërisë zhvilloi vizitën e parë zyrtare në Beograd. Rëndësia historike e vizitës së zotit Edi Rama në kryeqytetin e Serbisë u vu në pah nga mediat vendase dhe të huaja si vizita e parë zyrtare e një lideri shqiptar në Serbi pas 68 vitesh, që prej Enver Hoxhës në 1946. Vizita e shumëpritur dhe e shtyrë për shkak të ndeshjes Serbi-Shqipëri më 14 Tetor, nisi të Hënën përballë Pallatit të Serbisë ku kryeministri Rama u mirëprit nga homologu i tij z. Vuçiq. Vizita vijoi sipas protokollit zyrtar me himnet dhe flamurët respektivë të dy shteteve. Përveç zbaimit të protokollit ky detaj merr një simbolikë tjetër bashkjetese midis dy vendeve dhe popujve me një histori të ndërlikuar ndër shekuj midis tyre. Pas përfundimit të ceremonisë mikëpritëse delegacionet e të dy vendeve zhvilluan takimin plenar midis tyre ku u nënshkruan tre marrëveshje bashkëpunimi, njëra lidhur me udhëtimin në këto vende me karta identiteti, e dyta ka të bëjë me doganat dhe e treta me bashkëpunimin rinor.

Më tej, marrëdhëniet shqiptaro-serbe përsa i takon marrëdhënieve institucionale Serbi-Shqipëri u pasuan me vizitën e Vuçiq në Tiranë më Maj 2015. Megjithatë, ndeshja e futbollit të Nëntorit hijezoi çështjet e rëndësishme, pasi sigurisht mori mediatizimin jo dhe aq të merituar. Përveç faktit se tashmë shqiptarët e Shqipërisë, të cilët për hir të kushteve historike kanë qënë më të distancuar nga ndikimi kulturor jugosllav, arritën të mësojnë fjalën serbe “provokacija”, ndeshja nxori në pah edhe njëherë brishtësinë e iniciativave të fqinjësisë së mirë. Sigurisht, përsa kohë vëmendjen publike e marrin çështje të manipulueshme.

Gjatë takimeve të përbashkëta me mediat të dy kryeministrat theksuan rëndësinë e këtyre vizitave dhe vizionin e përbashkët evropian të të dy vendeve. Aktualisht Serbia është në fazën e negociatave me Bashkimin Evropian që nga Janari i 2014, ndërsa Shqipëria mori statusin e vendit kandidat më 24 Qershor 2014. Përveç çështjeve të brendshme që Serbia duhet të përmirësojë, bisedimet me Kosovën janë një element i rëndësishëm në kuadrin e bashkëpunimit në rajon. Sipas të përditshmes serbe B92, kryeministri Aleksandar Vuçiq është shprehur se takimi me z. Rama ishte i vështirë dhe zgjati më shumë sesa ishte planifikuar. ( shiko këtu) Shkak për këtë u bë deklarata e zotit Rama në lidhje me pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë nga ana tjetër z. Vuçiq ka reaguar duke hequr kufjen e përkthimit dhe më pas e ka quajtur këtë provokim. Shkëmbimet e replikave kanë vazhduar gjatë konferencës por me gjakftohtësi nga të dyja palët. Ndërkohë pyetjet nga paneli i gazetarëve iu referuan më së shumti ndeshjes së futbollit ne Stadiumin e Partizanit dhe deklaratave të liderve lokal në Luginën e Preshevës.

Tensioni në lidhje me çështjen e Kosovës nuk u la pa u vënë re edhe nga mediat e huaja si BBC, France24, apo Reuters. Megjithatë Brukseli e ka përshëndetur këtë vizitë nëpërmjet zëdhënëses së Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Maja Koçijançiq. Sipas Tanjug, BE e ka konsideruar këtë vizitë si një hap përpara drejt marrëdhënieve midis vendeve dhe ka inkurajuar ndërmarrjen e hapave pozitivë në të ardhmen. Kryeministri Rama e ka vazhduar vizitën e tij në Serbi ditën e dytë në Luginën e Preshevës ku është takuar me minoritetin shqiptar atje. Rëndësia e vërtetë e vizitës së zotit Edi Rama, pavarësisht faktit të sipërpërmendur si vizita e parë pas 68 vitesh, është anshkaluar nga mediat. Kjo vizitë në fakt nuk është e dyta pas asaj të Enver Hoxhës, por e para në historinë e këtyre dy shteteve të pavarura dhe sidomos të dy shteteve të cilët po përpiqen të tejkalojnë të shkuarën. Nëse Enver Hoxha vizitoi Jugosllavinë, një federatë shumëkombëshe, Rama vizitoi Serbinë aktuale dhe kjo ka një rëndësi simbolike në raportet mes këtyre dy shteteve demokratike të Ballkanit.

 Së dyti, deklaratat e të dy kryeministrave pavarësisht tensionit të momentit nuk ishin ndonjë risi në vetvete, pasi pozicionet zyrtare të shteteve mbi pavarësinë e Kosovës tashmë njihen, edhe pse Serbia është në fazë bisedimesh me Kosovën. Ajo çka këto deklarata nxorrën në pah është vështirësia dhe brishtësia e kësaj çështjeje në rajon, por edhe njëkohësisht rëndësia e saj në stabilizimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Gjithashtu roli i BE-së dhe presioni i procesit të integrimit (leverage) ka krijuar kushte positive për bashkëpunim, pasi ky projekt është alternativa e vetme e rajonit. Takimi me mediat tregoi dhe brishtësinë e gazetarisë në këto dy vende. Hapësira e pyetjeve u fokusua në ndeshjen e futbollit, për të cilën kryeministrat i kishin shprehur mendimet e tyre më parë, ndërkohë që detaje mbi marrëveshjet e nënshkruara apo marrëveshje të tjera potenciale nuk ishin në qëndër të pyetjeve të gazetarëve. Mediat serbe e quajtën deklaratën provokim, ndërsa ato të huaja u shprehën se Kosova ndërhyri sërish midis këtyre dy vendeve. Nga ana tjetër analisti serb Dedoviq, sipas Top-Channel shprehet se “përsa kohë problemet ekzistuese nuk diskutohen hapur, atëherë nuk do të ketë rezultate konkrete”.

Takimet midis dy kryeministrave ishin hapa fillestarë pozitiv drejt përmirësimit të marrëdhënieve si pjesë e integrimit të Ballkanit në BE. Kjo iniciativë u mbështet dukshëm nga faktori ndërkombëtar edhe me Samitin e Berlinit (Gusht 2014), Vienës (Gusht 2015) dhe Parisit (Korrik 2016), takime të cilat janë në kuadër të të ashtuquajturit Procesi i Berlinit. Procesi i Berlinit ka si synim rregullimin e marrëdhënieve të fqinjësisë në Ballkan, duke projektuar kështu integrimin e përbashkët europian. Pavarësisht suportit nga BE-ja, ndjeshmërisë dhe brishtësisë, takimet e krerëve të lartë të qeverive treguan se në Ballkanin e sotëm mund të flitet për çështje të kontroversiale pa patur shkëputje totale të marrëdhënieve. Megjithë vështirësise, marrëdhëniet midis dy vendeve janë përmirësuar në nivel tregtie dhe që prej Shtatorit fluturimet direkte midis kryeqyteteve janë të mundshme. Marrëveshjet e nënshkruara në Beograd kanë një rëndësi po aq sa edhe deklarat, pavarësisht se u lanë mënjanë nga mbulimi mediatik. Integrimi sektorial, ashtu si edhe historia e BE ka treguar është një projekt realist, i matshëm dhe i mundshëm për bashkëpunimin në rajon.

Shpërndaje me të tjerët...
Share on Facebook
Facebook
Tweet about this on Twitter
Twitter
Email this to someone
email
Print this page
Print
Share on LinkedIn
Linkedin
Share on Tumblr
Tumblr
Më shumë nga Lutjona Lula

Një “mini-Shengen” gjysmak në Ballkan dëmton procesin e Berlinit

– Rishtazi, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq; Kryeministri i Maqedonisë së Veriut,...
Lexo më shumë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *